Fokus

Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” protestojnë të premten para KEK-ut: “Na lejoni të punojmë, nuk kërkojmë lëmoshë”

Autori: Elvira Haxhiu 16:31 | 22 December 2022

Me fillimi nga ora 9:00, punëtorët e “Kosova Thëngjillit” të premten do të mbajnë protestë para Korporatës Energjetike të Kosovës.

Ish-drejtori i “Kosova Thëngjillit”, Hamit Leci në një prononcim për Gazetën Infokus thotë se kërkesa kryesore e tyre është se ata duan të kthehen në punë.

Sipas tij që nga 1 korriku i këtij viti punëtorët e “Kosova Thëngjillit” janë pa të ardhura.

-Advertisement-

Leci nuk përjashton faktin se kjo protestë mund të eskalojë, ngase sipas tij punëtorët ka muaj që janë pa të ardhura dhe kanë humbur durimin.

“Protesta fillon në ora 9.00 zgjat deri në ora 14:00, nëse shkon si është e planifikuar dhe nëse nuk eskalon situata them këtë sepse punëtorët prej 01.07.2022 nuk punojnë dhe janë pa të ardhura. Ata kanë humb durimin dhe ne nuk mund t’i kontrollojmë. Kërkesat janë ‘duam punë’. ‘Na lejoni të punojmë, nuk kërkojmë lëmoshë’, ka thënë ish-drejtori i “Kosova Thëngjillit” për Infokus.

Leci thotë se Kosova importon thëngjill 6.8 milionë euro nga ndërprerja e punës së “Kosova Thëngjillit”, deri sa sipas tij Kosova fle mbi thëngjill.

Madje, ai u shpreh i zhgënjyer pasi që kishte pasur shpresa që Qeveria e drejtuar nga kryeministri, Albin Kurti,  nuk do të lejojë manipulimin.

Ndërprerjen e kontratës për furnizim me thëngjill, Hamit Leci, e quan krim ekonomik ndaj industrisë së Kosovës.

“Tertorja sot Kosova Thëngjill ka punuar prej 1964, sot del një i mençur dhe e ndërpret kontratën për furnizim me thëngjill për terje deri sa fabrika është në gjendje të rregullt dhe deri sa kuadri është i specializuar me punëtor me përvojë të gjatë me manipulim me enët nën shtypje. Un ketë e quaj krim ekonomik i drejtuar kundër industrisë së Kosovës ku pa thëngjill te terur janë Feronikeli, Aaelifi, Silkapori, Intexh Gjilan, Fluid Gjilan, të gjitha fabrikat e bllokave të cilat janë furnizuar nga Kosova Thëngjilli tani janë të varura nga importi”, u shpreh Leci për Infokus.

Sipas ish-drejtorit të “Kosova Thëngjillit”, Blloku A5 nuk do të punojë edhe katër muaj.

“Vetëm A5 nuk punon me shumë se katër muaj e nuk do të punoj edhe katër tjera, ajo harxhon 200 mijë ton në muaj veç ato me i eksportua mbulohen shpenzimet e krejt remonteve të KEK. Por partia cakton menaxherë, fabrika nuk është me asnjë parti, ajo do profesionist e zakonisht edhe inxhinierët nuk kanë parti, ata flasin me makina dhe kompjuter industrial”, tha ai.

“Kosova Thëngjilli” është shoqëri aksionare, e krijuar në vitin 2013, në kuadër të Korporatës Energjetike të Kosovës – KEK.

Protesta e thirrur për të premten nuk është protesta e parë nga punëtorët e “Kosova Thëngjillit”. Ata kanë protestuar edhe muaj më parë para Ministrisë së Ekonomisë po me kërkesat e njëjta./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera