Lajme

Përurohet Shtegut i Lirisë “Pashtriku”, në Has-Pashtrik

Autori: Gazeta inFokus 16:46 | 15 June 2024

Në kuadër të aktiviteteve shtetërore në shënim të 25-vjetorit të çlirimit të vendit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në përurimin e Shtegut të Lirisë “Pashtriku”, Has-Pashtrik. Aty ku 25 vjet më parë ranë dëshmorë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë transportimin e armatimeve nga Shqipëria në Kosovë.

“13 dhjetori i vitit 1998, me kushte shumë të vështira atmosferike, borë, ngricë e temperatura të ulëta, nuk lëkundi vullnetin dhe përkushtimin e 147 ushtarëve në krye me Mujë Krasniqin që të marrin rrugën për realizimin e operacionit për furnizimin e UÇK-së me forca dhe armatim shtesë”, u shpreh kryeministri.

Ai ktheu në kujtesë se pikërisht më 14 dhjetor të vitit të kaluar, me nismë të Organizatës së Veteranëve të UÇK-së së Degës së Hasit, Shoqatës së Kosovës për Kërkim-Shpëtim, si dhe Federatës së Motoçiklizmit të Kosovës, dhe me mbështetje të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, filluam projektin të cilin sot po e përurojmë – shenjëzimin e “Shtegut të Lirisë” edhe si shteg garash për motoçiklistët dhe shteg ecjesh për bjeshkatarët.

-Advertisement-

“Duke ndjekur këtë rrugë, motoçiklistët do të mund të përjetojnë bukurinë natyrore të maleve tona, por edhe të mësojnë përpjekjet heroike të ushtarëve të UÇK-së. Duke sjellë në kujtesë historinë tonë të lavdishme tek të gjithë ata që e kalojnë këtë shteg duke ecur, njëkohësisht po promovojmë zhvillimin e turizmin malor dhe rural”, tha kryeministri.

E nga malet e Pashtrikut, kryeministri Kurti kishte edhe një porosit: “Përderisa ecim drejt një të ardhme të ndritur, le të mos harrojmë asnjëherë se prej nga vijmë dhe sa i lartë ishte çmimi që ka paguar populli ynë, që ne sot të mund të kemi Republikën demokratike, shtetin e pavarur, institucionet shtetërore dhe zhvillim ekonomik, me rini të talentuar dhe të pashoq kur bëhet fjalë për sukses dhe progres”.

Shtegu i Lirisë së Pashtrikut, përshkon gjatësi prej 27 km, për të kaluar nga Kruma në Cahan, nga Stanet e Pashtrikut deri te Likenet e Hasit. Federata e Motoçiklizmit të Kosovës, sot për herë të parë organizon garën “Kupa e Kosovës” me pjesëmarrës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të cilët do të nisin garën nga Likenet e Hasit për ta përmbyllur atë në Krume.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera