“Pritje, mall, dhimbje e lutje”, Altin Krasniqi me dedikim emocionues në 6-vjetorin e dërgimit në Hagë të babait të tij
10:12 | 04 November 2026 Autori: InfokusiAltin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka kujtuar 6-vjetorin e arrestimit të babait të tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në një postim emocionues në Facebook, ai ka thënë asnjëherë nuk e ka pasur më të vështirë se këtë herë të shkruajë për këtë ditë.
“Herëve tjera, sado e rëndë ishte pritja, e mbanim një shpresë në zemër, besonim se në fund do të kishte drejtësia, se një ditë kjo padrejtësi do të merrte fund dhe ti do të ktheheshe në shtëpi. Por pas 16 shtatorit, çdo gjë është më e rëndë.”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu ka treguar për vështirësitë e tjera të përballjes gjatë kësaj periudhe.
“E di, babë, që je plakur. E di që je lodhur. E di se sa e vështirë është ta kalosh çdo ditë të mbyllur, larg familjes, larg shtëpisë, larg njerëzve që të duan. E di se sa shumë të kanë munguar vitet që askush nuk mund të t’i kthejë më. Dhe kjo është ajo që më dhemb më së shumti: vitet që po kalojnë, koha që nuk kthehet dhe ditët që po të ikin atje, larg nesh, në një kohë të jetës kur ti e ke merituar më shumë se kurrë dashurinë e familjes. Ti e ke merituar, babë, që pleqërinë ta kaloje pranë mamit, në shtëpinë, mes fëmijëve e njerëzve të tu. E ke merituar t’i shijosh ditët pa brenga, ta pish kafenë në qetësi. E ke merituar të plakesh i rrethuar nga dashuria jonë, jo pas mureve që të ndajnë nga gjithçka që ke dashur e ndërtuar gjatë jetës.”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka treguar për dhimbjen që ndien për shkak të jetesës larg babait të tij.
“Dhe besomë, babë, nuk ka dhimbje më të madhe sesa ta dish se njeriu yt po plaket larg teje, se ditët po i kalojnë pa të drejtën për të qenë pranë familjes së vet dhe se ti nuk mund t’i kthesh asnjë nga ato ditë. Do të doja të mund ta merrja sadopak nga kjo barrë mbi vete, të t’i ktheja vitet e humbura e të ta lehtësoja dhimbjen, por e vetmja gjë që mund të bëj është të të dua, të të pres dhe të mos e humb shpresën. Çka me bo, babë… Nganjëherë jeta është aq e padrejtë, sa të detyron të bëhesh i fortë edhe atëherë kur përbrenda je copë-copë. Të detyron ta mbash kokën lart, edhe kur zemra të kërkon të ulesh e të qash. E ne do ta mbajmë kokën lart, sepse ti na ke mësuar të mos dorëzohemi, të mos e humbim dinjitetin dhe të mos e harrojmë kurrë të vërtetën tonë.”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka thënë se shtëpia nuk është e njëjtë pa praninë e babait të tij dhe se asnjëherë nuk do të mësohen me mungesën e tij.
“Por dua ta dish një gjë, babë: asnjë ditë larg teje nuk do të na bëjë të mësohemi me mungesën tënde. Shtëpia nuk është e njëjtë pa ty. Ditët nuk kanë të njëjtën shije dhe as gëzimet nuk janë të plota, sepse gjithmonë na mungon diçka, na mungon ti. E në çdo ditë që kalon, bashkë me shpresën për kthimin tënd, rritet edhe malli për një përqafim që po e presim prej shumë kohësh.”, ka thënë Krasniqi.
Duke shkruar për 6-vjetorin e arrestimit, ai ka thënë se e gjithë kjo periudhë është shoqëruar me dhimbje, pritje e mall.
“Sot bëhen gjashtë vjet, babë. Gjashtë vjet pritje, mall, dhimbje e lutje. Gjashtë vjet që na kanë mësuar sa shumë mund të durojë një familje kur zemrën e ka larg. E megjithatë, ne ende të presim. Ende shpresojmë. Ende besojmë se do të vijë dita kur kjo pritje do të marrë fund dhe ti do të kthehesh aty ku e ke vendin: në shtëpinë tënde, pranë mamit, pranë nesh. Nuk e di sa gjatë do të na duhet të presim, babë, por e di se asnjë padrejtësi nuk mund ta shuajë dashurinë tonë për ty dhe asnjë mur nuk mund të na ndajë shpirtërisht. Deri atëherë, mbaje kokën lart, babë. Ashtu siç e kemi mbajtur ne, edhe kur na është dukur se nuk kemi pasur më forcë. Ti nuk je vetëm në këtë rrugë, sepse në çdo hap tëndin janë zemrat tona, lutjet tona dhe malli ynë. U bëfshin këto gjashtë vjet të fundit larg nesh, babë. Ne ende po presim ditën kur do të të përqafojmë sërish, jo për të të përshëndetur e për t’u ndarë, por për të mos të të lëshuar më nga krahët tanë. Të duam pafund, babë.”, përfundon shkrimi i gjatë i tij.























