Lajme

Osmani për televizionin publik kroat: Zinxhiri i provave të sulmit në Banjskë, të dërgon te ushtria serbe

Autori: Gazeta inFokus 16:27 | 11 October 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet në një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci, ka dhënë një intervistë për televizionin publik kroat, HRT.

E para e shtetit ka pohuar se Serbia ka kryer agresion në shtetin e Kosovës, transmeton Telegrafi.

“Nuk do të thosha se bëhet fjalë për rritjen e tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës sepse kështu do të thotë se faji është i përbashkët. Kjo është narrativa e Serbisë dhe Rusisë dhe nuk bëhet fjalë për këtë. Është një akt agresioni i kryer nga Serbia. Nga njëra anë kemi një agresor të qartë që përdor forcat paramilitare dhe sulmoi territorin e Republikës së Kosovës, e cila është viktimë e atij sulmi. Prandaj, nuk mund të flasim për ndonjë faj të përbashkët sepse Kosova në asnjë mënyrë nuk ka dhënë një motiv për këtë sulm të planifikuar”, pohoi ajo.

-Advertisement-

Presidentja shtoi më tutje se armët që i kanë konfiskuar në veri të Kosovës janë prodhuar në Serbi dhe se kjo na dërgon drejt ushtrisë serbe.

“Është një akt që synon aneksimin e pjesës veriore të Kosovës dhe nuk do të ndalej me kaq, por do të destabilizonte të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në të vërtetë, ligjet për të cilat flas janë të qarta. Shteti serb ka kohë që e financon hapur Brigadën e Veriut dhe Mbrojtjen Civile, sidomos muajt e fundit. Stërvitja e tyre u zhvillua në objektet dhe bazat ushtarake serbe, në livadhet e Pasuljanskit dhe në baza të tjera ushtarake. Për këtë ka dokumentacione dhe materiale të regjistruara. Industria ushtarake serbe prodhoi armët që ne i konfiskuam, të cilat i përkisnin Brigadës së Veriut dhe Mbrojtjes Civile, pasi më parë i përkisnin vetë ushtrisë serbe. Prandaj, zinxhiri i provave të dërgon në ushtrinë serbe. Dhe për më tepër, vetë Vuçiq është i lidhur me Milan Radoiçiqin, i cili është udhëheqësi i atij sulmi terrorist”, deklaroi Osmani.

Duke përgjigjur pyetjes se pse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq thotë se Beogradi nuk përfiton nga sulmi, ai mohoi grumbullimin e trupave ushtarake në kufijtë me Kosovën dhe thotë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fakt është shkaktari i problemit sepse po terrorizon serbët e Kosovës, presidentja deklaroi se kjo është tipike për Vuçiqin, nuk do të prisnim asgjë tjetër nga dikush që ishte ministër i propagandës së Millosheviqit dhe i qeverisë së Millosheviqit.

“Kjo është diçka në të cilën ai është më i miri dhe kjo është propagandë. Jam dakord me ju, vërtet Serbia nuk përfiton nga ai sulm, por është një argument i arsyeshëm. Fatkeqësisht, lidershipi serb nuk është i arsyeshëm dhe nuk e ka parasysh përparimin e Serbisë, paqen dhe stabilitetin afatgjatë të këtij rajoni. Fatkeqësisht, sot Serbia sundohet nga i njëjti mentalitet i viteve nëntëdhjeta dhe duan të na kthejnë në atë epokë”, pohoi presidentja.

Ndryshe, Osmani gjatë qëndrimit në shtetin kroat ka takuar presidentin e atij vendi, Zoran Milanoviq si dhe kryeministrin, Andrej Plenkoviq.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Black Friday ne Artmotion
-Advertisement-

Të tjera