Lajme

Osmani: Nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë

Autori: Gazeta inFokus 13:16 | 26 March 2023

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe sot në 24-vjetorin e masakrës, në Krushë të Madhe të komunës së Rahovecit.

Me këtë rast, Osmani ka lartësuar figurat e gjithë të rënëve për liri, duke i quajtur frymëzim për të gjithë popullin.

E para e vendit tha se nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë.

-Advertisement-

“Sot dhe gjithnjë nuk do të ndalemi se kërkuari që autorët të vihen para drejtësisë dhe që fati i tyre të zbardhet. Asnjëherë nuk duhet të heshtim e të dorëzohemi në kërkim të drejtësisë për jetët e pafajshme. Ne duhet të besojmë e të angazhohemi të gjithë së bashku për ta mbrojtur të vërtetën, e cila po tentohet të tjetërsohet. Kosova bëri luftë të drejtë e çlirimtare, ndërkaq Serbia ka kryer gjenocid ndaj popullit tonë.

Krusha e Madhe është ndër rrëfimet më të tmerrshme të luftës tonë dhe ky rrëfim ende nuk ka mbaruar. Ideja e intelektualit, Ukshin Hoti ende nuk është përmbushur, sepse ende nuk kemi drejtësi për viktimat. Nuk mund të ketë paqe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë. Ne synojmë paqen, por nuk do të heshtim asnjëherë, duke mbajtur të gjallë kujtesën për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë. Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por kemi mundësi ta ndërtojmë të ardhmen mbi respektin që kemi për gjithë ata që dhanë jetën për liri”, është shprehur Osmani.

Të gjithë të rënët e të zhdukurit për liri i ka kujtuar edhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai ka kërkuar nga ndërkombëtarët të kenë në konsideratë sakrificat që ka bërë populli shqiptar dhe në këtë formë të dënohen gjithë ata që kanë bërë krim në Kosovë.

“Përgjigjen që i dhanë aleatët tanë, NATO me SHBA-të është përgjigjja që është dashur t’i jepet Serbisë e Rusisë që nga fillimi. U vranë gra e fëmijë pleq e femijë të pafasjshëm e të pambrojtur me fajin e vetëm që ishin shqiptar. Duke djegur e zhdukur gjurmët serbët menduam se nuk ka krim, por kanë gabuar, sepse populli ynë nuk harron asgjë.

Filli i jetës nuk u këput siç donin armiqtë tanë, klithmat e tyre duhet t’i dëgjojë perëndimi, sepse pa u bërë drejtësia në këtë aspekt nuk duhet bërë paqe e as pajtuar me kriminelët. Duam të besojmë se faktorët ndërkombëtarë do të kenë në konsideratë sakrificat tona. Po ashtu, kërkojmë që luftëtarët e lirisë të lihen të lirë. Drejtësia e vonuar nuk është drejtësi. Urdhërdhënësit dhe zbatuesit e politikës së tokës së djegur duhet të identifikohen e gjykohet për krimet e bëra”, ka thënë Latifi.

Përfaqësuesi i Shoqatave të dala nga lufta, Ejup Kabashi ka deklaruar se dëshmia më e madhe që ka kryer gjenocidi serb është gjaku i të rënëve për liri.

Presidentja Vjosa Osmani është duke bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël.

Kujtojmë që, homazhe në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël ka bërë sot në mëngjes edhe kryeministri Albin Kurti./kp/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera