Lajme

Profesorët e Katedrës Ndërkombëtare përfshirë Rektorin Qerimi i shkruajnë Senatit dhe Rektorit të ri : Masat ndaj Enver Hasanit të pabazuara e johumane

Autori: Gazeta inFokus 17:35 | 30 September 2024

Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës i ka rekomanduar Senatit të UP-së ta miratojë një vendim të tyre nga mbledhja e mbajtur më 25.09.2024, përmes së cilit do të merren disa masa ndaj profesorit në Fakultetin Juridik në UP, Enver Hasani, si; degradim, ulje të gradës, revokim të mirënjohjeve e privilegjeve si ish-rektor, mohim të pjesëmarrjes në komisione profesionale për 3 vite etj. Enver Hasani i ka quajtur fiktive pretendimet e Këshillit të Etikës, derisa ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj kryesuesit të këtij Këshilli.

Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës ka shprehur protestë, kundërshtim dhe shqetësim të thellë në lidhje me një vendim të fundit të Këshillit të Etikës, me anë të të cilit janë rekomanduar një sërë masash degraduese ndaj profesorit të kësaj katedre, Enver Hasanit.

Gazeta Express ka siguruar një letër që Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare ia ka dërguar rektorit të Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahut, i cili e kryeson edhe Senatin e UP-së.

-Advertisement-

Letra që mban nënshkrimet e Donikë Qerimit, shefes së Katedrës Ndërkombëtare, dhe Valeza Ukajt, Sekretare, u dërgua pas një mbledhjeje të mbajtur sot, në të cilën kanë marrë pjesë Iliriana Islami, Remzije Istrefi, Flamur Mrasori, Bekim Sejdiu, Donikë Qerimi, Vigan Qorrolli dhe Valeza Ukaj. Kundërshtimin e rekomandimeve nga Këshilli i Etikës e kanë mbështetur edhe profesorët Hajredin Kuçi e Besfort Rrecaj, përfshirë edhe Qerim Qerimin, që është ende në detyrën e rektorit të UP-së.

“Është qëndrim i kësaj katedre se rekomandimet e Këshillit të Etikës duhen refuzuar nga Senati i Universitetit si rekomandime juridikisht të pabazuara, jo proporcionale dhe thellësisht johumane. Katedra e së drejtës ndërkombëtare dëshiron të qartësojë për Rektorin, Senatin e Universitetit të Prishtinës, për studentët dhe për publikun e gjerë, se Prof. Dr. Enver Hasani nuk ka shpërfillur apo “mospërmbushur qëllimshëm” detyrimet e tij të mësimdhënies të caktuara me ligj dhe kontratë”, thuhet në krye të kësaj letre.

Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare përmend se ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, profesori Enver Hasani po përballet me sëmundjen e rëndë të leukemisë dhe se kjo nuk është marrë parasysh nga Këshilli i Etikës.

“Më 20 prill 2023, anëtarët e Katedrës sonë janë informuar nga Prof. Dr. Hasani se ai kishte marrë diagonozën e parë me sëmundjen e rëndë të leukemisë dhe se pritej që ajo të konfirmohej edhe jashtë vendit dhe potencialisht të fillojë trajtimin për këtë sëmundje brenda dhe jashtë Kosovës. Lajmi i rëndë për gjendjen serioze të anëtarit më senior të katedrës ka qenë tronditës për të gjithë dhe, natyrshëm, ka mobilizuar të gjithë për të ndihmuar në këtë situatë”, thuhet në letër.

Në një mbledhje, Katedra thotë se kanë diskutuar “për nevojën e kolegëve për t’u angazhuar në mbulimin e orëve të ligjeratave të Prof. Hasanit”.

“Qëndrimi i përbashkët i katedrës, i marrë më datën 2 tetor 2023, për të mbuluar orët e Prof. Hasanit është marrë duke pasur parasysh se natyra malinje e sëmundjes së rëndë dhe trajtimit është krejtësisht e paparshikueshme. Prandaj as për Profesorin e as për anëtarët e katedrës nuk ka mundur të dihet se për sa kohë do të kërkohej zëvendësimi i kolegut – për ndonjë javë apo për më tepër. Me kalimin e kohës, rëndimit të gjendjes shëndetësore të Prof. Hasanit për shkak të terapisë, anëtarët e katedrës sonë kanë vazhduar të konfirmojnë gadishmërinë për të mbuluar orët si njëri nga minimumet e mundshme të sjelljes humane dhe kolegiale në një situatë të këtillë”, thuhet në letër.

“Është thellësisht shqetësuese për ne se sëmundja vdekjepruese e leukemisë, trajtimet me kemoterapi dhe të tjera, nuk përbëkan “rast tejet përjashtimor dhe atë për shkaqe dhe arsye legjitime, të cilat arsyetime duhen të jenë bindëse”, sic ka theksuar vendimi i KE-së (fq. 8). E dyta, jo më pak e rëndësishme, KE nuk ka marrë për bazë faktin se për këtë mungesë Prof. Hasani ka pasur edhe lejen e Rektorit të atëhershëm të Universitetit, Prof. Qerim Qerimi, anëtar i katedrës sonë. Në diskutimin e përbashkët elektronik të katedrës, të bërë më 20 prill 2023, Rektori i atëherëshëm, përveç që kishte shprehur keqardhjen dhe mbështetjen për Prof. Hasanin, ka thënë (shkruar) se nuk është e nevojshme që të ndiqen formalitetet tjera me dokumentim të situatës dhe kërkimit të lejeve, duke e konsideruar të mjaftueshëm juridikisht këtë komunikim elektronik të katedrës si më sipër”, thuhet tutje në letrën e dërguar në Rektorat.

