Lajme

Pse mbeti Ushtria e Kosovës pa fjalën Republikë?

Autori: Gazeta inFokus 13:03 | 30 November 2018

Qeveria e Kosovës ka vendosur që produktet e importit të kenë mbishkrimin, Republika e Kosovës, ashtu siç njihet edhe emri i Kosovës me Kushtetutë.

Në të kundërtën asnjë produkt pa mbishkrimin Republika e Kosovës nuk do të lejohet të shitet në Kosovë. Për këtë institucionet e shtetit janë të vendosura.

Por, e njëjta gjë nuk po vlen edhe për një mekanizëm që vërtetë simbolizon shtetin.

-Advertisement-

Në projektligjin e ri për transformimin e FSK-së në ushtri, nuk është paraparë shtimi i termit Republikë.

Ushtria e shtetit pritet ta ketë vetëm emrin Forcat e Armatosura të Kosovës.

Këtë çështje thotë se e ka ngritur edhe Anton Quni, nga LDK, në mandatin e kaluara si anëtar i komisionit për mbikëqyrjen e institucioneve të sigurisë. Por ky për gazetën inFokus thotë se nuk ka arritur të siguroj përkrahjen nga përfaqësuesit e oponentëve politik.

Arsyetimet sipas Qunit, ishin të ndryshme por që nënkuptohej se nuk e parapëlqenim akronimin FARK.

Sipas tij të gjithë janë të pajtimit se primare është mandati i ushtrisë dhe kapacitetet e saja operacionale.

“Në një të ardhme, besoj se jo vetëm për ushtrinë por edhe për institucionet dhe organizatat tjera siç janë Policia e Kosovës, Dogana e Kosovës etj, do të duhej emërtimi i saktë duke iu referuar Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thotë Quni.

Nga ana tjetër, deputeti Rexhep Selimi, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, për gazetën inFokus, tha se FSK’ja, nuk mund ta ndryshojë emrin e saj pa ndryshime kushtetuese.

Sipas tij, për ndryshimet kushtetuese nuk ka kushte politike në Kosovë, për shkak të rolit i Listës Serbe në Kuvend.

“Në pamundësi të ndryshimeve të emrit me ndryshime kushtetuese, ne kemi mbështetur vetëm ndryshimet ligjore që i japin mandate të ri FSK’së. Forcat e Armatosura të Kosovës mund të formohen vetëm me ndryshime kushtetuese që për momentin duket e pa mundshme”, tregon Selimi.

Për Selimin, nuk është edhe aq e rëndësishme emërtimi.

Ai, për gazetën inFokus, thotë se me ligjet që po procedohen në kuvend, nuk do të ketë as FAK as FARK.

“Kësaj radhe do të kemi vetëm FSK dhe Ministri të Mbrojtjes. Kur të jetë e mundshme për ndryshime kushtetuese, atëherë, sido që të jetë, qoftë FAK apo FARK, nuk ka shumë rëndësi”, thotë Selimi.

Ndërkohë që, ekspertët kushtetues, janë të mendimit se emri Republikë duhet të përdoret konformë emrit të shtetit në Kushtetutë.

“Është Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës e kurrsesi jo Forcat e Armatosura të Kosovës. Emërtimi Kosovë, i referohet aspektit dhe dimensionit gjeografik e ngjashëm si kjo, ndërkaq termi Republikë e Kosovës, i dedikohet shtetit. Ndaj të gjitha aktet juridike e politike të shtetit tonë do të duhej të titulloheshin fillimisht me Republika e Kosovës e rrjedhimisht me atë të institucionit politik, arsimor, kulturor e shkencor”, thotë njohësi i kushtetutshmërisë Riza Smaka.

Ai për gazetën InFokus, tha se kurdoherë do të duhej që emërtimi i shtetit dhe institucioneve shtetërore të ishte konform me nenin 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Pra emërtimi i shtetit dhe institucioneve shtetërore të tij sipas Smakës, është Republika e Kosovës./Gazeta inFokus/
(Valon Rogova)

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera