Lajme

Qeveria mohon se ka pranuar planin e Asociacionit

Autori: Gazeta inFokus 12:52 | 25 October 2023

Kosova nuk ka pranuar planin e BE-së për Asociacionin, kështu ka bërë të ditur këshilltari për media i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Klisman Kadiu, në një reagim zyrtar, ka thënë se raportimet e sotme se Kosova ka pranuar planin për Asociacionin janë të gabuara dhe të pavërteta.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk është pohuar në përgjigjen e Qeverisë ndaj ftesës së BE-së për dialog.

-Advertisement-

Kadiu thotë se bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve për plan të ri, që përfshin zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike dhe diskutimet për një draft të nenit të Shtatë të saj.

Thënë shkurt, sipas Kadiut, bëhet fjalë vetëm për vazhdim të diskutimeve.

Kadiu ka publikuar edhe përgjigjën e plotë të Qeverisë, drejtuar BE-së.

Ky është reagimi i plotë i tij:

Titulli e interpretimi i mëposhtëm, është i gabuar e i pavërtetë dhe nuk reflekton përgjigjen e dhënë nga Qeveria sot. Kryeministri Kurti ka pranuar takimin me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe BE-së. Mëtej, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve për planin e ri, i cili përfshin zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike bashkërisht me diskutimet për një draft për nenin 7 të saj. Pra, bëhet fjalë për vazhdimin e diskutimeve. Njëjtë, siç shkruhet dhe në përgjigjen e Qeverisë.

Më poshtë, përgjigja e plotë:

Kryeministri Kurti i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së 5 emisarëve për një takim me liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Presidentes së Komisionit Evropian, në margjina të samitit të Këshillit Evropian. Takimi do jetë në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët gjatë vizitës së tyre në Prishtinë me datën 21 tetor, në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7. Kryeministri Kurti ka shprehur dakordimin e tij që ky plan i ri të jetë korniza e vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, ShBA, Gjermani, Francë dhe Itali, e cila do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Agjenda dhe detajet e takimit në Bruksel nuk i janë bërë të ditura Kryeministrit Kurti, megjithatë ai shprehet i gatshëm të përfshihet në diskutime përmbajtësore me kushtin që ato të jenë në linjë me parimin e gjithëpërfshirjes.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fillon aplikimi për Global Engineer Girls Kosova

Të tjera