Lajme

Quni: Nuk mund të punojmë me PDK-në

Autori: Gazeta inFokus 09:33 | 19 June 2017

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të bashkëpunojë më me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që kjo e fundit vendosi ta lërë në gjysmë qeverisjen, pavarësisht marrëveshjes që këto dy parti kishin mes vete. Kështu ka deklaruar deputeti i LDK-së, Anton Quni, i cili në një intervistë për gazetën “Zëri” ka vlerësuar se rezultati i LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit ka ardhur si pasojë e koalicionit me PDK-në.

Por megjithatë, pavarësisht rezultatit që LDK-ja mori në zgjedhje, Quni ka konsideruar se ky subjekt nuk ka shënuar rënie, porse ka qëndruar aty ku ka qenë gjithmonë.

Ndërkaq sa i përket një koalicioni të mundshëm me “Vetëvendosjen” ai nuk ka dashur të japë detaje, porse ka theksuar se LDK-ja ka parimet e veta, të cilat do t’i përfillë në rast të një koalicioni të mundshëm me këtë subjekt.

-Advertisement-

Kurse, në rast se asnjëra palë nuk do të arrijë ta sjellë zgjidhjen dhe ta formojë Qeverinë, sipas Qunit, zgjedhjet do të jenë të pashmangshme. Por megjithëkëtë deputeti i LDK-së ka konsideruar se nëse një gjë e tillë ndodh do të jetë mjaft e mundimshme dhe me kosto të lartë.

Rezultati i LDK-së, si pasojë e koalicionit me PDK-në

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, duke folur për koalicionet paszgjedhore, ka thënë se LDK-ja nuk mund të bashkëpunojë me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që kjo e fundit, siç Quni është shprehur, vendosi ndryshe pavarësisht marrëveshjes që ekzistonte. “Mendoj që nuk mund të shkojmë bashkë me ata që kishim marrëveshje të rrugëtojmë bashkë dhe një mëngjes vendosën ndryshe”, ka deklaruar ai. Por, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, ku LDK-ja si partia e dytë që ishte u rëndit e treta, Quni ka konsideruar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka pësuar rënie, por ka ruajtur votat që kishte.

“LDK-ja nuk ka shënuar rënie, por ka ruajtur pak a shumë votën që ka pasur në zgjedhjet e fundit. Natyrisht që prisnim rezultate shumë më të mira. Sidoqoftë, bazuar në numrin e deputetëve në Parlament, ne mbesim faktor i rëndësishëm politik”, ka shtuar ai.

Megjithatë Quni ka thënë se rezultati i LDK-së më 11 qershor erdhi për shkak të koalicionit që ky subjekt pati me Partinë Demokratike të Kosovës. Ai pos kësaj fajëson edhe kohën e shkurtër të organizimit të zgjedhjeve me ç’rast thotë se nuk pati kohë që të prekej i tërë elektorati.

“E mendoj se ishte një zhgënjim për shkak të koalicionit LDK-PDK. LDK-ja është e përtërirë dhe e rimëkëmbur edhe sot. Zgjedhjet ndodhën papritur dhe në një afat të shkurtër. Nuk mjaftonte koha ta preknin elektoratin më për së afërmi, gjë që do t’i nxirrte tek kutitë e votimeve në numër më të madh që do të na sillte një rezultat më të mirë”, është shprehur ai.

Me gjithë këto ai është shprehur optimist se pas rezultateve zyrtare do të analizohet çdo gjë dhe në LDK do të ndërmerren masat dhe hapat e nevojshëm. Ndërkaq, duke folur për deklaratat e PAN-it për formim të Qeverisë, Quni ka thënë se nuk e di se çka kanë në mendje përfaqësuesit e këtij koalicioni kur flasin për një gjë të tillë. “Të presim se si do të rrjedhin proceset më tutje. Nuk e di se si dhe çfarë kanë në mendje kur shprehen për lehtësinë e formimit të Qeverisë. Është mirë t’i pyesni ata”, ka shtuar deputeti i LDK-së.

Zgjedhjet, të pashmangshme nëse nuk gjendet një zgjidhje

Kurse nuk ka dashur të flasë për një koalicion të mundshëm paszgjedhor me “Vetëvendosjen” sado që për një gjë të tillë ka pasur deklarata të shumta ditëve të fundit nga të dyja palët.

“Nuk mund të them asgjë sepse në LDK janë organet ato që vendosin për vendime të rëndësisë së lartë”, ka potencuar ai. Pavarësisht kësaj Quni ka thënë se në rast bashkëpunimi me lëvizjen “Vetëvendosje” LDK-ja padyshim se do t’i ketë parimet e saja mbi të cilat do të lidhë marrëveshje.

“Në rast të marrëveshjeve për bashkëqeverisje normalisht janë finesat që përcaktojnë parimet në bazë të së cilave vihen kornizat e saj. LDK-ja është parti institucionaliste dhe mbi këtë parim punon dhe vepron në politikë tash e 27 vjet”, ka nënvizuar ai.

Kurse sa i përket postit të kryeministrit se kujt duhet t’i takojë në rast të bashkëpunimit me VV-në, Quni ka thënë se janë subjektet politike ato që do të vendosin për ata emra që mendojnë se e bën Qeverinë të punojë suksesshëm.

“Unë nuk mund të lëshohem në detaje, sepse nuk kemi asgjë konkrete, nuk kemi ende as rezultate zyrtare. Në rast të një vendimi për bashkëpunim janë subjektet politike ato që vendosin për kushte e emra që mendojnë se e bën një qeveri të punojë suksesshëm”, ka shtuar ai. E në rast se nuk do të gjendet një rrugë për formimin e Qeverisë nga asnjëra palë, sipas Qunit, zgjedhjet e sërishme do të jenë të pashmangshme, sado që një gjë e tillë do të ishte e mundimshme.

“Vendi sapo përmbylli ciklin zgjedhor. Do të ishte e mundimshme, me kosto të lartë dhe joserioze mbajtja e zgjedhjeve, që mendoj që do të prodhonin rezultat pak a shumë të përafërt. Por, gjithsesi zgjedhjet janë te pashmangshme nëse nuk gjenden rrugë të tjera për krijimin e Qeverise, e që unë besoj se janë të mundshme”, ka nënvizuar Quni.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…
-Advertisement-

Të tjera