Procesi i Vettingut në drejtësi, ka filluar rrugën drejt finalizimit. Që ky proces të përmbyllet me sukses, duhet të amendamentohet Kushtetuta, për çka nevojiten votat e 2/3 e deputetëve, përfshirë edhe 2/3 e votave të komuniteteve. Njohës të drejtësisë thonë se Lëvizja Vetëvendosje, duhet të punojë që t’i bindë deputetët që ta përkrahin Vettingun. Në këtë parti, ndërkaq thonë se po punojnë në këtë drejtim.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 4 shtator, proceduan në Kuvend dosjen me dokumentet për Vettingun në drejtësi.

Dosja përmban edhe propozim-amendamentet kushtetuese dhe projektligjin për vettingun. Këto dokumente pritet të shqyrtohen në muajt në vijim, gjatë sesionit dimëror të legjislativit.

Për përmbylljen me sukses të Vettingut, janë të domosdoshme ndryshimet e Kushtetuese, për të cilat duhen votat e 2/3 të të gjithë deputetëve, përfshirë edhe 2/3 e votave të deputetëve të komuniteteve.

Në këtë rast, partia në pushtet ka nevojë për vota nga opozita, e problem mund ta ketë edhe sigurimin e votave të Listës Serbe.

Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Vetëvendosje duhet të punojë që t’i bindë deputetët që të japin votën pro Vettingut.

“Definitivisht i takon shumicës parlamentare dhe qeverisë që të zhvillojë bisedime dhe të bindë opozitën dhe komunitetet jo shumicë që të japin votën për vettingun. Nëse nuk arrihet që të ndryshohet kushtetuta, sipas procedurës, e cila është konsiderueshëm e vështirë për t’u kaluar, Vettingu nuk mund të bëhet. Nëse nuk ka një dakordim të tillë, në mënyrë që të sigurohen 2/3 e votave të të gjithë deputetëve, një proces i tillë nuk mund të përmbyllet”, tha Shala, për RTK.

Meqë procesi i Vettingut është me interes vital, Shala tha se duhet të ketë konsensus politik dhe përkrahje nga opozita.

Deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, teksa zotohet se do t’i respektojnë të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias në lidhje me Vettingun në Kosovë, thotë se shpreson në bashkëpunimin edhe me opozitën.

Ai tha tutje se shpreson që Vettingu do të përmbyllet me sukses dhe se për këtë, janë të gatshëm për bashkërendim me opozitën.

“Vettingu është domosdoshmëri shoqërore dhe institucionale në Kosovës. Si i tillë do të realizohet. Realizimi i vettingut sipas opsionit të pestë të propozuar, kërkon ndryshime kushtetuese. Natyrisht ne jemi të interesuar për të krijuar konsensusin e gjerë politik e shoqëror për t’i miratuar këto ndryshime, sepse reforma në drejtësi është reformë sistematike dhe strategjike, dhe që tejkalon një mazhorancë dhe një mandat”, tha ai.

Ndërkohë, në lidhje me mënyrën se si po synohet të realizohet procesi i Vettingut nga opozita, Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe ai Prokurorial, tashmë kanë shprehur disa kundërshtime.