Lajme

Shoferë, bëhuni gati për dimër – nga 15 nëntori pajisjet dimërore bëhen obligative

Autori: Gazeta inFokus 11:37 | 04 November 2026

Nga 15 nëntori deri më 15 mars të gjithë drejtuesit e automjeteve janë të obliguar të posedojnë pajisje dimërore, në përputhje me rregulloren për pajisjet e detyrueshme për pjesëmarrje të sigurt në trafikun rrugor.

Ministria e Punëve të Brendshme u ka bërë thirrje qytetarëve ta respektojnë këtë obligim ligjor, duke theksuar rëndësinë e pajisjeve dimërore për sigurinë në rrugë gjatë kushteve të vështira atmosferike.

Sipas rregullores në fuqi, për automjetet me masë maksimale të lejuar deri në 3.500 kilogramë, pajisjet dimërore nënkuptojnë përdorimin e gomave dimërore në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash.

-Advertisement-

Alternativë janë edhe gomat verore në të katër rrotat, me thellësi të profilit prej së paku katër milimetrash, me kusht që automjeti të jetë i pajisur me zinxhirë bore të përshtatshëm për rrotat lëvizëse ose me pajisje të tjera përkatëse.

Ndërkaq, për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), kërkesat janë më specifike. Në rastin e përdorimit të gomave dimërore, ato duhet të jenë në të katër rrotat dhe të kenë thellësi minimale të profilit prej gjashtë milimetrash.

Nëse përdoren goma verore, ato duhet të kenë profil prej së paku katër milimetrash dhe automjeti duhet të jetë i pajisur me zinxhirë bore. Vendosja e tyre varet nga lloji i transmisionit të automjetit.

Rregullorja përcakton gjithashtu se goma dimërore konsiderohen ato që kanë shënimet “MS”, “M+S”, “M & S”, si dhe simbolin e flokut të borës brenda një mali të stilizuar me tri maja.

Po ashtu, përdorimi i gomave me thumba në trafikun rrugor është i ndaluar.

Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të sigurohen se automjetet e tyre janë të pajisura sipas kërkesave ligjore, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe garantimit të sigurisë në rrugë gjatë sezonit dimëror.

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy