Lajme

Shtëpia e Bardhë: Nuk e kemi përcaktuar ende kush e shkatërroi digën në Ukrainë

Autori: Gazeta inFokus 07:39 | 07 June 2023

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur të martën se nuk mund të thotë në mënyrë përfundimtare se çfarë e shkaktoi shkatërrimin e një dige masive në Ukrainë. Por sipas zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë, Uashingtoni po shqyrtonte njoftimet se shpërthimi ishte shkaktuar nga Rusia, e cila mban të pushtuar digën, që nga viti i kaluar.

Zoti Kirby tha se ishte e qartë se shkatërrimi i digës në lumin Dnipro, që ndan forcat ruse dhe ukrainase në Ukrainën jugore, ka të ngjarë të ketë shkaktuar “shumë vdekje” dhe evakuimin e mijëra ukrainasve.

Ai shtoi se dëmi mund të ketë një ndikim shkatërrues në sigurinë energjetike të Ukrainës.

-Advertisement-

“Ne kemi parë njoftime se Rusia është përgjegjëse për shpërthimin në digë“, tha ai. “Ne po bëjmë më të mirën që mundemi për t’i vlerësuar ato dhe po punojmë me ukrainasit për të mbledhur më shumë informacion, por nuk mund të themi në mënyrë përfundimtare se çfarë ndodhi” shtoi ai.

Akuza të ndërsjellta mes Kievit dhe Ukrainës

Ukraina akuzoi të martën forcat ruse se hodhën në erë një digë të madhe dhe një hidrocentral në një pjesë të Ukrainës jugore që kontrollohet nga Rusia, duke rrezikuar përmbytje masive. Autoritetet ukrainase urdhëruan qindra mijëra banorë që jetojnë përgjatë lumit, të evakuohen.

Zyrtarët rusë thanë se diga Kakhovka u dëmtua nga sulmet ushtarake ukrainase në zonën e kontestuar.

Pasojat mund të jenë të gjera: përmbytje e shtëpive, rrugëve dhe bizneseve në rrjedhën e poshtme; ulje e niveleve të ujit në rrjedhën e sipërme që ndihmon në ftohjen e termocentralit më të madh bërthamor të Evropës; dhe shterjen e furnizimeve me ujë të pijshëm në jug në Krime, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht.

Shkatërrimi i digës shtoi një element të ri kompleks në luftën e Rusisë në Ukrainë, tani në muajin e saj të 16-të, ndërsa forcat ukrainase shihet se po ecin përpara me një kundërofensivë të pritur prej kohësh në një zonë prej më shumë se një mijë kilometrash të vijës së frontit në lindje dhe në jug të Ukrainës.

Operatori bërthamor i Ukrainës Energoatom, tha në një deklaratë në rrejtin Telegram se shpërthimi i digës “mund të ketë pasoja negative për termocentralin bërthamor të Zaporizhias”, pranë digës, por tani për tani situata është “e kontrollueshme”.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike shkroi në Twitter se ekspertët e saj po vëzhgonin nga afër situatën në termocentral dhe se nuk kishte “asnjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë bërthamore” në objekt.

Sipas Grupit të Punës për Pasojat Mjedisore të Luftës në Ukrainë, një shembje e tërësishme e digës do të merrte para vetes pjesën më të madhe të bregut të majtë dhe një rënie e madhe e rezervuarit ka mundësinë ta lërë centralin bërthamor pa ftohje thelbësore, si dhe të thajë furnizimet me ujë në veri të Krimesë.

Mykhailo Podolyak, një këshilltar i lartë i presidentit Volodymyr Zelenskyy, tha se “një fatkeqësi ekologjike globale po shfaqet tani dhe mijëra kafshë dhe ekosisteme do të shkatërrohen në orët e ardhshme”.

Presidenti Zelenskyy thirri një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë për ta trajtuar krizën, thanë zyrtarët ukrainas.

“Terroristët rusë”, shkroi presidenti Zelenskyy në Twitter, duke theksuar se shkatërrimi i digës “vetëm e konfirmon për të gjithë botën se ata duhet të largohen nga çdo kënd i tokës ukrainase”.

Ukraina kontrollon pesë nga gjashtë digat përgjatë lumit Dnipro, që rrjedh nga kufiri i saj verior me Bjellorusinë deri në Detin e Zi dhe është thelbësor për furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji të të gjithë vendit.

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press./VOA

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Vrasja e Lulzim Fejzullahut, vjen reagimi i parë nga ministrja Haxhiu
-Advertisement-

Të tjera