Fokus

Prokuroria jep detaje për rastin ku pas tre vitesh u arrestua i dyshuari për ngacmim, pasi u publikuan pamje në “Tik tok”

Autori: Elvira Haxhiu 13:07 | 26 October 2022

Pas më shumë se 3 viteve një person është arrestuar në Podujevë pasi që dyshohet se ka sulmuar dhe ngacmuar seksualisht një grua, shkruan Gazeta Infokus.

I dyshuari është arrestuar të martën pasi në rrjetin social “Tik tok” u publikuan pamje nga ky rast.

Këtë për Infokus e konfirmoi edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila tha se në kohën kur i dyshuari e ka ngacmuar viktimën ishte i mitur.

-Advertisement-

Derisa ka konfirmuar se ai tani është në moshë madhore dhe ndaj tij prokurori ka caktuar masën e ndaljes prej 48 orë.

“Dyshohet se personi i ndaluar gjatë vitit 2019, sa ka qenë i mitur, ka kryer veprat penale “Sulmi” dhe “Ngacmimi”, derisa pamjet (video) e këtij rasti janë publikuar këtë vit, tashmë i dyshuari është madhor”, ka thënë Ulaj për Infokus.

Ndërkaq, në raportin 24 orësh të policisë thuhet se viktima për shkak të frikës në atë kohë nuk e kishte denoncuar të dyshuarin.

“Me datë 25.10.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti në vitin 2019 kishte kryer veprat e cekura, ndërsa viktima nga frika (në atë kohë) nuk e kishte denoncuar të dyshuarin. Tani, në vitin 2022 pas publikimit në rrjetin sociale “tik-tok” të ngjarjes, i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. Rasti në proces hetimor”, thuhet në njoftimin e policisë./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera