Lajme

Pas Kurtit, zyrtarët e VV’së nisin ta dënojnë sulmin ndaj Valon Sylës

Autori: Gazeta inFokus 12:07 | 12 April 2023

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, e ka dënuar sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla.

Ajo i ka uruar shërim sa më të shpejtë Sylës, derisa ka thënë se pret që autorët të dalin sa më parë para drejtësisë.

“I papranueshëm sulmi ndaj gazetarit dhe analistit, Valon Syla.  Përkundër mospajtimeve, dhuna është e patolerueshme dhe asnjëherë nuk mund të jetë mjet për ndalimin e fjalës së lirë apo adresimit të kundërshtimeve. Dialogu parimor, ballafaqimi i argumenteve, kujdesi ndaj fjalës së lirë, po aq sa ndaj së vërtetës, duhet të na prijë në debatet tona shoqërore e profesionale. Pres që autorët e këtij akti të dalin sa më parë para drejtësisë, kurse gazetarit Valon Syla i uroj shërim sa me të shpejtë”, ka shkruar Nagavci.

-Advertisement-

Reagimi i Nagavcit vjen disa minuta pas atij të kryeministrit Albin Kurti.

Kurti në fillim të mbledhjes së sotme të Qeverisë tha se sulmi ndaj Sylës është i patolerueshëm dhe i papranueshëm, raporton Gazeta Express.

“Më lejoni fillimisht të them se sulmi i mbrëmshëm ndaj gazetarit dhe opinionistit Valon Syla është i patolerueshëm dhe i papranueshëm. Mospajtimet në bindje dhe qëndrime nuk mund dhe nuk duhet të jenë shkas për sulme fizike. Në një shoqëri demokratike të cilën e prezantojmë dhe e promovojmë me krenari, nuk duhet të lejojmë asnjëherë që frika nga fjala e lirë të peshojë më shumë sesa liria e fjalës”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë kërkoi nga institucionet që ta trajtojnë këtë rast “me seriozitetin e duhur”, në mënyrë që autorët të vihen para drejtësisë “sa më parë”.

“Z. Syla i urojmë shërim dhe rikuperim të shpejtë, ndërkaq nga institucionet e vendit presim dhe kërkojmë që rasti të trajtohet me seriozitetin e duhur, ashtu që autorët sa më parë të vihen para drejtësisë”, tha Kurti.

Gazetari Valon Syla rreth mesnatës u sulmua nga disa persona në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë.

Ai pësoi lëndime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor, nga QKUK-ja tha se sulmuesit ishin “tre islamikë fanatikë”.

Sulmin e dënoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, por edhe organizata më e madhe e gazetarëve në Europë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
A e dini ku janë ZBRITJET ma t’mdhaja për festën e Bajramit?
-Advertisement-

Të tjera