Lajme

Pakënaqësi rreth përzgjedhjes së 85 inspektorëve sanitarë, filluan punën pa përfunduar afati i ankesave

Autori: Gazeta inFokus 14:53 | 31 August 2021

Ministria e Shëndetësisë ka bërë përzgjedhjen e 85 inspektorëve sanitarë, të cilët do të ndihmojnë në mbikëqyrjen dhe kontrollimin e zbatimit të masave antiCOVID-19.

Këta 85 inspektorë kanë filluar punën sot, një ditë pas shpalljes së rezultateve. Këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë zyrtare në rrjetin social Facebook, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Sot filluan punën inspektorët e rijnë për mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID-19. Flamur Kadriu drejtori Ekzekutiv i Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinarisë, u uroj mirëseardhje 85 inspektorëve të rijnë të cilët janë angazhuar për mbikëqyrje të zbatimit të masave COVID 19”, thuhet në postim.

-Advertisement-

Por lidhur me përzgjedhjen e këtyre inspektorëve në adresë të Telegrafit kanë shprehur shqetësimin e tyre dy aplikantë njëherit ish- inspektorë.

Duke dashur të mbesin anonim shkaku i ankesës që kanë paraqitur në Ministrinë e Shëndetësisë, ata thanë për Telegrafin se inspektorët e përzgjedhur janë krejtësisht të rinj, dhe se shumë nga ta nuk kanë përvojë pune, e cila ka qenë njëra prej kritereve në konkurs.

Në anën tjetër, në njoftimin e bërë dje nga Ministria e Shëndetësisë, nëpërmes të cilit u bënë publik emrat e 85 personave të pranuar për inspektorë, është theksuar si këshillë juridike se kandidatët e pakënaqur mund të bëjnë ankesë brenda afatit prej 3 ditësh në Komisionin e Ankesave në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Konkursi është hap javën e kaluar, ka pas një javë kohë për të aplikuar. Kriteret e konkursit gjatë përzgjedhjes kanë qenë personat që kanë pas përvojë pune, përparësi kanë pasur personat që kanë punuar gjatë kohës së pandemisë. Ankesa ime ka qenë që në regjionin e Prishtinës prej 25 personave që janë pranuar shumica kanë qenë persona të rinj që nuk kanë qenë të angazhuar si inspektor. Unë nuk e di se cilat kritere ata i kanë plotësuar më shumë se të tjerët. Ne e kemi dërguar sot ankesën në Ministrinë e Shëndetësisë dhe na kanë thënë se ka tri ditë kemi kohë për ankesë, por të gjithë inspektorët sot janë thirr me ja fillu punës në mënyrë jashtëligjore, ende pa u përfunduar ankesa dhe pa u shqyrtu ato”, u shpreh për Telegrafin njëra nga kandidatet e cila deshi të mbetet anonim.

Ajo tregoi se vitin e kaluar ka punuar si inspektore, dhe se nuk kanë marrë asnjë shtesë nga ana e shtetit ani pse kanë punuar me orar të tej zgjatur dhe pa asnjë ditë pushim.

“Unë kam punuar një vit si inspektore brenda AUV, kemi punuar me orar të tej zgjatur deri në 17 orë në ditë, nuk kemi pasur asnjë ditë pushim. Ne kemi punuar ditë natë pa u ndal, dhe nuk kemi marrë asnjë shtesë prej shtetit dhe në fund të gjithë jemi diskriminuar në këtë konkurs”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër edhe kandidati tjetër i cili po ashtu deshi të mbetej anonim shkaku i ankesës së parashtruar lidhur me këtë konkurs, u shpreh se këta persona nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në AUV gjatë pandemisë.

“Disa nga inspektorët sanitar të pranuar në regjionin e Prishtinës janë persona të cilët nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në AUV përgjatë pandemisë (kjo pasi që sipas konkursit do të duhej të merreshin me prioritet ata me përvojë për inspektim ndaj masave anticovid), me qëllim ose “gabimisht” kanë zënë vendin e profileve të kualifikuar me përvojë të gjatë në inspektim e përveç kësaj specifikisht në zbatimin e masave antiCOVID”, u shpreh ai.



Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera