Lajme

“Rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm”, Stano reagon për aksionin e policisë në Veri

Autori: Gazeta inFokus 09:09 | 31 August 2024

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka reaguar për aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës ku mbylli pesë objekte të komunave ilegale.

Stano, duke shpërndarë reagimin e djeshëm të Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se hapat e fundit nga Kosova rrezikojnë përshkallëzim të mëtejshëm.

“Deklarata për hapat e fundit të njëanshëm dhe të pakoordinuar në veri nga autoritetet e Prishtinës, duke rrezikuar përshkallëzim të mëtejshëm”, shkroi Stano në X krahas deklaratës.

-Advertisement-

Kosova aktualisht është nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian për tensionet e vitit të kaluar në veri të vendit. Derisa pritej që BE të heqë masat pas qetësimit të situatës në veri, paralajmërimet e Qeverisë së Kosovës për hapjen e Urës së Ibrit erdhën bashkë me paralajmërimet e BE-së se masat edhe mund të rriten.

“Masat janë ende aty, dhe ato janë progresive, mund të zvogëlohen, mund të rriten, varësisht na zhvillimi i situatës”, kishte thënë Stano më herët këtë muaj.

Reagimi i Zyrës së BE-së në Kosovë:

BE-ja është e zhgënjyer për mungesën e vazhdueshme të koordinimit me ofruesit e sigurisë së Kosovës dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës kundër zyrave të mbështetura nga Serbia në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, i zhvilluar me udhëzime të Qeverisë së Kosovës, rrezikon situatën e brishtë të sigurisë në terren. EULEX-i u vendos menjëherë për të monitoruar zhvillimin e këtij operacioni, i cili nuk ishte i koordinuar me BE-në dhe partnerët ndërkombëtarë.

BE dëshiron të përsërisë se Kosova është zotuar për depërshkallëzim. BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës.

BE-ja dëshiron të përsërisë se operacioni aktual i policisë kundër zyrave të mbështetura nga Serbia mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të një situate tashmë të paqëndrueshme.

Zyrat e mbështetura nga Serbia janë paraparë të adresohen dhe zgjidhen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Ne presim që Kosova dhe Serbia të adresojnë dhe zgjidhin çështjet e hapura mes tyre në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNICEF-i global boton artikull për rezultatet e partneritetit me Devolli Corporation: U fuqizuan gratë, përfituan familjet
-Advertisement-

Të tjera