Në letër thuhet se s’ka pasur asnjë pakënaqësi të menaxhmentit në lidhje me zëvendësimin e profesorit Hasani dhe as ndonjë vërejtje tjetër të çfarëdoshme.

“Duke marrë për bazë lejen e Rektorit, bashkë me paparashikueshmërinë e sëmundjes dhe kapacitetet e katedrës për t’i siguruar mbarëvajtjen e mësimit, kolegët e katedrës me humanitet të plotë dhe kolegialitet kanë vazhduar të mbulojnë orët në interesin më të mirë të studentëve. Gjatë gjithë kohës sa është kryer zëvendësimi, as Prof. Hasani e as kolegët e katedrës nuk kanë pasur as indikacionin më të vogël për ndonjë pakënaqësi të menaxhmentit në lidhje me këtë zëvendësim, ndonjë vërejtje apo veprim juridik. Po të ekzistonte një vërejtje e çfarëdoshme, katedra në bashkëpunim me Profesorin do të procedonin kërkesat formale për leje, të arsyetuar mirë me dokumentacionin e nevojshëm mjekësor”.

“E treta, është e papranueshme dhe faktikisht i pabazuar konstatimi i KE-së se menaxhmenti ka qenë i painformuar për këtë situatë. Katedra rithekson se mbulimi i orëve të Prof. Hasanit asnjëherë nuk është mbajtur fshehurazi nga menaxhmenti, e as nuk ka mundur të mbahet i fshehur nga menaxhmenti. Kjo meqë natyra e detyrimeve është e tillë duke qenë se ligjeratat janë publike dhe dihet lehtësisht se si mbahen ato. Është esenciale të ceket se të gjitha listat e dorëzuara në adresën e caktuar kanë pasur qartazi nënshkrimin e kolegëve të tjerë dhe mbishikrimin “për Prof. Enver Hasani”. Edhe sikur të mos kishin informata tjera, vetë listat e dorëzuara të cilat mëtohen të jenë vlerësuar nga menaxhmenti dhe KE – mjaftojnë për të dëshmuar dijeninë e vazhdueshme të menaxhmentit”, thuhet në letër.

Për më tepër, Katedra e së Drejtës Ndërkombëtare, thotë se “sëmundja dhe trajtimi i Prof. Hasanit janë Kosovës kanë qenë të ditura edhe për publikun” dhe prandaj, konstatimi i Këshillit të Etikës se për këtë nuk ka pasur dijeni as zyrtari për mësim e as Dekani është “jo vetëm i pabazë por edhe absurd”.

“Përtej kësaj, është po kaq shqetësuese se si KE lehtësisht arrin në konkluzionin se si menaxhmenti nuk ka ditur për mungesën e Profesorit dhe zëvendësim e orëve nga stafi tjetër akademik, por as shkarazi nuk diskuton përgjegjësinë juridike të menaxhmentit për kontrollin e mirëmbajtjen e procesit mësimor nga ata dhe mospërmbushjen eventuale të kësaj përgjegjësie nëse me të vërtetë paskan qenë të painformuar për një zhvillim të këtillë”, thuhet në letër.

Për fund, profesorët, në letrën e dërguar në Rektorat thonë se “nuk janë përmbushur kriteret ligjore për t’u zbatuar masat e rekomanduara nga KE”.

“Si pikë e parë, neni 6.1.13 i Rregullores për masat disiplinore ndaj personelit kërkon që për t’u aplikuar masat në lidhje me mospërmbushje të detyrimeve, ajo mospërmbushje duhet të jetë bërë qëllimshëm. Të gjitha elementet e cekura më sipër, duke u nisur nga natyra e sëmundjes dhe trajtimit, paparashikueshmërisë së kohëzgjatjes së tyre, leja dhe dijenia e menaxhmentit në lidhje me mungesat, e bëjnë krejtësisht të qartë se një mospërmbushje e qëllimshme as nuk ka ndodhur e as nuk ka mundur të ndodhë”, thuhet në letër.

“Si pikë e dytë në këtë drejtim, duhet theksuar se shqiptimi i masave disiplinore, veçanërisht këtyre të rënda që janë rekomanduar nga KE, shqiptohet për shkeljet e rënda të Kodit të Etikës, vetëm pasi të jenë jenë konsumuar masa e procedura të tjera paraprake juridike”, thuhet tutje në letrën e Katedrës së të Drejtës Ndërkombëtare të Fakultetit Juridik të UP-së.

Kjo katedër në fund kërkon nga Senati i Universitetit që t’i refuzojë rekomandimet e Këshillit të Etikës si “juridikisht të pabazuara, të paarsyeshme dhe thellësisht johumane”.

Këshilli i Etikës i UP-së i rekomandoi Senatit që të marrë masa ndaj profesorit Enver Hasani si: degradim, ulje të pagës, ulje të gradës, revokim të mirënjohjeve e privilegjeve si ish-rektor, mohim të pjesëmarrjes në komisione profesionale për 3 vjet, etj.

Profesori është denoncuar në Këshillin e Etikës të UP-së nga dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, për të cilin, Enver Hasani ka këmbëngulur se ai nuk e ka kryer doktoraturën në Universitetin “La Sapienza” në Itali.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera