Sport

Sarri gjen gabimet dhe futet menjëherë në krizë me Ronaldon

Autori: Gazeta inFokus 10:56 | 22 July 2019

Me Mauricio Sarrin Juventusit nuk do t’i mungojë asgjë sivjet dhe ka mjaftuar miqësorja e parë zyrtare për të treguar gjëra cilësore, por edhe anë të rrezikshme që fsheh trajneri i ri i bardhezinjve. Vetë 60-vjeçari, edhe pse nuk ka kërkuar që ta bëjë dramë, e ka nisur me kritika aventurën zyrtare, duke i bërë një apel të qartë skuadrës dhe lojtarëve të tij.

“Ishte një ndeshje e vështirë, përballë një grupi lojtarësh që luajnë prej vitesh bashkë, por ishte e komplikuar edhe për faktin e diferencës së kohës në përgatitje, që na ndan neve nga Totenhemi, – bën hyrjen e tij Sarri. – Në pjesën e parë Totenhemi ishte shumë më eksploziv, por kjo edhe falë nesh. Nëse duam që të luajmë futbollin tonë, duhet të mbrojmë shumë metra përpara. Duhet të nisim të mbrojmë, të bëjmë presing që në zonën rivale dhe të mbajmë mbrojtjen tonë sa më lart, në mënyrë që të shtrëngojmë hapësirën ku mund të luajë kundërshtari. Ndërsa ne, në 30 minutat e para, thjesht e pritëm Totenhemin dhe pësuam golin e parë. Idetë e mia janë të qarta dhe të lehta për t’u kuptuar. Në të njëjtën kohë, humbëm edhe shumë topa në dalje. Në pjesën e dytë shkoi më mirë për ne, lëvizëm topin me shpejtësi dhe bëmë edhe një presing mbytës për gati 20 minuta me radhë. E xhiruam topin siç desha unë dhe rezultati ishte shënimi i dy golave. Debutimi i De Ligtit? Jam këtu për të folur për skuadrën dhe ajo që dua të them është se pas avantazhit u treguam shumë naivë. Gjithsesi, dua të mendoj se besoj që ato humbje të shpeshta topash, nga të cilët erdhën edhe dy golat e Totenhemit, do të jenë pasojë e përgatitjes fizike, e cila nuk është ende në nivelet e duhura, pasi kemi vetëm 10 ditë stërvitje”.

Pas 10 ditësh, nuk duhet ekzagjeruar duke kërkuar “dorën” e Sarrit në lojën e Juves, ndonëse disa sinjale u kuptuan qartë se çfarë ka ndryshuar kundrejt metodave të Alegrit. Bardhezinjtë provuan që të luanin me çdo kusht topin, duke e nisur nga mbrojtja, duke bërë madje edhe mjaft palexho në zonën e Bufonit apo të Sheznit. Vetë Sarri kishte parashikuar gabime ndaj Totenhemit dhe gabime pati. Sepse, në momentet që e priti Totenhemin pësoi golat. Sinjale pozitive pati gjithashtu. Goli i Higuainit nisi nga katër pasime të shpejta mes Pjaniçit, Bernardeskit dhe Higuainit, në 2 metra katrorë fushë, ku ndodheshin edhe dy mbrojtës rivalë. Por, në të njëjtën kohë, edhe në aksionin që solli golin e Ronaldos, mjaftuan 10 pasime brenda 20 sekondash në gjysmëfushën angleze, për të çoroditur rivalët. Të gjithë këto janë indicie se mekanizmat e rinj kanë nisur që të integrohen, por sigurisht që do të duhet ende një punë e gjatë, duke parë pesë vitet dhe metodën pragmatiste që kërkonte ish-trajneri Masimiliano Alegri.

-Advertisement-

Nëse të rinjtë si De Ligt, Demiral apo edhe Rabio u panë në vështirësi, duke pasur fare pak stërvitje në këmbë, garancia e Juves në ndeshjen e djeshme ishte forma fantastike e Ronaldos. Madje, portugezi ishte aq aktiv, sa në minutën e 63-të, kur u thërrit nga Mauricio Sarri në stol, në vend të Pereiras, kërkoi të sqaronte diçka me trajnerin e tij. CR7 i kërkoi arsyen e zëvendësimit, nëse ishte e nevojshme dhe Sarri thjesht ngriti supet, duke lejuar të kuptohej se kaq e kishte menduar ai që Ronaldo të luante dhe madje i tregoi me dorë edhe pankinën. Luzitani u largua duke tundur kokën dhe duke mërmëritur: “Mirë mirë”, ndonëse në stol u pa shumë i qeshur, pas këtij debati të parë publik me trajnerin e ri.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
EURO 2024 dhe Serie A, dy ekskluzivitetet absolute të Artmotion këtë vit

Të tjera