Lajme

Për të pagjeturit, në Serbi u gërmua 1 lokacion e 24 në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 21:13 | 05 January 2023

Në intervistë për emisionin “RTK Prime”, Andin Hoti, djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, rrëfen shumëçka nga jeta dhe puna e tij, e cila ndërlidhet kryesisht me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që nga lufta e fundit në vend.

Në këtë intervistë për RTK Prime”, Andin Hoti, kryetari i Komisionit Parlamentar për Persona të Pagjetur, deklaroi se jo të gjithë të zhdukurit janë si pasojë e veprimeve të policisë apo ushtrisë së Serbisë. Ai tha  se mbi 2.700 lokacione në Kosovë janë gërmuar në kërkim të personave të pagjetur, kurse vetëm në vitin 2022, gërmime janë kryer në 24 të tjera.

“Nga 24 lokacione, në 11 prej tyre kemi pasur gjetje, pra gjetje të eshtrave”, tha Hoti në “RTK Prime”. Ai sqaroi se këto gjetje, në numër të personave, janë 17, por identifikimi i tyre është në proces të analizave të ADN-së.

-Advertisement-

Por, fatkeqësisht Hoti tha se kur vjen puna tek Serbia, qasja e saj është krejt tjetër. Gjatë tërë vitit 2022, atje është kërkuar vetëm në një vend.

“Kam reaguar sepse kemi arritur të shkojmë edhe në Shtaval në Serbi, dhe kemi arritur të punojmë  disa ditë bashkë me delegacionin serb dhe njëanshëm Serbia e ka mbyllë lokacionin, me arsyetimin se nuk po gjendet asgjë’, thotë Hoti.

Ai rikujtoi situatën në Rudnicë dhe Kizhevak, ku për të identifikuar dhe gërmuar në këto lokacione, janë dashur dhjetë vjet kohë, pesë vjet për secilin vend.

“Serbia asnjëherë nuk ka dhënë informacione të sakta se ku janë këta persona dhe është dashur kërkesa jonë, që ua kemi bërë shteteve tona mike, për të siguruar imazhet satelitore nga lufta në Kosovë, që ekspertët të shohin përmes lëvizjeve të tokës, për të identifikuar këto varreza”.

Ai tha se në rastin e Shtavalit në Serbi, Kosova ka arritur të sigurojë imazhe satelitore vetëm për dy ditë. “Nuk ka ekspertë në botë që mund të analizojë imazhet në afat prej dy ditësh. Por po vazhdojmë të kërkojmë imazhe të tilla të cilat ende nuk i kemi pranuar”, tha Hoti.

Ai tha se kanë kërkuar edhe nga Serbia, por ata vazhdojnë të luajnë lojën e njëjtë sikurse në Kizhevak apo Rudnicë.

“Kemi pasur dëshmitarë që kanë deklaruar publikisht për dyshimet e tyre për atë varrezë”, tha Hoti, duke rikujtuar se kërcënimet e Serbisë janë të ashpra edhe ndaj vetë qytetarëve që dëshmojnë se dinë diçka për varrezat masive. “E kemi deklaratën e Ivica Daçiqit që ka kërcënuar cilindo serb që tregon për varreza të tilla”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera