Fokus

Reagojnë nga komuna e Obiliqit pasi drejtori i QKMF-së kërcënoi gazetaren e Infokusit: “Nuk është hera e parë që shfaqet i dhunshëm.. Do të marrim masa”

Autori: Gazeta inFokus 20:12 | 26 June 2024

Të martën gazetarja e Infokusit, Hateme Smajli u fye e u kërcënua nga drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, Haki Jashari pasi Smajli iu përgjigj thirrjes së qytetarëve të cilët u ankuan se objekti i QKMF-së kati i parë ku ata merrnin shërbime ishte mykur e kundërmonte.

Në lidhje me këtë Infokusi ka kontaktuar sërish me komunën e Obiliqit duke qenë se drejtoresha e Shëndetësisë të martën tha se ishte në pushim dhe nuk pranoi të deklarohej.

Nënkryetari i kësaj komune, Ibush Mjekiqi pasi e konsideroi normale gjendjen me mykun duke u arsyetuar me renovimet në katin e dytë tha se do të vlerësojnë situatën dhe do të marrin masat e nevojshme ndaj drejtorit të QKMF-së për sjelljen e tij ndaj gazetares.

-Advertisement-

“Po na jemi bre aty tu bo renovime jemi në rindërtim, tash ka edhe ka pak probleme por sido që të jetë shërbimin e kemi në nivel. Unë tash nuk po e di çka ka ndodhë por sido që të jetë aty është duke u ndërtuar kati i dytë dhe për shkak të shirave bohen ato lloj mykash që po e quani ju. Jo jo rezistenca e drejtorit s’bon me të lon me dyshu…. Eh po tash unë nuk e di seriozisht nuk kam informacione, nuk e pasna parë publikimin por sido që të jetë tash nuk e di, do të ja lëmë kohës. Çka mundemi me të than është që natyrisht që na jemi aty me i zbatu ligjet dhe rregullat dhe s’ka tjetër këtu. Domethënë kushdo që sillet jashtë këtyre normave e ka ndëshkimin e merituar ose lëvdimin e merituar varësisht nëse kryen punë të mirë” ka thënë Mjekiqi për Infokus.

Ndërsa asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë komunë, Sami Ahmeti ka thënë se kjo nuk është hera e parë që drejtori Jashari ka një sjellje të tillë.

“Drejtori i ri i spitalit në Obiliq punon me kokë të Xhafer Gashit. Ai e ka këtë sjellje edhe me qytetarë sepse shumë herë na ka rastis për ndonjë cështje që e kanë ngrit qytetarët është bërë i dhunshëm dhe i ka trajtuar kështu. Nëse qytetarët shkojnë pas orës 23:00 nuk asnjë barnatore për me marr shërbim, por iu bie me shku në Prishtinë e në pjesë të tjera ndërkohë kur ata kërkojnë të drejta të veta, eskalon, domethënë kjo që e ka bërë me ju e që bën edhe me qytetarë jo që e dënoj si vepër se është më e pakta që mundemi me e ba, por është fytyra e vërtet e tyre”, ka thënë ai.

Sipas anëtarit të Kuvendit Komunal në Obiliq ai e kishte ngritur këtë cështje dhe sot duhej të diskutohej në seancën e Kuvendit mirëpo drejtori ishte larguar në momentin kur erdhi koha të diskutohej për mykun në objektin ku ai është drejtor.

“Unë e kam ngrit si çështje.. në mbledhjen e KPF-së që është mbledhja e komitetit për politikë dhe financa, për shkak të informacioneve pra si rrjedhojë e informacioneve që na dhanë qytetarët por edhe na e frekuentojmë nganjëherë atë institucion, na u tha që pothuajse shumica e atyre dhomëzave të tyre ku trajtohen qoftë për infeksione qoftë për çështje tjera janë myk në atë nivel sa që vjen erë e madhe dhe është rrezik edhe për qytetarë dhe këtë çështje e ngritëm në ndërkohë që sot e kemi pasë seancës e Kuvendit Komunal edhe në seancë nuk na janë përgjigj për këtë temë. Sepse kur erdh radha tek pyetjet drejtori u tërhoq nga seanca. Kështu që na e konfirmojmë që është ky problem se pas renovimeve që janë duke u bërë po depërton uji e shumë gjana të tjera’, ka shtuar Ahmeti.

Asamblisti i LVV-së, përfundon se jo transparenca në komunë dhe në QKMF është jo normale duke thënë se ai do të vizitojë QKMF-në për të marrë pamje brenda.

“Ne e thamë që fakti që po ndërton diçka nuk është në rregull që ku shkojnë njerëzit për tu shëruar si rrjedhojë e qetynë ndotjeve që janë mu smu aty. Nuk patëm ndonjë përgjigje mirëpo si përfundim mund të them që niveli i përgjegjësisë së këtyre është përtej jo normales dhe ne vlerësojmë se nuk është në rregull, mirëpo transparencë nuk ka sikur që ju e paskit vërtetu vet. Këto ditë do të shkoj edhe vetë në QKMF por ne gjithsesi do të kërkojmë përsëri raport në lidhje me këtë e aq më pak kjo qasja që po bëhet ndaj mediave për mendimin tim nuk është në rregull. Mirëpo do të vazhdojmë për gjithçka që marrim informacion ti trajtojmë me seriozitetin ma të madh”, deklaron ai.

E ndaj drejtorit të QKMF-së për kërcënimin që i bëri ekipit të Infokusit ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës të cilët i kanë bërë thirrje institucioneve të marrin masa ndaj Haki Jasharit.

AGK-ja reagon për kërcënịmin që iu bë gazetares së Infokus, Hateme Smajli, nga drejtori i QKMF-së në Obiliq

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ
-Advertisement-

Të tjera