Lajme

Skandaloze në Ministrinë e Drejtësisë: I dënuari për rrahjen e gruas së tij “rehabiliton” kryerësit e dhunës në familje

Autori: Gazeta inFokus 12:35 | 06 August 2024

Pjetër Shala, një zyrtar publik në Ministrinë e Drejtësisë, nuk do të duhej të ishte pjesë e Programit të Parë Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave.

Ai, do duhej të ishte në anën tjetër të programit.

Zyrtari për Punë Sociale në Ministrinë e Drejtësisë është një kryerës i dhunës ndaj grave. Një i dënuar për rrahjen e bashkëshortes së tij në vitin 2022.

-Advertisement-

Por, zyrtari publik, i dënuar me vendim të formës së prerë me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Pejë, jo që nuk është degraduar në pozitë. Përkundrazi, është ngarkuar me mision për rehabilitimin e kryerësve të dhunës ndaj grave. Është caktuar si pjesëtar i Programit Kombëtar për Kryerësit e Dhunës ndaj Grave.

Ky program i veçantë, i lansuar nga Ministria e Drejtësisë në nëntor të vitit të kaluar, synon rehabilitimin e kryerësve të dhunës ndaj grave.

Një zhvillim shqetësues në një shoqëri ku dhuna ndaj grave është urgjencë kombëtare. Dhe, kjo anomali ka ngjarë në Ministrinë e Drejtësisë në gjashtë muaj e fundit.

Për gjashtë muaj, Pjetër Shala ka qenë i angazhuar në pilotimin e këtij programi. Pilotimi ka përfunduar të hënën e javës së shkuar, më 29 korrik.

Në ceremoninë përmbyllëse, Pjetër Shala është shfaqur në krah të ministres Haxhiu, ashtu siç ishte shfaqur si pjesë e programit në lansimin e tij në nëntor.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Pjetër Shala
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Pjetër Shala

“E lumtur që me sukses e përmbyllëm pilotimin e programit të parë kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje”, ka shkruar Haxhiu në një njoftim në rrjetet sociale të hënën e javës së shkuar, derisa ka publikuar fotografi nga ceremonia në Shala i qëndronte asaj pranë. Haxhiu ka thënë se programi u zhvillua përmes 24 sesioneve. “Qëllimi i të njëjtit është ballafaqimi i kryerësve me pasojat e veprimeve të tyre dhe që të zhvillojë aftësi të shëndetshme komunikimi dhe respekt në marrëdhënie ndërpersonale”, ka deklaruar Haxhiu.

Paradoksi i angazhimit të të dënuarit për dhunë ndaj grave në ‘rehabilitimin’ e kryerësve të dhunës, pikërisht ndaj grave, nuk është komentuar nga Ministria e Drejtësisë.

Paparaci, javën e kaluar ka dërguar pyetje në adresë të MD-së lidhur me angazhimin e Shalës në këtë program, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka pranuar ende përgjigje.

Pjetër Shala është shpallur fajtor për sulm ndaj bashkëshortes së tij dhe është dënuar me gjobë.

Aktgjykimi është shpallur nga Gjykata Themelore në Pejë në qershor të vitit 2022.

Në shtator të po atij viti, aktgjykimi ndaj Shalës mori vendim të formës së prerë, tha të hënën Elzana Kastrati, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Pejës.

“I pandehuri Pjeter Shalaj, ka qenë i akuzuar për shkak të veprës penale Sulmi nga neni 184 par.1 të KPRK-së, të kryer ndaj bashkëshortes së tij. Ne këtë çështje penale i pandehuri e ka pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar dhe pastaj ka përfunduar procedura sipas aktgjykimit P.nr.32/2022 të datës 28.06.2022, me te cilin aktgjykim i pandehuri është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim me gjobë”, tha Kastrati në një përgjigje me shkrim për Paparacin.

Sipas aktakuzës, Pjetër Shala dyshohet se e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij I.Sh. në shtëpinë e tyre në fshatin Gurrakoc të Istogut.

Paparaci e ka siguruar aktakuzën ndaj Shalës dhe dëshminë e bashkëshortes së tij për sulmin e natës së 12 janarit, 2022.

Sipas deklaratës së viktimës I.Sh., bashkëshorti i saj Pjetër Shala kishte ushtruar “shumë herë” dhunë fizike ndaj saj.

“Prej se jam martuar me Pjetrin vazhdimisht kemi pasë mosmarrëveshje, shumë herë ka ushtruar dhunë fizike ndaj meje por nuk e kam raportuar rastin në polici duke menduar se do të ndalet dhe i regullojmë marrëdhëniet familjare mes vete por Pjetri nuk është ndalur”, dëshmonte bashkëshortja e Pjetër Shalës para hetuese policorë në një deklaratë të dhënë më 13 janar të vitit 2022.

“Vetëm sa e ka shpeshtuar dhunën fizike dhe psiqike, regullisht më mbanë në presion duke më thënë pas çdo mos pajtimi, merre djalin dhe shko tek prindërit e tu. Dhe në pushime kur kemi shku, kemi pasur mosmarrëveshje ku më ka sulmuar fizikisht duke më goditur qëllimisht me koke në fytyrë dhe nga kjo goditje me eshtë thyer hunda”, dëshmonte viktima. “Më është lutur që të mos raportoj rastin në polici dhe për hirë të familjes sime dhe të Pjetrit nuk e kam raportu rastin”.

Për sulmin e raportuar në Polici, të natës së 12 janarit, bashkëshortja e Shalës dëshmonte sesi ishte goditur me shuplaka.

“Me dt 12.01.2022 rreth orës 23:30 min deri sa kemi qenë në dhomën e gjumit kemi pasur një mosmarrëveshje në mes vete dhe pas kësaj mosmarrëveshje verbale, Pjetri më ka sulmuar dhe fizikisht duke më goditur me shuplaka në dorën e majtë dhe duke më thënë se boll të kam duruar dhe lëre djalin dhe shko tek familja jote”, dëshmonte viktima.

Shala, tash i angazhuar në rehabilitim të kryerësve të dhunës ndaj grave, në Polici e mohonte sulmin fizik ndaj bashkëshortes së tij.

Sipas deklaratës së tij në Polici, ai ishte viktimë e një përleshje me gruan.

“Mbrëmë me datë 12.01.2022, rreth orës 23:00 kam shku të bjerë të flejë në dhomë dhe në dollapin në afërsi të shtratit kam dashur që të marr një mast i cili është i bashkëshortes time, ajo më ka thënë mos e merr mastin. Fillimisht ajo më ka kundërshtu me fjalë dhe unë e kam marrë mastin në këtë kohë, ajo forcërisht me dorë më ka kapuar me ç’rast më ka gërvishur dorën e djathtë dhe më ka grisur pixhamen. Për këtë kam fotografi”, kishte deklaruar Shala. /Paparaci.com

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera