Lajme

“Shpejt do t’i vie fundi kësaj qeverie”, Bajrami thirrje Kurtit: Mos e testo durimin e popullit!

Autori: Gazeta inFokus 23:39 | 31 August 2022

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se në këtë kohë krize me reduktime të shpeshta të energjisë elektrike, qytetarët janë në hall si do t’ia bëjnë dimrit me ngrohjen, e në anën tjetër ministri Murati i qeverisë së “shpresës” siç e ka quajtur ajo, ua ndalë pagat mësimdhënësve dhe zyrtarëve tjerë grevistë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se veprime të tilla nuk durohen nga ky popull dhe se shpejt do t’i vie fundi arrogancës së kësaj qeverie.

Ajo ka thënë se ky popull, këta mësimdhënës, këta njerëz të këtij vendi kanë ditur t’iu bëjnë ballë situatave edhe më të rënda në vitet e 90-ta.

-Advertisement-

Ajo i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti që mos ta testojë durimin e këtij populli, pasi pasojat do t’i bartim të gjithë e jo veç partia në pushtet!

Postimi i saj i plotë:

1 shtatori i Qeverisë Kurti II

Nën presionin e reduktimeve të energjisë elektrike, shumë qytetarë janë në hall se si do t’ia bëjnë me ngrohjen gjatë dimrit që po troket në derë. Në këtë gjendje të rëndë çohet Ministri i Financave i Qeverisë së “shpresës” dhe ua ndalë pagat mësimdhënësve dhe zyrtarëve tjerë grevistë.

Këto veprime nuk i duron ky popull dhe shpejt kësaj arrogance të Qeverisë do t’i vijë fundi nga njerëzit e këtij vendi.

Ky Ministër i Financave ua ka mbushur llogaritë Kryeministrit dhe gjithë ministrave dhe kabineteve politike. Asnjërit prej tyre nuk ia ka ndalë pagën pavarësisht se një pjesë e kabinetit qeveritar po vazhdon të mos bëjë asnjë punë.

Ministri i Financave dhe ministra të tjerë sot ka bërë thirrje që prindërit duhet t’i çojnë fëmijët në shkollë përderisa një pjesë e mësimdhënësve janë në grevë.

Kush do të japë llogari që nesër nuk mbahet mësim, nëse nxënësit nuk mbajnë mësim pse duhet të shkojnë në shkollë. Ku do të qëndrojnë fëmijët gjatë orëve që nuk mbahen. Prindërit nesër duhet t’i çojnë fëmijët e tyre në shkollë, maltretohen dhe detyrohen të kthehen në shtëpi bashkë me fëmijët e tyre?

Në anën tjetër, grevistët dhe përgjegjësit e shkollave sot kanë dërguar njoftime tek prindërit se greva vazhdon dhe mësimi nuk fillon më 1 shtator.

Kryeministri, Ministrat dhe e gjithë partia në pushtet duhet ta dinë se ky popull nuk do t’i durojë gjatë dhe uroj që ndëshkimi i kësaj Qeverie të ndodhë përmes votës.

Ky popull, këta mësimdhënës, këta njerëz të këtij vendi kanë ditur t’iu bëjnë ballë situatave edhe më të rënda në vitet e 90-ta.

Kryeministër, mos e testo durimin e këtij populli. Se pastaj pasojat do t’i bartim të gjithë e jo veç partia në pushtet!

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Çka do të thotë të gatuash shqip?

Të tjera