Lajme

Pavarësisht krizës me energji elektrike, Kurti thotë ta ketë prioritet këtë sektor

Autori: Islam Morina 18:59 | 22 July 2022

Gazeta Infokus ka raportuar se aktualisht nga gjithsejtë 900 megavat orë energji elektrike sa janë kapacitetet prodhuese të njësive, aktualisht KEK-u është duke prodhuar vetëm 390 MW/h. Në prodhim janë vetëm dy njësi, Njësia A4 e “Kosovës A” dhe Njësia B2 e “Kosovës B”.

Po pavarësisht se vendi është në krizë energjetike, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, thotë se e ka prioritet këtë sektor, shkruan Gazeta Infokus.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës jemi duke punuar intenzivisht drejt garantimit të furnizimit, të besueshëm e të përballueshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset. Ky furnizim do të promovojë agjendën e mbrojtjes së ambientit dhe në të njëjtën kohë udhëheqë transformimin tonë socio-ekonomik, si pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik”, deklaroi kryeministri Kurti.

-Advertisement-

Albin Kurti, këto komente i bëri në Forumin e Solareve në Kosovë për vitin 2022, që ka për qëllim promovimin e investimeve në burime të ripërtëritshme të energjisë dhe është organizuar nga Ministria e Ekonomisë, me mbështetjen edhe të Agjencisë Zhvillimore USAID.

Madje Kurti ka thënë se këtë vit pret zhvillime të mëdha në këtë sektor, anise vendi gjatë dimrit që po vjen mund të përballet me krizë energjetike dhe çmime të larta të importit.

“Dhe kur këto përpjekje kombinohen me momentumin që kemi këtë vit për sektor të energjisë, jemi të sigurt që presim zhvillime të mëdha në këtë sektor”, tha më tej kryeministri.

Çmimet e energjisë elektrike sërish kanë shënuar rekord të rritjes në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht në kohën e pikut çmimet kanë shkuar deri në 700 euro për MW/h. E pikërisht në këtë kohë kur çmimet kanë prekur tavanin, Korporata Energjetike e Kosovës ka dështuar të prodhojë energji elektrike me kapacitetet gjeneruese që ka në dispozicion.

LEXO EDHE: SKANDAL: KEK-u sërish para kolapsit, vetëm 390 MW/h prodhimi e mbi 5 milionë euro importi

Sikurse në pikun e sezonës së dimrit, KEK-u është gjetur para kolapsit në prodhim të energjisë elektrike edhe në pikun e verës ku nuk po mund t’i mbulon as kërkesat e konsumit vendor që janë rreth 600 MW/h.

Ky dështim i prodhimit vendor, sipas informative të siguruara nga KEDS/KESCO vetëm në dy javët e fundit i ka kushtuar Kosovës 5 milionë euro, çmim ky që do ta paguajnë qytetarët në faturat e energjisë elektrike./Gazeta Infokus/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…

Të tjera