PDK: Qeveria Kurti po thellon varfërinë, migrimin dhe falimentimin e firmave
Autori: Gazeta inFokus 14:37 | 15 July 2022
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci dhe Koordinatori i Departamentit për Financa në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, sot, në një konferencë për media, i kanë bërë thirrje Qeverisë që të reagojë urgjentisht në lidhje me krizën ekonomike në vend.
“Rritja e çmimeve të të gjitha produkteve esenciale, e inflacionit dhe mos veprimi i Qeverisë me pako konkrete, po bën që familjet të shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit”.
Blerand Stavileci, duke numëruar sfidat me të cilat po ballafaqohen sot qytetarët e Kosovës, ka thënë se e vetmja qeveri në botë që nuk po e pranon krizën dhe nuk po vepron për ta lehtësuar atë, është Qeveria e Albin Kurtit.
“Rëndimi i firmave kosovare me vendime të paqëndrueshme arbitrare zvogëlon të hyrat për to dhe ka efekt direkt në shkurtimin e vendeve të punës dhe rritjen e papunësisë. Papunësia krijon pasiguri. Papunësia dhe pasiguria prodhojnë kriza familjare, sociale dhe psikologjike, e krizat familjare, sociale dhe psikologjike, po prodhojnë ikjen dhe po shtojnë radhët rekorde të ikjeve para ambasadave të huaja. Familjet po shkojnë drejt varfërimit, punëtorët drejt perëndimit e firmat drejt falimentimit”, ka thënë Stavileci.
Më tej, Stavileci ka thënë se krahas pandemisë dhe krizës energjetike, armiku numër një për të gjitha familjet, punëtorët dhe firmat është bërë inflacioni.
“Qeveritarët e Albin Kurtit nuk do të duhej të silleshin si sehirxhi. Qeveria nuk është spektatore, ajo duhet të jetë aktore dhe promotore e zhvillimit. E nëse këtë s’mund ta bëjë, atëherë minimalisht le të kujdeset që qytetarëve dhe familjeve t’u ndihmojë në përballje me këto kriza”, tha Stavileci.
Ndërsa, Koordinatori i Departamentit për Financa në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, Arben Mustafa, ka thënë se ritmi me të cilin po zhvillohet inflacioni në Kosovë paraqet një shqetësim shumë serioz për ekonominë e vendit, përderisa sjellja e deritanishme e Qeverisë kundrejt këtyre zhvillimeve ka qenë neglizhente dhe e papërgjegjshme.
“Refuzimi për të përdorur instrumentet fiskale në dispozicion të Qeverisë, siç janë akciza dhe Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, ka krijuar kushtet që inflacioni të përshpejtojë ritmin e rritjes. Zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, përfshirë edhe zhvlerësimin e valutës euro ndaj dollarit amerikan, sugjerojnë se kriza e inflacionit vetëm sa do të shkojë duke u përkeqësuar”, tha Mustafa.
Më tej, ai ka shtuar se integrimi i pritjeve për inflacionin në vendimet e qytetarëve dhe firmave në Kosovë rrezikon të krijoj një valë të re inflacioni, e cila më nuk lidhet vetëm me produktet e importuara, por edhe produktet dhe shërbimet e prodhuara brenda vendit.
Ai tha se tendenca për të adresuar problemin e inflacionit përmes kontrollit të marzhave të profitit është një politikë e gabuar dhe e pa matur për disa arsye: “Së pari, para se të mendohet për kontrollin e marzhave të profitit, Qeveria duhet të ofrojë evidencë të bazuar në analiza profesionale që vërteton se rritja e çmimeve të produkteve esenciale në Kosovë po ndodhë për shkak të abuzimit me marzhat e profitit dhe jo për shkak të zhvillimeve të tregut. Së dyti, kontrolli i marzhave të profitit, që në një mënyrë paraqet edhe kontroll të çmimit, cenon funksionimin e ekonomisë së lirë të tregut, pengon konkurrencën dhe mund të prodhojë probleme shtesë për ekonominë e vendit. Së treti, disponimi i Qeverisë aktuale për të interferuar në çmimet e sektorit privat, në vend se të përdorë instrumentet e politikave ekonomike në dispozicion, rrezikon lirinë ekonomike dhe krijon pasiguri për të ardhmen e ekonomisë së lirë të tregut në Kosovë. Së katërti, përvojat ndërkombëtare tregojnë se politikat e kontrollit të çmimeve në të kaluarën janë dëshmuar si jo të suksesshme në luftën kundër inflacionit”, ka thënë Arben Mustafa. Sipas Mustafës, Qeveria nuk duhet të humbë kohë edhe më tutje duke improvizuar me masa, por kërkohet që urgjentisht ta ushtrojë rolin që i takon, duke shfrytëzuar politikën fiskale për të ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve. “Është nevojë urgjente dhe e domosdoshme që të bëhet lirimi nga TVSH-ja e mallrave esenciale të konsumit për një periudhë të caktuar dhe të largohet akciza dhe të zbritet TVSH-ja në produktet e naftës, po ashtu për një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë ai.
Të tjera
-
Memli Krasniqi: Me 9 shkurt: Guxoni. Besoni. Votoni PDK 131
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (131), Memli Krasniqi, ka adresuar ...
-
Avokatja e Veselit kërkon që disa emra në raportin e ekspertit të jenë publik, trupi gjykues s’e aprovoi
Avokatja e Kadri Veselit, Colleen Rohan kërkoi sërish sqarim për pjesën e kon...
-
Avokatja e Veselit kërkon që disa emra në raportin e ekspertit të jenë publik, trupi gjykues s’e aprovoi
Avokatja e Kadri Veselit, Colleen Rohan kërkoi sërish sqarim për pjesën e kon...
-
Njoftim për regjistrimin online të votuesve me nevoja të veçanta për votim përmes ekipeve mobile
Komisioni Qendror i Zgjedhje ka njoftuar se është duke u zhvilluar periudha p...
-
Shteti i BE me energjinë elektrike më të shtrenjtë në Evropë, politikanët po kërkojnë zgjidhje
Në Gjermani, energjia elektrike është më e shtrenjta në Evropë. Kjo rëndo...
-
Policia në Ferizaj për një javë ka shqiptuar mbi 1 mijë gjoba e ka hequr 3 patentë shoferë
Policia në Ferizaj ka njoftuar se gjatë javës së kaluar ka shqiptuar 1030 gjo...
-
Tahiri: Pas 9 shkurtit Kosova do të dal në dritë, do të jetë pjesë e NATO’së
Besnik Tahiri, kandidati për deputet me numrin 10 nga radhët e koalicionit të...
-
Bedri Hamza: Rritja e pagave është detyrim i qeverisë sime
Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka ...
-
Vrạsja e Liridona Ademajt, Prokuroria thërret konferencë për media
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, të mërku...
-
Eksperti i mjekësisë ligjore nis dëshminë në Speciale
Eksperti i mjekësisë forenzike, njëherësh gjeneticist mjekoligjor, William Go...
-
Xhafer Gashi e Linda Bekteshi marrin përkrahjen për ndryshim nga banorët e lagjes së Hashanëve në Obiliq
Kandidati i LDK-së për deputet me numër 11, Xhafer Gashi është takuar mbrëmë ...
-
Konfirmon Lajçak: Këtë javë në Bruksel mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka paralajmëruar...