Lajme

Sot Escobar drejt Beogradit: Heqja e barrikadave në veri pjesë e agjendës

Autori: Gazeta inFokus 07:48 | 14 December 2022

Përfaqësuesi special i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas vizitës së tij në Kosovë, sot do të marrë rrugën drejt Beogradit.

Temat për të cilat do të diskutojë atje, sipas Danas, nuk do të ndryshojnë shumë nga agjenda e bisedimeve në Kosovë.

Escobar pritet që me zyrtarët e Serbisë, të diskutojë për situatën aktual, heqjen e barrikadave në veri dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

-Advertisement-

Pjesë e diskutimeve sipas këtij mediumi serb, pritet të jetë edhe energjia. Roli amerikan në de-përshkallëzimin e situatës, pjesëmarrjen e KFOR-it dhe NATO-s.

Po ashtu pritet të diskutohet edhe për propozimin franko-gjerman për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

Escobar do të bisedojë me udhëheqësit e Serbisë edhe për sanksionet amerikane, të cilat tashmë janë vendosur ndaj Milan Radojçiq dhe Zhlejko Veselinoviq.

Ndryshe, Escobar, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Kosovës, është takuar me krerët e shtetit.

Gjatë takimit të tij me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, është theksuar nevoja për heqjen e barrikadave, që janë vënë nga strukturat ilegale e kriminale të dirigjuara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Në takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon. Presidentja Osmani ka theksuar nevojën urgjente të heqjes së barrikadave në veri të vendit, të vendosura nga strukturat ilegale të organizuara në banda kriminale dhe të dirigjuara nga Vuçiqi”, thuhet në njoftim.

Në takim me emisarin Escobar, Presidentja Osmani ka potencuar se Kosova vazhdon të jetë palë konstruktive në procesin e dialogut, dhe se veprimet e Serbisë janë tentim për të minuar dialogun për njohje të ndërsjellë.

“Në takim u diskutua sesi të avancohen edhe më tej raportet mes Republikës së Kosovës dhe SHBA-ve, dhe në veçanti kërkesën e Presidentes Osmani të bërë në qershor 2022 për fillimin e dialogut strategjik në mes dy shteteve, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, vijon njoftimi.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së hënë, ka takuar të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

U diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht, në pjesën veriore të Republikë së Kosovës, dhe u theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë.

Gjithashtu, në takim u diskutua për raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, procesin e dialogut dhe për rrugën përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Takimi ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të Këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19, e kishte të pamundur ta realizojë vizitën e tij.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Marsi sjell Magji në ETC

Të tjera