Presidentët e Shqipërisë nga Ramiz Alia tek Bajram Begaj
Autori: Gazeta inFokus 20:43 | 24 July 2022
Presidentet e Shqipërisë pluraliste që nga viti 1991, kanë qenë kryesisht honorifik në postin e tyre me përjashtim të presidentëve të parë, Alia e Berisha. Të tjerët që pasuan kanë patur kompetenca më të pakta se kryeministrat që i kanë propozuar.
Kryeministrat kanë qenë ata që kanë patur pushtetin, ndërkohë që presidentët kanë qenë shtojcë e pushtetit edhe pse kanë qëndruar në kupolën e shtetit.
Nga Ramiz Alia deri te Bajram Begaj, Shqipëria pas rrëzimit të sistemit komunist ka patur 8 presidentë, te zgjedhur në parlament pas rrëzimit të diktaturës. Nga këto 8 presidentë, 4 prej tyre janë zgjedhur nga PD parti që konsiderohet e djathtë në vendin tonë, shkruan Express.
RAMIZ ALIA (kryetar i Presidiumit dhe President)
DITËLINDJA: 18 tetor 1925
VENDLINDJA: Shkodër
KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: Nga 22 nëntori 1982 deri më 2 prill 1992
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 9 vjet, 4 muaj e 11 ditë.
MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën 57 vjeç, 1 muaj 4 ditë dhe e la 66 vjeç, 6 muaj e 16 ditë.
ARSIMIMI: Diplomuar në shkollën e Partisë, Moskë, Rusi.
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Arsimit, deputet.
VDEKJA: 17 tetor 2011
Ramiz Alia është i pari president gjatë regjimit komunist, që arriti të kishte pushtet të fortë. Kjo jo për shkak të detyrës së kreut të shtetit, por për shkak se bashkë me detyrën e presidentit, ai mori edhe detyrën e sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH. Pasardhës i Enver Hoxhës në detyrën politike, në një farë mënyre, ai, pa dashje, i dha pushtet edhe detyrës së kreut të shtetit. Edhe pse nga të huajt u cilësua Gorbaçovi i Ballkanit, Ramiz Alia gjatë ushtrimit të detyrës, kishte dy anë: Si president që nuk lejoi gjakderdhje gjatë rrëzimit të sistemit komunist dhe, nga ana tjetër, nuk shpejtoi proceset demokratike. Ramiz Alia është presidenti i parë i zgjedhur me vota në kuvend, por, në këtë zgjedhje, ai ishte kandidaturë e Partisë së Punës që funksiononte, ende, në atë kohë. Mandati i marrë nuk zgjati më shumë se 1 vit. Ramiz Alia është njëkohësisht edhe presidenti i dytë në histori, i arrestuar sapo la detyrën me akuzën për “genocid dhe krime kundër njerëzit” si përgjegjës për krimet gjatë regjimit komunist.
SALI BERISHA
DITËLINDJA: 15 tetor 1944
VENDILINDJA: Vuçidol, Tropojë
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË:
MANDATI I PARË: 9 prill 1992 deri më 2 mars 1997
MANDATI I DYTË: 2 mars 1997 deri më 20 korrik 1997
KOHËZGJATJA NË DETYRË:
HERA E PARË: 5 vjet, 1 muaj e 7 ditë
HERA E DYTË: 4 muaj 18 ditë
MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrën në moshën 47 vjeç, 5 muaj e 25 ditë dhe e la 52 vjeç, 8 muaj e 26 ditë.
ARSIMIMI: I diplomuar për mjekësi në universitetin e Tiranës
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Kryeministri i 32-të i shtetit shqiptar, deputet.
