Lajme

Shenoll Muharremi paralajmëron PDK-në: Nëse voton një president të Kurtit, tradhton Thaçin me shokë dhe krejt Kosovën

Autori: Gazeta inFokus 12:10 | 05 October 2026

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar ndaj diskutimeve se Partia Demokratike e Kosovës mund të mundësojë zgjedhjen e një presidenti të propozuar nga Albin Kurti apo Lëvizja Vetëvendosje.

Muharremi ka thënë se PDK-ja duhet “me i thirrë mendjes dhe arsyes”, duke kundërshtuar mundësinë që kjo parti të japë votat për një kandidat të Kurtit për president.

“Po lexoj shumë postime e fjalë që PDK mundet me mundësu votimin e një presidenti të Albin Kurtit/LVV-së. A janë çmend këta njerëz a çka kanë?”, ka shkruar Muharremi.

-Advertisement-

Ai ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se ai nuk ka luftuar që Kosova të bëhet autokraci, por për liri, demokraci dhe pluralizëm.

“Hashim Thaçi nuk ka luftu me e bë Kosovën autokraci e me kriju diktatorë të rinj. Ai ka luftu për liri, demokraci dhe pluralizëm. Kështu që, PDK e ka krejt gabim dhe është jashtë çdo arsyeje nëse mundëson një gjë të tillë”, ka deklaruar ai.

Muharremi ka kërkuar që çështja e Ligjit për Dhomat e Specializuara të mos ndërlidhet me zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, votimi i këtij ligji nuk duhet të trajtohet si pjesë e ndonjë pazari politik.

“Nuk duhet me e përzi Ligjin për Dhomat e Specializuara me votimin e presidentit. Ligji nuk është pazar, por obligim shtetëror dhe patriotik. LVV e ka obligim kombëtar me e votu ligjin, ndërsa PDK nuk e ka obligim me e votu një president të Kurtit”, ka shkruar Muharremi.

Ai ka shtuar se PDK-ja mund të kontribuojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit, por, sipas tij, kandidati nuk duhet të jetë person i afërt me Kurtin apo LVV-në.

“Nëse PDK e bën këtë, e voton një president të Kurtit dhe mundëson Kosova me u bë autokraci e mini diktaturë, jo vetëm që do ta tradhtojë elektoratin e vet, premtimet dhe parimet e veta, por do ta tradhtojë edhe Hashim Thaçin me shokë dhe krejt Kosovën”, ka përfunduar Muharremi.

 

Udhëto Oslo – Prishtinë çdo javë me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy