Lajme

Rritja e pagave për 6.80 centë e ajo e pagës minimale në 350 euro bruto, opozita akuzon Qeverinë se po merr vendime për vota

Autori: Gazeta inFokus 18:15 | 28 August 2024

Nga 1 tetori, paga minimale në Kosovë do të jetë 350 euro. Rritja vjen pas më shumë se 13 vjetësh. Më hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagën minimale, është hequr shkalla tatimore për pagën deri në 250 euro, rrjedhimisht pagat janë rritur për 6 euro e 80 centë. Këto vendime sipas opozitës po bëhen për vota, tash me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen më 9 shkurt.

Qeveria ka vendosur nivel të ri të pagës minimale, disa ditë pas hyrjes në fuqi të Ligjit për pagën minimale, që parashihte pagë bruto prej 264 euro për të gjithë të punësuarit.

Me vendimin që u miratua sot, gati në fund të mandatit qeverisës, ora e rregullt e punës do të paguhet 2 euro e që në muaj kjo përkthehet në 350 euro bruto. Pavarësisht kësaj rritje, Kosova mbetet vendi me pagën më të ulët minimale në Evropë.

-Advertisement-

Kryeministri Albin Kurti tha se ky vendim i jep fund diskriminimit të të rinjve, që me pagën minimale të vendosur në vitin 2011, paguheshin 40 euro më pak se punëtorët mbi moshën 35-vjeçare.

Sot, pas 13 vitesh, përfundimisht po e ndryshojmë këtë duke e unifikuar pagën minimale për të gjitha grupmoshat pa diskriminim”, deklaroi Kurti.

Nga ky vendim, Kurti tha se preken mbi 150 mijë të punësuar. Fajin për vonesën në rritjen e pagës minimale, ai e drejtoi tek opozita e Gjykata Kushtetuese.

“…nga ai propozim, Ligji u bllokua në Kuvend për më shumë se një vit nga opozita. Pastaj u dërgua në Gjykatë Kushtetuese ku u vonua për 11 muaj. Marrë parasysh këtë distancë kohore, edhe niveli prej 264 euro duket i vjetëruar dhe i pamjaftueshëm. Prandaj sot do të miratojmë një nivel tjetër, që reflekton ndryshimet e këtyre dy viteve dhe realitetin në shoqëri.

Zbatimi i këtij vendimi do të bëhet nga muaji tetor. Arsyet për këtë afat, i shpjegoi Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili shtoi se bashkë me Administratën Tatimore dhe Inspektoratin e Punës do të sigurohen që vendimi po zbatohet.

“Arsyeja për këtë afat shtesë, pra më shumë se një muaj, është që kompanitë, bizneset e ndërmarrjet të kenë mundësinë që të përshtaten në kohë dhe të përshtasin edhe listat e pagave por edhe shkallët e reja të pagave”, deklaroi Murati.

Nga Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kjo është cilësuar si poshtërim.

Haradinaj ka thënë se vendimi është marrë për qëllime elektorale.

“Në kuadër të një fushate për zgjedhje, Qeveria e VV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro. Premtimi për këtë pagë minimale është poshtërim. Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro…”, ka shkruar Haradinaj.

Njëjtë ka vlerësuar edhe Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

“Këtë vendim që e ka marr mendojmë që më tepër është vendim parazgjedhor sepse këtë ka mundur që ta merr qysh në fillim të mandatit. Është pagë bruto dhe kur ja heqim obligimet tjera prapë kjo pagë jetë diku rreth 300 euro ose nën 300”, ka deklaruar Azemi.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për pagën minimale, janë ndryshuar edhe shkallët tatimore, ku është rritur vlera e pagës që lirohet nga tatimi. Nga 80 sa ishte, tash është në 250 euro. Për pagat prej 251 euro deri në 450 euro, tatimi në pagë do të jetë 8 për qind, ndërsa për pagat mbi 450 euro do të jetë 10 për qind.

Rrjedhimisht, me heqjen e kësaj shkalla tatimore, pagat për të punësuarit janë rritur për 6 euro e 80 centë.

Për pagat prej 251 euro deri në 450 euro, tatimi në pagë do të jetë 8 për qind, ndërsa për pagat mbi 450 euro do të jetë 10 për qind.

“Me fjalë tjera, të gjithë të punësuarit, qoftë në sektorin publik apo privat, do të paguajnë më pak tatim për shkak se rritet vlera e pagës që lirohet nga tatimi”, ka sqaruar dje Ministri Murati.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, reagoi duke thënë se për katër vjet qeverisje, kjo qeveri i rriti pagat vetëm për 6 euro e 80 centë.

“Krejt politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, i cili hyn në fuqi nga shtatori. Ja sa “të thella” janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës!!!”, shkroi Hoti.

Zyrtari tjetër i LDK’së, Visar Azemi tha se “krekosja” e pagave për 6 euro e 80 centë, është tallja më brutale me qytetarët.

“Qeveria e Kosovës po krekoset me rritje të pagave për 6 euro e 80 centë. Kjo është tallja më brutale me qytetarin, i cili do të ua tregojë vendin me 9 shkurt 2025”, tha Azemi.

Krahasuar me vendet evropiane, Kosova ka pagën më të ulët, derisa Luksemburgu më të lartën, apo 2 mijë e 571 euro.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Studio MASTER në UNI, Merr Diplomë dhe lejeqëndrim t’përhershëm në GJERMANI
-Advertisement-

Të tjera