Sport

Ramadani: Shorti i rëndë, e mira që luajmë vendas

Autori: Gazeta inFokus 17:17 | 12 January 2021

Prishtina po vazhdon me fazën e përgatitjeve për stinorin pranveror. Skuadra po punon në mënyrë të kombinuar, në fushë të mbyllur, në atë hapur dhe ne seancat e fitnesit.

Prishtinasit pritet që më 19 janar të udhëtojnë në Antalya të Turqisë dhe atje do të zhvillojnë edhe ndeshjen e Superkupës me Dritën, pasi që edhe klubi gjilanas do të jetë atje për fazën përgatitore para fillimit të stinorit pranveror.

Ndërkohë dje është mësuar edhe shorti i 1/8 së Kupës ku Prishtina do ta presë Dritën dhe për të gjitha këto zhvillime ka folur kryetrajneri i kryeqytetasve, Zekirija Ramadani.

-Advertisement-

Shorti i Kupës

“Shorti është i rëndë, por e mira është që luajmë vendas. Drita është kampion aktual, është kampion vjeshtor, kundërshtar i fortë dhe i respektuar, pra short i rëndë, por e mira është që luajmë si vendas, shumë më mirë se po të luanim në Gjilan”.

Superkupa dhe Kupa: Drita

“Janë dy gara të ndryshme dhe patjetër që fokusi kryesor në përballje me Dritën do të jetë për Kupë. Superkupa është ndeshje prestigji dhe mesiguri do të jetë ndeshja jonë e parë në fazën përgatitore. Normalisht do të provojmë atë trofe, por përqendrimi maksimal i yni është ndeshja e Kupës më 10 shkurt, sepse kuptohet është garë që na sjell Evropën dhe aty do të jetë përkushtimi maksimal i yni”.

Ekipi pa lëndime

“Ekipi është mirë, nuk kemi asnjë lëndim më të vogël dhe futbollistët janë duke e dhënë maksimumin në këto kushte që i kemi dhe në këto rrethana po provojmë të përgatisim ekipin sa më mirë që është e mundshme. Futbollistë janë duke treguar karakter në çdo seancë stërvitore, pa marrë parasysh se fusha është e mbuluar me borë dhe jam i bindur që do të jemi shumë më mirë se në stinorin vjeshtor”.

Vajtje-ardhjet, me gjasë kanë përfunduar

“Më nuk do të lirojmë futbollistë dhe me gjasë nuk do të ketë as ardhje tjetër. Me gjithë disa kontakte, ne kemi thënë që çdo ardhje e re duhet të jetë të paktën i barabartë me cilësitë që posedojmë, ose më i mirë. Nëse nuk kanë cilësi, atëherë ne më nuk kemi nevojë për futbollist vetëm sa për numër, thjesht na duhet vetëm cilësia”.

 

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera