Qeveria nuk ka dhënë ‘dritën e gjelbër’ për Asociacionin
Autori: Gazeta inFokus 17:28 | 12 March 2018
Fillimi i procedurave për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet në pritje të vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Ekipi për menaxhimin e draftimit të statutit për këtë Asociacionin, ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Zyrtarët në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal, thonë se ekipi i cili është formuar para dy vjetësh është duke pritur sinjale nga Qeveria e Kosovës për të vazhduar me punën.
Rozafa Ukimeraj-Çuni, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal tha për Radion Evropa e Lirë se në këtë ministri nuk kanë ndonjë informacion se si do të shkojnë punët rreth bisedimeve që janë paralajmëruar se do të zhvillohen nga 19 – 21 marsi në Bruksel, për Asociacionin.
“Ministria, sipas marrëveshjes së parë të Brukselit, ka pasur në përgjegjësi themelimin e grupit menaxhues për draftimin e statutit për Asociacionin. Aktualisht nuk kemi ndërmarrë ndonjë veprim konkret. Po presim një sinjal politik nga delegacioni i Kosovës që e përfaqëson Kosovën në bisedimet e Brukselit”, tha Ukimeraj-Çuni.
Pas formimit të delegacionit të ri për bisedimet teknike me Serbinë nga Qeveria Haradinaj, deri më tani, zyrtarët e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal nuk kanë qenë pjesë e bisedimeve. Në të kaluarën, kjo ministri kishte përfaqësuesit e saj në takimet e Brukselit, kur është biseduar për Asociacionin.
Përderisa Qeveria e Kosovës nuk ka një afat të qartë se kur do të nisë procesi i formimit të Asociacionit apo Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, zyrtarët e Bashkimit Evropian u kanë kërkuar institucioneve të Kosovës që pa vonesa ta themelojnë Asociacionin.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit ka thënë se dialogu në nivelin teknik, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të vazhdojë pas 10 ditësh.
Në anën tjetër, në Qeverinë e Kosovës, kanë deklaruar po ashtu se Asociacioni do të formohet në bazë të asaj që parasheh Kushtetuta e vendit, duke respektuar edhe të gjeturat e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se për çështjen e Asociacionit duhet të bisedohet sa me parë në Bruksel dhe sipas tij, zvarritja e këtij procesi nuk është zgjidhje.
“Pra, në Bruksel do të diskutohet dhe unë besoj se duhet të gjendet një zgjidhje sepse zvarritja e kësaj çështjeje nuk zgjidh probleme”, tha Gecaj.
Sipas tij, çështja e Asociacionit duhet të përmbyllet edhe për faktin se dialogu, tashmë po pretendohet se hyn në fazën përfundimtare.
“Ne e kemi marrëveshjen e viti 2013, e kemi marrëveshjen e viti 2015, e kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kështu që Asociacioni duhet të jetë në përputhshmëri me këto tri dokumente të rëndësishme”, tha Gecaj.
Megjithatë, ai nuk është shprehur optimist se me Qeverinë aktuale do të ketë ndonjë rezultat pozitiv në procesin e dialogut për Kosovën.
Nga ana tjetër, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që udhëheq projektin për fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendit ndaj Qeverisë si dhe rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me dy të tretat e votave dhe për parimet e të cilës ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese.
“Diskutimet për Asociacionin e komunave pritet të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Mbetet e rëndësishme dhe qenësore që pala kosovare të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos lejojë në asnjë mënyrë që ky mekanizëm të ndërtojë një nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë. Këto bisedime në mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të cenojnë në asnjë mënyrë funksionimin kushtetues dhe unitar të shtetit të Kosovës”, tha Krasniqi.
Marrëveshja për Asociacionin, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishte arritur më 25 gusht 2015, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 dhjetor 2015, pati vlerësuar se disa nga parimet e përgjithshme të marrëveshjes për Asociacionin, nuk ishin në harmoni me Kushtetutën e Kosovës dhe se këto parime duhet të jenë në pajtueshmëri me standardet kushtetuese të Republikës së Kosovës
Të tjera
-
Përplasja për kontrata njëburimore, Murati i përgjigjet Hykmete Bajramit
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka thënë Hykme...
-
“Rritu”, Bajrami Muratit: Të shkuan 4 vjet duke vizatuar grafa të paqena e propagandë – prokuroria ka shumë punë me ju
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami i është për...
-
Për Ministrinë e Pecit Komuna e vogël e Mamushës më e madhe se krejt Kosova – pse kaq shumë miliona shkuan atje?
Ministria e Bujqësisë ka dhënë miliona euro grante dhe subvencione. Puna me t...
-
Osmani para studentëve në Kanada: Njerëzit e këtij vendi ishin ata që i qëndruan pranë popullit të Kosovës
Presidentja Vjosa Osmani në një fjalim para studentëve dhe stafit akademik të...
-
Hamza mërgimtarëve në Hannover: Përtej kontributit financiar që e jepni, do të krijojmë kushte që të investoni në Kosovë
Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza publikoi një vide...
-
Zemaj: Përdorimi i AKI-së për fabrikimin e lajmeve të rreme është kulmi i goditjes së institucioneve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka reaguar pas publik...
-
Kurti me Gashin flasin për mbledhjen ndërqeveritare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut
Kryeministri Albin Kurti, mirëpriti kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Ver...
-
Osmani: Fuqi e Kosovës janë partnerët e saj
Presidentja Vjosa Osmani përmes një fjalimi para studentëve dhe stafit akadem...
-
Petkoviq: Kurti vazhdon me militarizim dhe okupim të veriut të Kosovës
Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovë, Petar Petkoviq, në propag...
-
Gazetari i BBC “çmend” Vuçiç, Stephen Sackur në Hard Talk: Serbia e njeh “de facto” Kosovën
I ftuar në Hard Talk të BBC-së, presidenti serb Aleksandar Vuçiç promovoi...
-
Gazetarët Hoxha dhe Qyno paraqiten në SPAK, njihen me masat e sigurisë
Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno këtë të hënë të 25 nëntorit janë paraqit...
-
Rritet shifra: Shkon në 600 mijë euro shuma e dhënies së granteve nga Peci për të afërmit e pushtetit
Sekretar i përgjithshëm i Forumit të Rinisë së LDK’së, Egzon Pacolli, ka njof...