Fokus

Sa xhami ka Kosova?

Autori: Agnesa Citaku 18:55 | 14 June 2018

Ekzistojnë afër 800 të tilla në tërë vendin.

E numri më i madh i xhamive është në qytetin që njihet më së shumti për bashkëjetesën ndërfetare. Në komunën e Prizrenit janë të ndërtuara 35 objekte ku myslimanët i kryejnë ritet fetare.

Kështu ka bërë të ditur për GazetënFokus zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu.
Ndryshe nga Prizreni, Klina është komuna me numrin më të vogël të xhamive. Qytetarët e saj kanë vetëm një xhami.

-Advertisement-

“Numrat e xhamive nëpër qytete variojnë nga 1 xhami (në komunën e Klinës) deri në 35 xhami (në komunën e Prizrenit). Qytetet tjera janë në mes të 1 dhe 35.”, ka thënë Sadriu për GazetënFokus.

Edhe pse shumica e tyre janë ndërtuar pas luftës, në Kosovë ka edhe xhami afro 800 vjeçare. E tillë është edhe ajo në fshatin Mlikë të komunës së Dragashit.

E ndërtuar në vitin 1268 ajo konsiderohet si xhamia më e vjetër tjetër në vend.

“Xhamia më e vjetër në Kosovë gjendet në fshatin Mlikë, komuna e Dragashit e ndërtuar në vitin 1268”, ka thënë Sadriu.

E si të tillë Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka futur në listën e trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

Veç qytetarëve kosovarë kontribut financiar në ndërtimin e xhamive në Kosovë dhanë edhe shtete e Perëndimit dhe Lindjes

“Shumica e xhamive të ndërtuara pas luftës së fundit në Kosovë, janë të ndërtuara nga qytetarët e Kosovës, derisa një përqindje e vogël e tyre janë ndërtuar me donacione të ndryshme nga Lindja dhe Perëndimi, me theks të veçantë duhet të përmendim Qeverinë Italiane për meremetimin dhe restaurimin e xhamive të vjetra në qytetin e Pejës, si dhe komunitetin hebraik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për restaurimin dhe konzervimin e xhamisë së fshatit Shqiponjë (ish Jabllanicë) në Gjakovë”, ka shtuar zëdhënësi i BIK për GazetënFokus.

Stagnon ndërtimi i Xhamisë së madhe

Edhe këtë festë të Bajramit banorët e Prishtinës do ta presin pa xhaminë e madhe.

GazetaFokus ditë më par kishte raportuar për stagnimin e procesit të ndërtimit të saj edhe pse ka disa vite për të cilën diskutohet vazhdimisht.

E “fajin: për këtë sipas nënkryetarit të komunës së Prishtinës, Selim Pacollit e ka Bashkësia Islame e Kosovës. Sipas tij BIK nuk ka aplikuar ende për leje.

“BIK i ka marrë kushtet ndërtimore, si dhe kërkesën për harmonizim urban. Tani mbetet punë e bashkësisë të aplikojnë për leje, por ata nuk kanë aplikuar ende”, ka thënë Pacolli.

Edhe Esat Ramadani nga BIK pati thënë për GazetënFokus se ende nuk e kanë dorëzuar lejen.

Lexo edhe: Çka ndodhi me Xhaminë Qendrore të Prishtinës?

“Njëherë për njëherë nuk ka asgjë lidhur me fillimin e ndërtimeve. Projektin kryesor për të aplikuar për leje ende nuk është dorëzuar. Nuk kam as informata lidhur me ndonjë afat kohor se kur do të fillojnë ndërtimet e xhamisë”, ka thënë Ramadani./GazetaFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
FREE FRIDAY ME ZBRITJE DERI 70%
-Advertisement-

Të tjera