Sali Berisha është presidenti që ka thyer më shumë rekorde se çdokush, si kreu i shtetit. Sali Berisha është presidenti i vetëm pas rrëzimit të komunizmit, që ka fituar dy mandate. Ai është edhe presidenti i vetëm që ka dhënë dorëheqje duke ushtruar detyrën e presidentit dhe presidenti i vetëm që mandatin e dytë e konsumoi vetëm 5 muaj. Njëkohësisht, Sali Berisha është i vetmi president pas rrëzimit të komunizmit, me fuqi të paketës kushtetuese më të forta se çdo paraardhës dhe çdo pasardhës, përjashtuar Ahmet Zogun. Mjafton të kujtojmë se, përveç shumë e shumë pushteteve në drejtësi, ai kishte të drejtë të drejtonte edhe mbledhje të qeverisë. Në fakt, sipas vetë kryeministrit të asaj kohe, Aleksandër Meksi, Sali Berisha është i vetmi president në historinë e Shqipërisë, që ka drejtuar mbledhje qeverie. Por Sali Berisha është i pari dhe i vetmi president pas rrëzimit të komunizmit, që ka veshur uniformë ushtarake duke ushtruar detyrën e kreut të shtetit, gjatë një stërvitje që ka kryer ushtria. Këtë e kishte bërë më parë vetëm Ahmet Zogu. Ndërkohë rekordet vazhdojnë edhe me faktin se, është i vetmi president që organizoi dhe drejtoi referendum për kushtetutën, që, nëse do ta miratohej fuqia e pushtetit të tij, mund të krahasohej me Ahmet Zogun.
REXHEP MEIDANI
DITËLINDJA: 17 gusht 1944
VENDILINDJA: Tiranë
KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 1997 deri më 24 korrik 2002
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet
MOSHA KUR MORI DHE LA DETYRËN: E mori detyrë 53 vjeç e 24 ditë dhe e la 58 vjeç e 24 ditë
ARSIMIMI: I diplomuar për fizikë në universitetin e Tiranës
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Deputet
Presidenca shqiptare nuk ka patur asnjë paraardhës edhe pasardhës të nivelit më të lartë shkencor dhe intelektual, sa ai i Rexhep Meidanit. Potencial shkencor si ai, zor se mund të ulet më zyrën e kreut të shtetit shqiptar. Rexhep Meidani është i pari dhe i vetmi socialist i zgjedhur president, që pas rrëzimit të komunizmit, dhe është, njëkohësisht, presidenti i vetëm i papërfolur as për korrupsion, as për skandale, madje, as për bashkëpunim dhe interferencë me Partinë Socialiste që e zgjodhi të ishte në atë detyrë, e cila ishte në pushtet. Por të gjitha këto, nuk mjaftuan që Rexhep Mediani të shkëlqente në detyrën më të lartë të shtetit. Çdo gjë në rregull, pa konferenca shtypi, me dalje televizive dhe intervista që numërohen me gishtat e dorës dhe me mungesë lajmesh, presidenca e Rexhep Medianit i ngjau më shumë funksionimit të një laboratori fizike, se sa një presidence aktive, të zhdërvjellët, vendimmarrëse, që i jepte zgjidhje situatave delikate dhe krizave politike që kishte gjatë periudhës kur ai ishte në krye të shtetit.
ALFRED MOISIU
DITËLINDJA: 1 dhjetor 1929
VENDLINDJA: Shkodër
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2002-24 korrik 2007
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet
MOSHA KUR MORI DETYRËN: 72 vjeç, 4 muaj e 7 ditë
ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Mbrojtjes
Alfred Moisiu është presidenti që ka marrë më shumë vlerësime në historinë e detyrës së kreut të shtetit, duke u bërë presidenti më i preferuar nga shumica e shqiptarëve, sipas sondazheve. I vetmi president konsesual në histori, ai u bë njëkohësisht armik edhe i Partisë Socialiste që ishte në pushtet, por edhe i Partisë Demokratike që e propozoi emrin e tij. Dikur ministër dhe zëvendësministër i Mbrojtjes, Alfred Moisiu është presidenti me moshën më të lartë në detyrë, duke qenë 73 vjeç kur hyri në presidencë. Alfred Moisiu është i vetmi president që ka ndërhyrë dhe ka arritur një marrëveshje politike, duke zgjidhur një krizë mes PS dhe PD. Në historinë e shtetit shqiptar, ka shumë shtetarë dhe administratorë, por Alfred Moisiu është nga të rrallët që kanë qenë burrë shteti. Ushtarak në profesion dhe pinjoll i një familjeje të njohur ushtarake, Alfred Moisiu tregoi korrektësi dhe aftësi për të zgjidhur situata nga më delikatet në krye të shtetit. Konfliktet e tij parimore me kryeministrin, Fatos Nano, dhe më pas me atë Sali Berisha, tashmë, kanë hyrë në histori dhe presidenti i fitoi, moralisht, të gjitha betejat, duke mos bërë kompromis me parimet e tij.
