Sport

“Pa lojtarë nga Kosova, kombëtarja e Shqipërisë nuk është e fortë”

Autori: Gazeta inFokus 15:10 | 01 December 2017
Kombëtarja shqiptare do të jetë më e dobët në të ardhmen.
Kuqezinjtë do të pësojnë rënie të madhe për shkak se futbollistët kosovarë të rritur në diasporë në të ardhmen do të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës e jo më për Shqipërinë.

Kështu mendon legjenda e futbollit shqiptar Altin Rrakli, i cili ndihet i shqetësuar për këtë fakt. Sipas tij, tash e tutje konkurrenca në Kombëtare nuk do të jetë më sikur që ishte deri tash, e cila kishte sjellë rezultat pasi Kuqezinjtë ishin kualifikuar në “Evropianin 2016”, që është arritja më e madhe në historinë e futbollit shqiptar.

“Shumë futbollistë shqiptarë të Kosovës tash preferojnë të luajnë për Kosovën (sidomos pas majit të 2016-s kur Kosova u bë pjesë e UEFA-s dhe e FIFA-s). Ata do të na mungojnë neve. Presioni i konkurrencës pa ta në Kombëtare nuk është më i madh si më parë”, deklaroi ish-futbollisti shqiptar për tabloidin gjerman “Bild”.

Ngritja e Kombëtares nisi me Briegelin

-Advertisement-

Rrakli thotë se rritja e nivelit të Kombëtares shqiptare ka ndodhur që nga viti 2002, për të vazhduar deri më tash. “Pasi Hans-Peter Briegel u bë trajner i Kombëtares shqiptare në vitin 2002 gjërat shkuan duke u përmirësuar. Ai e bëri rikthimin e madh në futboll, ai na disiplinoi”, vazhdoi Rrakli.

Rrakli: Dua të bëhem trajner

Tash Rrakli jeton në Aue, ku motra e tij, e cila është e martuar me ish-futbollistin Skerdilaid Curri, jeton po ashtu. Ai, me ta përfunduar karrierën, e ka nisur një aventurë të re duke i ndjekur shkollat dhe kurset për t’u bërë trajner.

Dhe, tash është i gatshëm për ta marrë në dorë ndonjë ekip. “Do të doja të punoj si trajner. E kam licencën më të lartë për trajner. Mirëpo problemi është se në Gjermani ka shumë trajnerë mjaft të mirë dhe është e vështirë për mua të gjej punë”, shprehet Rrakli.

Ai më parë e kishte udhëhequr Kombëtaren shqiptare në konkurrencën e femrave, me të cilën nuk është se arriti ndonjë sukses.

“Unë pata kërkuar nga Federata Shqiptare e Futbollit të më angazhonin në sektorin e të rinjve, por ata ishin në kërkim të një trajneri të ekipit kombëtar të femrave dhe ma propozuan këtë pozitë, të cilën në atë kohë e pranova. Sigurisht, ne nuk mund të arrinim rezultate të mëdha me ekipin e femrave, por së paku e kemi mundur Greqinë në kualifikimet e Botërorit”, vazhdoi 47-vjeçari.

Në fund të intervistës Rrakli ka folur edhe për karrierën e tij, e cila kishte nisur në Shqipëri për të vazhduar më pas në Gjermani, ku luajti me sukses. Sulmuesi i rrezikshëm kishte zhvilluar 19 ndeshje në Bundesligë, ndërsa nga Shqipëria kishte shkuar fillimisht në ligën e dytë gjermane tek ekipi i Freiburgut.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera