Parashkruhet njëra vepër, ndryshohet aktakuza ndaj Sveçlës
Autori: Gazeta inFokus
10:34 | 28 August 2026
Në seancën gjyqësore ndaj Xhelal Sveçlës për rastin e gazit lotsjellës, mbrojtja ka hequr dorë nga marrja në pyetje e të pandehurit, ndërsa deklarimet e tij do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare.
Me propozim të mbrojtjes, avokati Luar Prenaj ka marrë fjalën përfundimtare. Ai deklaroi se, pas konsultimit me të pandehurin, mbrojtja heq dorë nga e drejta për deklarimin dhe marrjen në pyetje të tij, duke bërë të ditur se deklarimet do t’i paraqesë në fjalën përfundimtare.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, prokurori Avni Namani ka njoftuar se Prokuroria ka ndryshuar dispozitivin e aktakuzës ndaj Sveçlës.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, Xhelal Sveçla, më 21 mars 2018, nga ora 12:10 deri në orën 15:40, në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë mbajtjes së një seance të jashtëzakonshme plenare, dyshohet se ka përdorur bombolën e gazit lotsjellës me përmbajtje të agjentit kimik CS.
Sipas Prokurorisë, Sveçla në disa raste e ka aktivizuar bombolën dhe e ka hedhur brenda sallës së Kuvendit, pa paralajmërim paraprak dhe pa u dhënë personave të pranishëm mundësinë për t’u larguar.
Si pasojë, sipas aktakuzës, gazi irritues është përhapur në hapësirat e mbyllura të sallës, duke bërë që personat e pranishëm, nga frika për shëndetin dhe sigurinë e tyre, të detyroheshin ta lëshonin sallën dhe seanca të ndërpritej.
Prokurori Namani ka bërë të ditur se Sveçla akuzohet për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga neni 375, paragrafi 2 i Kodit Penal të vitit 2012.
Ndërkohë, Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale për veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, për shkak të parashkrimit të kësaj vepre.
Pjesa tjetër e aktakuzës ka mbetur e pandryshuar.
Pas ndryshimit të aktakuzës, seanca ka vazhduar me fjalët përfundimtare të palëve.
Bashkë me Sveçlën po akuzohen edhe ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli-Dalipi, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Salih Zyba dhe ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Drita Millaku. Por, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla mungoi në seancën e 16 janarit 2026, duke njoftuar me e-mail se gjendet jashtë vendit, andaj Gjykata vendosi të veçojë procedurën penale ndaj tij.
Në seancën e 10 prillit 2026, Sveçla u deklarua i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 6 qershor 2024 ka konfirmuar aktakuzën Sveçlës, Millakut, Zybës dhe Pacolli-Dalipit, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend në mars të 2018-ës. Kurse, vendimin e Themelores e vërtetoi më pas Gjykata e Apelit.
Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur më 26 mars 2024, katër të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
Ministri Sveçla dhe tre deputetët Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi akuzoheshin edhe për veprën penale “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, por për këtë vepër në seancën fillestare gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, kishte njoftuar se ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes penale.
“Betimi për Drejtësi”, në tetor të vitit 2021 kishte raportuar ekskluzivisht për aktakuzën e ngritur ndaj ministrit Sveçla dhe deputetëve Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 29 korrik 2019, Sveçla, Millaku, Zyba dhe Pacolli-Dalipi po akuzohen se më 21 mars 2018, rreth orës 12:10 e deri në orën 15:40, kanë ndezur disa bombola të gazit lotsjellës, të cilat i kishin hedhur brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, ku po mbahej seanca plenare.
Aty thuhet se si rrjedhojë e kësaj, të gjithë deputetët ishin detyruar ta lironin sallën e Kuvendit, me ç’rast kanë pamundësuar vazhdimin e seancës.
Me këtë, secili veç e veç akuzohen se kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 375, paragrafi 1 të Kodit Penal, kryerësi i së cilës dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet.
Kurse, sipas dispozitivit të dytë, thuhet se secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409, paragrafi 1 të Kodit Penal, pasi kanë penguar deputetët e Kuvendit të Kosovës ne kryerjen e detyrave zyrtare. Kryerësi i kësaj vepre dënohet me burgim prej tre muaj deri në tre vjet. /BetimipërDrejtësi

T� tjera
-
KEDS njofton për ndërprerje të rrymës të martën, këto janë zonat që preken
Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka njoftuar ...
-
Kënga nacionaliste serbe në Forumin e BE-së për zgjerimin shkakton polemika
Gjatë Forumit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, pas fjalimit të presidentes...
-
Çmimi i arit bie në nivelin më të ulët që nga shtatori 2025
Çmimi i arit ra sot në nivelin më të ulët që nga shtatori 2025, pasi forcimi ...
-
Gashi-Hamdiu: Nga viti 2021, Kosovës iu shtuan vetëm 30 megavatë
Ajrina Gashi-Hamdiu, ish-anëtare e Bordit të Drejtorëve të Operatorit të Sist...
-
Shkoi në punë në ëmbëltore, kur doli nuk e gjeti veturën – Mitsubishi zhduket në Dardani të Prishtinës
E parkoi veturën pranë vendit të punës, por kur doli ta kontrollonte, ajo ish...
-
Time Kadrijaj: A po keni rrymë? Neve na mbyti terri, ky është veç fillimi
Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka reaguar lidhur me ndërprerjet e energ...
-
Probleme teknike në bankat e mëdha amerikane, mijëra klientë raportojnë vështirësi në aksesimin e llogarive
Klientët e Bank of America, JP Morgan Chase, Wells Fargo dhe disa bankave të ...
-
Mustafa: VV e mohonte që Kosova tregton rrymë nga Serbia, sot e ndaluan importin
Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, ka komentuar masat e Qeverisë për çështjen ...
-
Importi i lartë rrezikon shtrenjtimin e rrymës
Rritja e konsumit dhe importit të energjisë elektrike në Kosovë po i shton sh...
-
Aksidenti tragjik në Gjermani, Latifi ngushëllon familjet e dy të rinjve që humbën jetën
Lajmi i rëndë për vdekjen tragjike të dy të rinjve nga Komuna e Rahovecit në ...
-
Maqedonci: Njohja e Kosovës nga Ukraina do të mundësonte mbështetje më të madhe
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, gjatë Konferencës për Deminimin në Ukra...
-
Sa kushton sot një litër naftë dhe benzinë? Kjo është gjendja në tregun kosovar
Rënia e çmimit të derivateve të naftës në tregjet ndërkombëtare është reflekt...





