BAMIR TOPI
DITËLINDJA:24 prill 1957
VENDLINDJA: Durrës
KOHA E QENDRIMIT NË DETYRË: Nga 24 korriku 2007 deri më 24 korrik 2012
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet
MOSHA KUR MORI DETYRËN: E mori detyrën 50 vjeç e 3 muaj
ARSIMIMI: I diplomuar si mjek veteriner në Universitetin Bujqësor, Kamzë
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Bujqësisë, deputet
Nga nënkryetar i PD-së, në president të 8-të të Republikës, pothuajse, i gjithë opinioni publik mendonte se Bamir Topi do ishte shtojcë e Partisë Demokratike që e zgjodhi. Por të gjithë u gabuan, jo pak. Presidenca e Topit është konsumuar në një konflikt të hapur dhe të vazhdueshëm mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha të cilët, në shumë raste, hodhën akuza të rënda ndaj njëri-tjetrit. Më e rënda është se Bamir Topi, dikur zëvendësi i Berishës, e akuzoi Berishën si komunistin më të pandreqshëm, – akuzë e vonuar e presidentit. Por një moment delikat ka qenë ngjarja e 21 janarit 2011, ku presidenti Topi nuk u angazhua aspak në zgjidhjen e saj. Kështu, kryeministri Berisha hodhi akuza të rënda ndaj tij, deri bashkëpunim për puç shtetëror. Megjithatë, presidenca e Topit ka patur aspekte pozitive, të cilat nisin nga cilësime që të paktën nuk ka bërë keq e deri tek ajo se dekoroi një ushtri njerëzish, pa ndonjë vlerë, duke e kthyer dekorimin në të pavlerë.
BUJAR NISHANI
DITËLINDJA: 29 shtator 1966
VENDLINDJA: Durrës
KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2012–24 korrik 2017
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet
MOSHA KUR MORI DETYRËN: 46 vjeç, 1 muaj e 5 ditë
ARSIMIMI: I diplomuar ushtarak dhe jurist
DETYRA TË TJERA NË SHTET: Ministër i Brendshëm, ministër i Drejtësisë, deputet
Bujar Nishani, – ushtaraku i tretë në histori si president, pas Ahmet Zogut dhe Alfred Moisiut, dhe i dyti me mbiemrin Nishani. Ndershmëria është cilësia e tij më e spikatur gjatë pesë viteve në presidencë. Ai është presidenti që, edhe pse ka marrë një lumë akuzash nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama, nuk ka marrë asnjë akuzë për korrupsion. Në fakt, edhe presidenca e Nishanit është shoqëruar me përplasje mes tij dhe mazhorancës. Nuk ka një ngjarje të vetme që kryeministri Rama dhe mbështetësit e tij, të mos e akuzojnë deri në ofendime rreth sëmundjes, – rast i paprecedentë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë. Gjithsesi, të gjitha këto, një ditë, ndoshta nuk do mbahen mend. Ajo që mbetet është integriteti moral i presidencës së Nishanit, që diti të ruajë shumë ekuilibrat, edhe pse kompetencat, në këto 5 vjet, i janë hequr presidentit si tullat e një muri, që dikush synon ta rrëzojë.
ILIR META
DITËLINDJA: 24 Mars 1969
VENDLINDJA: Skrapar
KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2017–24 korrik 2022
KOHËZGJATJA NË DETYRË: 5 vjet
ARSIMIMI: I diplomuar për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, ku dhe përfundoi studimet pasuniversitare.
