Lajme

OKB bën thirrje për armëpushim treditor në Sudan për festën e Bajramit

Autori: Gazeta inFokus 21:27 | 20 April 2023

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje të enjten për armëpushim treditor në Sudan, në ditët kur shënohet Festa e Bajramit.

Ai ka thënë se gjatë këtyre ditëve, civilët e bllokuar do të mund të marrin trajtim mjekësor dhe të furnizohen me ushqime e produkte tjera të domosdoshme.

Guterres nuk e ka specifikuar kur duhet të nisë armëpushimi.

-Advertisement-

Festa e Bajramit shënohet në Sudan prej të premtes.

Prej nisjes së luftimeve mes trupave sudaneze dhe forcës paraushtarake, të shtunën, ai ka thënë se operacionet humanitare janë bërë “virtualisht të pamundshme” dhe se makinat për ndihmë janë sulmuar, plaçkitur ose konfiskuar.

Dy punëtorë të Programit të Kombeve të Bashkuara për Ushqim, janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur, si pasojë e luftimeve në këtë shtet.

Kombet e Bashkuara kanë rreth 4.000 punëtorë në Sudan, 800 prej të cilëve janë staf ndërkombëtar.

Sipas këtij institucioni, para se të shpërthente lufta në këtë shtet, një e treta e 16 milionë banorëve kanë pasur nevojë për ndihmë humanitare.

Historiku i luftimeve

Prej puçit të tetorit të vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve.

Në qendër të problemit janë dy burra ushtarakë.

Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është udhëheqës i forcave të armatosura dhe faktikisht është edhe president i shtetit.

Si dhe zëvendësi i tij dhe lideri i forcës paramilitare RSF, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti.

Ata nuk janë pajtuar për drejtimin që e ka marrë shteti dhe kanë propozuar udhëheqësi civile.

Por, një prej pikave bllokuese lidhet me planin për të përfshirë 100.000 pjesëtarët e forcës paramilitare në ushtri dhe se kush do të jetë më pas në krye të saj./REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera