Lajme

“Pikënisja s’është e njëjtë” – Gratë nga pakicat etnike sfidojnë botën e biznesit

Autori: Gazeta inFokus 19:30 | 27 March 2024

Në fshatin Klinafc të Klinës – pjesa perëndimore e Kosovës – adresë e shumë grave të komunitetit egjiptian ishte bërë tani 33-vjeçarja Albana Rahishtaj.

“Ne s’dimë të flasim. Duam të punojmë, por nuk kemi shkollë të kryer”, kujton Albana t’i kenë thënë shumë gra gjatë vitit 2021, në mbledhje të ndryshme që kishin zhvilluar në tentim për të gjetur punë.

Albana kishte kohë që punonte. Herë në pastrim të shtëpive e herë në dyqane të ndryshme. Ajo thotë se motivin për të arritur diçka në jetën e saj, e ka pasur gjithmonë.

-Advertisement-

“Unë jam marrë me aktivitete, kam shkuar nëpër fondacione, kam marrë vesh qysh po bëhet puna për punësimin e të rinjve tonë [të komunitetit egjiptian]. E kam përfunduar shkollimin, thjesht kam qenë e gjindshme”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Angazhimi iu shpërblye Albanës në vitin 2021, kur mori përkrahje nga Fondacioni Jahjaga – një organizatë joqeveritare me seli në Prishtinë – për ta hapur biznesin e saj, Elava.

Bashkë me tetë gra të tjera të komunitetit egjiptian, Albana mori pajisjet që iu dhuruan dhe nisi të kërkonte kliente për biznesin e saj të ri, që merrej me pastrim të shtëpive.

Paragjykimet që mund t’i kenë pasur të tjerët, nuk i bënin përshtypje, pasi që thotë se ishte shumë e sigurt në qëllimin e saj.

“Unë e ndiej veten edhe paksa krenare. Kam qenë një shtytje e madhe për komunitetin tonë. Jam punësuar, e kam pasur lirinë të dal e të punoj”, thotë Albana.

Por, jo të gjitha gratë e komuniteteve etnike minoritare në Kosovë e kanë pasur fatin e saj.

Sipas një raporti të Institutit për Studime të Avancuara Gap në Prishtinë, të publikuar në shkurt të këtij viti, sfidat për bizneset në pronësi të grave që vijnë nga komunitetet etnike minoritare në Kosovë, janë të shumëllojshme.

Shumica e atyre që janë përmendur në këtë raport, kanë të bëjnë me sfidat financiare, si: vështirësitë deri në arritjen e marrëveshjeve me shitës të mëdhenj, mungesa e trajnimeve për marketing digjital, problemet në blerjen e pajisjeve, etj.

Sipas Ernera Dushicës, hulumtuese në Institutin Gap, një prej arsyeve pse biznese si Elava nuk ndiejnë shumë paragjykime, është se operojnë brenda një tregu që perceptohet në shoqëri si më i përshtatshëm për gratë.

Si sektorë të tillë ajo veçon, ndër të tjerë, gastronominë, pastrimin dhe lulishtet.

Për më tepër, ajo thotë se gratë nuk janë shumë të vetëdijshme për paragjykimet që i përjetojnë, sa janë për sfidat financiare.

“Kur i kemi pyetur se a vëreni dallime në bazë të gjinisë, ato kanë thënë fillimisht ‘jo’. Por, kur i kemi pyetur për lidhjen e kontratave me blerës me shumicë, na kanë thënë ‘jo, unë duhet ta marr burrin me vete’ sepse shumë burra u thonë që nuk bëjnë biznes me gra”, thotë Dushica për REL-in.

Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga tremujori i parë i vitit 2023, mbi 51 për qind e burrave dhe rreth 18 për qind e grave në Kosovë janë të punësuar.

Po i njëjti raport tregon se edhe trendi i vetëpunësimit, përmes krijimit të bizneseve, është më i theksuar në mesin e burrave.

Dushica thotë se gratë janë më shumë të angazhuara në tregun joformal të punës në Kosovë dhe, për këtë arsye, kanë edhe problem në marrjen e kredive, të cilat do t’i ndihmonin në rritjen e biznesit.

“Mungesa e pasurisë formale dhe pronësisë së tokës përbën një pengesë për qasje në kredi. Gratë zotërojnë vetëm 15 për qind të pronave në Kosovë. Pikënisja s’është e njëjtë, se grave, për ta marrë një kredi për biznes, u duhet ta sigurojnë disi atë”, thotë ajo.

Sipas të dhënave të Institutit Gap, rreth 18 për qind e bizneseve të regjistruara në Kosovë, janë në pronësi të grave.

Shifra bie në pak mbi pesë për qind kur merren parasysh vetëm bizneset e udhëhequra nga gratë e komuniteteve etnike minoritare.

Albana, si drejtuese e kompanisë Elava në Klinë, thotë se po të mos i ishin dhuruar pajisjet, për të do të ishte e vështirë të hapte biznes.

“Kur kam pastruar vetë, nuk i kam pasur pajisjet e mia. Por, ende jam e re dhe kam qejf t’i arrij disa gjëra që nuk kam arritur t’i bëj më herët”, thotë Albana.

Kjo 33-vjeçare e pranon se është përballur me sfida të ndryshme gjatë fillimit të biznesit të saj, por thekson se dyshimet e të tjerëve nuk ia kishin mposhtur asnjëherë motivin për të punuar.

“Çdo sukses mund të arrihet, vetëm të mos dorëzohesh. Çdo ëndërr mund të preket, edhe qielli me dorë, nëse është sipas qejfit dhe vullnetit të vet”, thotë ajo./rel

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC

Të tjera