Meta një nga figurat kryesore politike shqiptare konsiderohet nga media dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare. Ai mbajti postin e presidentit të vendit për 5 vitet e fundit. Ditën e sotme ai ja dorëzoi postin e presidentit pasardhesit të tij Presidentit aktual të vendit Bajram Begaj.
BAJRAM BEGAJ
DITËLINDJA: 20 mars 1967
VENDLINDJA: Rrogozhinë
KOHA E QËNDRIMIT NË DETYRË: 24 korrik 2022-….
ARSIMIMI: “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Begaj është një oficer ushtarak shqiptar, i cili ka shërbyer si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Në vitin 2020, Bajram Begaj mori rolin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare. Gjeneralmajor Bajram Begaj, ka përfunduar “Doktoratën në Fushën e Mjekësisë”, pranë Fakultetit të Mjekësisë si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Ai më parë ka shërbyer si Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, Drejtor i Inspektoratit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Armatosur Shqiptare.
Begaj ka ndjekur kualifikime dhe specializime të ndryshme në fushën ushtarake dhe atë mjekësore, në institucionet arsimore brenda dhe jashtë vendit. Ai ka përfunduar Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen pranë Akademisë së Forcave të Armatosura, Shkollën e Thelluar Pasuniversitare të Mjekësisë dhe specializimin pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji, pranë Fakultetit të Mjekësisë Tiranë. Ka ndjekur kursin e menaxhimit spitalor dhe kursin e lidershipit mjekësor strategjik, në SHBA, Kursin e Lartë Ndërkombëtar të Menaxhimit të Mbrojtjes, pranë Institutit të Menaxhimit të Burimeve të Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në SHBA, Seminarin e Lartë Ekzekutiv pranë Qendrës Marshall, Gjermani, si dhe kurse e kualifikime të tjera ushtarake.
Tashmë Begaj mban postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Të tjera
-
Politikani gjerman: Me Trumpin mund të ketë progres në dialog
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk është duke shkuar në drejtimin e duhur. ...
-
Në Capitol Hill bëhen përgatitjet e fundit për inaugurimin e Donald Trump si President i SHBA-së
Të hënën, më 20 janar, presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Ameri...
-
Agon Maliqi: 500 mijë vota janë të pamundura, 2021-ta ishte një rast i rrallë që nuk përsëritet
Analisti politik dhe aktivisti i shoqërisë civile, Agon Maliqi, e ka konsider...
-
100 vëzhgues të BE-së për zgjedhjet në Kosovë, Loiseau: Numërimi i fletëvotimeve me praninë e kamerave edhe në qendra komunale
Misioni i BE-së në Kosovë për herë të shtatë do të vëzhdoj zgjedhjet në Kosov...
-
Paqja do i rikthejë familjen, shqiptaro-palestinezi: Më ka marrë malli për përqafimin e nënës
Ahmed Jaber nga nëna është shqiptar, ndërsa nga babai palestinez. Që prej ...
-
Shahin Dervishaj: Kur dëgjon nga afër hallet e qytetarëve, e sheh rëndësinë e angazhimit të vërtetë
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shahin Dervishaj, po vazhdon taki...
-
PDK me tubim të madh në Podujevë, Hamza: Zgjedhjet e 9 shkurtit moment vendimtar për të ardhmen
Kandidati i PDK-së pët Kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një tubim masiv ...
-
Shkëlqim Devolli takon shefin në ardhje të CIA-s, John Ratcliffe, flasin për zhvillimet në Kosovë
Sipërmarrësi kosovar, Shkëlqim Devolli, i cili po qëndron në Washington DC pë...
-
Presidentja Osmani ka ftesë mirëpo nuk shkon në inaugurimin e Donald Trump
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë ...
-
Besnik Tahiri: Me AAK-në rinia e Kosovës ka të ardhme të sigurt
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka marrë pjesë s...
-
Deputeti Ferat Shala vazhdon takimet me qytetarë gjithandej Kosovës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, po vazhdon vizitat e ...
-
Bedri Hamza: Obiliqi është zemra energjetike e Kosovës, ky qytet meriton ma mirë
“Zemra energjetike e Kosovës”. Këtë cilësim ia ka dhënë qytetit të Obiliqit, ...