Lajme

Rreth 70 për qind e qytetarëve i plotësojnë kriteret për të marrë ndihmë juridike falas nga shteti

Autori: Gazeta inFokus 20:37 | 29 October 2022

Ndihma juridike është ndër aspektet më të rëndësishme të qasjes në drejtësi. Qytetarët e profesioneve të ndryshme, në baza ditore ballafaqohen me raste të ndryshme penale, civile dhe administrative. Në mungesë të njohurive të tyre juridike, të njëjtit jo në secilin rast janë në gjendje që në mënyrë profesionale të mbrojnë të drejtat e tyre.

Ndihma profesionale në këto raste, është e domosdoshme. Jo çdoherë, qytetarët kanë mundësi të paguajnë avokat për të mbrojtur të drejtat e tyre. Për t’u ofruar ndihme juridike falas kësaj kategorie të qytetarëve, në Kosovë funksionon Agjencia për Ndihmë Juridike Falas. Deri më tani kjo Agjenci ka funksionuar si e pavarur dhe është mbikëqyrë nga Këshilli për Ndihmë Juridike Falas.

Më 21 shtator 2022 ka hyrë në fuqi Ligji Nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura.

-Advertisement-

Ky ligj ka shuar Këshillin për Ndihmë Juridike Falas, me ç’rast kompetencat e këshillit i kanë kaluar Ministrisë së Drejtësisë. Kështu, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas tanimë është bërë pjesë e Ministrisë së Drejtësisë.

Ajo çfarë është e diskutueshme, është ruajtja e pavarësisë së Agjencisë nga një organ që është politik.

Përzgjedhja e drejtorit ekzekutiv, financimi, mbikëqyrja e agjencisë janë disa nga aspektet që e bëjnë shumë problematike këtë ligj, madje sipas njohëseve edhe jo kushtetues.

Përveç kësaj, në Ministrinë e Drejtësisë, bën pjesë edhe Avokatura Shtetërore. Për dallim nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas që përfaqëson qytetarët në rastet e tyre kundër shtetit apo rastet e tjera, Avokatura Shtetërore përfaqëson institucionet publike. Të dy këto institucione, tanimë i raportojnë Ministrit të Drejtësisë.

Anita Kalanderi, Drejtoreshë e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, shpjegon se si ka funksionuar deri me tani kjo agjenci ku tregon edhe kriteret që një qytetar të marrë ndihmë juridike.

“Ndihma juridike falas është kategori kushtetuese, përfituesit e ndihmës juridike falas janë të gjitha qytetarët, të cilët për shkak të mungesës materiale i është mohuar qasja e barabartë në drejtësi. Për të përfituar ndihmën juridike falas ligji i parasheh tri kritere: është kriteri juridik, kriteri financiar dhe kriteri kualifikues”, ka thënë Kalanderi në emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Kaladeri ka thënë se kryesisht përfituesit e ndihmës juridike falas janë të gjithë ata qytetarë që janë përfitues edhe të skemave sociale dhe se sipas saj rreth 70% të qytetarëve të Republikës së Kosovës i plotësojnë kriteret për të përfituar ndihmën juridike falas.

Ajo ka shtuar se mesatarisht ndihma juridike iu ofrohet rreth 6 mijë rasteve, në 31 komuna të Republikës së Kosovës të fokusuara më shumë në lëmine civile dhe në lëmin administrative.

“Agjencia për Ndihmë Juridike Falas ka qenë institucion i pavarur që për punën e vet i është përgjigjur Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ndërsa me ndryshimet në legjislacionin e ri tani jemi agjenci ekzekutive që për punë i përgjigjem Ministrisë së Drejtësisë”, ka shtuar ajo.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Për Festën e Bajramit, ZBRITJE deri n’KUPË t’QIELLIT!

Të tjera