Lajme

Osmani për CNN: Serbia na sheh si shtet i përkohshëm, por ne jemi këtu për të qëndruar si komb i pavarur dhe sovran

Autori: Gazeta inFokus 20:16 | 14 April 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq, bën një propagandë të mirë për dënimin e agresionit rus në Ukrainë, derisa në realitet vepron krejt ndryshe.

“Ai [Aleksandar Vuçiq] voton pro rezolutës së OKB-së, por kur duhet të ndërmarrë veprime kundër Rusisë dhe Bjellorusisë, qoftë ekonomike apo të tjera, ai asnjëherë nuk i ndërmerr këto veprime. Në fakt, Beogradi është i vetmi kryeqytet evropian, ku janë organizuar protesta pro Putinit me mbështetjen e plotë të qeverisë, ashtu si edhe të opozitës”.
“Më duhet t’jua rikujtoj se presidenti i sotëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shërbyer si ministër i Propagandës në pushtetin e Millosheviqit. Ai është shumë i mirë të bëjë propagandën që Rusia e mbështet”.

Osmani, në një intervistë dhënë për gazetaren e njohur të CNN-it, Christiane Amanpour, ka thënë se Vuçiq ka afruar Serbinë me Rusinë si asnjëherë më parë.

-Advertisement-

Ajo tha se Kosova, që Serbia e sheh si shtet të përkohshëm, do të mbrojë me çfarëdo çmimi pavarësinë dhe sovranitetin e vet, njofton Klankosova.tv.

“Në 10 vjetët e fundit, ai ka arritur të rrisë bashkëpunimin politik, ushtarak dhe ekonomik me Rusinë në nivelin që nuk ka qenë asnjëherë më parë. Vetëm një shembull, në 2012 numri i ushtrimeve ushtarake mes Serbisë dhe Rusisë ka qenë 2 në vit, derisa tani është më shumë se 100 në vit. Ditëve të sotme shohim marrëveshje për blerjen e armëve mes Serbisë dhe Rusisë si dhe Serbisë dhe Kinës dhe kjo na shqetëson të gjithëve në rajonin tonë. Sa më shumë armë që blejnë, aq më shumë bëjnë përpjekje destabilizuese ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Serbia vazhdon të na shohë si shtete të përkohshme, çka qartazi nuk është e vërtetë. Ne jemi këtu për të qëndruar si kombe të pavarura, sovrane, dinamike dhe demokratike. Do të mbrojmë atë që kemi arritur dhe jemi gati të paguajmë çfarëdo çmimi për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin e pavarur dhe sovran që e kemi sot”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare

Të tjera