Ekonomi

Më shumë se 700 shkyçje nga ujësjellësi

Autori: Gazeta inFokus 12:27 | 10 May 2018

Për katër muaj Kompania Ujësjellësi Rajonal ”Prishtina” sh.a. ka njoftuar të gjithë konsumatorët në zonën e shërbimit se nga 25 janari 2018 ka filluar masat ndëshkuese për të gjithë borxhlinjtë e shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Me shkyçje po përballet secili konsumator që ka dy e më shumë fatura të papaguara ndaj shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit.

Brenda katër muajve janë realizuar mbi 700 shkyçje nga sistemi i rrjetit të ujësjellësit, janë vizituar mbi 3000 konsumatorë borxhlinj dhe janë dërguar te përmbaruesit privatë rreth 1200 lëndë të konsumatorëve që nuk janë të rregullt ndaj shërbimeve të ujësjellësit.

-Advertisement-

Veç në muajin prill 2018 janë shkyçur 170 konsumatorë, thuhet në njoftimin e dërguar nga KRU “Prishtina”.

Në shkyçje janë të përfshira tetë komunat në të cilat operon ky ujësjellës: Prishtina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Podujeva, Shtimja, Drenasi, Lipjani dhe Graçanica, me fshatra përreth. Aksioni do të vazhdojë deri në fund të vitit 2018.

Borxhi total i konsumatorëve ndaj KUR ”Prishtina” sh.a. është rreth 50 milionë euro.

KUR ”Prishtina” sh.a. fton konsumatorët që t’u përgjigjen pozitivisht të gjitha obligimeve financiare për shërbimet e ujësjellësit dhe kanalizimit, në mënyrë që të evitojnë shkyçjen nga shërbimet.

Kjo kompani e ujësjellësit u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike që të respektojnë në përpikëri kontratat për riprogramimin e borxhit, gjithnjë duke paguar këstet e përcaktuara sipas kontratës së nënshkruar nga të dyja palët.

Sipas komunikatës së ujësjellësit, duke filluar nga data 1 shkurt 2018 të gjithë konsumatorëve që kanë përfituar nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike dhe nuk i janë përmbajtur Kontratës për pagesën me këste të borxhit të riprogramuar, do t’u rikthehet borxhi i falur, bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve Publike./21Media

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy