Lajme

Njeriu që e njeh Ballkanin në gishta, merr detyrën e Koordinatorit të SHBA-së për sanskione

Autori: Gazeta inFokus 18:33 | 14 April 2022

Ardhja e Joe Bidenit në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte parë si një sinjal që do t’i lëvizte gjërat përpara në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Kjo, për shkak se presidenti Biden e njeh mirë rajonin dhe problemet më të cilat ballafaqohet Ballkani, shkruan Gazeta Express.

Pasi e kishte bërë një vit në krye të Shtëpisë së Bardhë, raportohej se si Biden duke e trajtuar Ballkanin Perëndimor si prioritet, do të ndryshonte komplet mozaikun e njerëzve që përfaqësojnë Amerikën dhe diplomacinë amerikane në rajon.

Në media të rajonit, gjatë fundit të vitit 2021 shkruhej për një “pesëshe speciale” diplomatësh që Biden do ta instalonte në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me qëllim të shtyrjes përpara të agjendës amerikane në këtë pjesë të globit.

-Advertisement-

E një nga metodat përmes së cilës do të shtyheshin përpara agjendat e politikës së jashtme ishte thënë se do të jenë edhe sanksionet. Kështu ishte paralajmëruar nga një urdhër ekzekutiv që Joe Biden kishte nxjerrë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar sanksione për gjithë ata që synojnë minimin e sigurisë në këtë pjesë dhe që tentojnë të minojnë marrëveshjet si ajo e Dejtonit, Ohrit, Prespës e të tjera.

” (iii) të jesh përgjegjës ose bashkëpunëtor, ose të përfshihesh drejtpërdrejt ose indirekt në një shkelje, ose një akt që ka penguar ose kërcënuar zbatimin, të ndonjë sigurie rajonale, paqeje, bashkëpunimi ose marrëveshjeje ose kornize të njohjes reciproke ose mekanizmi i përgjegjësisë në lidhje me Ballkanin Perëndimor, përfshirë Marrëveshjen e Prespës të vitit 2018; Marrëveshja Kornizë e Ohrit e vitit 2001; Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara; Marrëveshjet e Dejtonit; ose Konkluzionet e Këshillit të Konferencës për Zbatimin e Paqes të mbajtur në Londër në Dhjetor 1995, duke përfshirë vendimet ose konkluzionet e Përfaqësuesit të Lartë, Këshillit të Zbatimit të Paqes ose Bordit Drejtues të tij; ose Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish Jugosllavinë, ose, në lidhje me ish Jugosllavinë, Mekanizmi Ndërkombëtar i Mbetjeve për Tribunalet Penale“, thuhej në urdhërin ekzekutiv të presidentit Amerikan, raporton Express.

Kjo pesëshe është kompletuar tek sot, kur Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka njoftuar se James O’Brien ka marrë detyrën e tij si koordinator për sanksione, diplomat me përvojë 30 vjeçare dhe me njohuri të jashtëzakonshme për Ballkanin Perëndimor, Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.

“Ne e mirëpresim ambasadorin Jim O’Brien si Koordinatori i ri i Sanksioneve i Departamentit të Shtetit. Jim do të luajë një rol vendimtar në formësimin e politikës sonë të sanksioneve për të promovuar përgjegjësinë për korrupsionin dhe abuzimin e të drejtave të njeriut dhe për të penguar aktivitetet që kërcënojnë sigurinë tonë kombëtare”, ka shkruar Blinken teksa ka njoftuar për emërimin e O’Biren si Koordinator.

James C. O’Brien do të jetë kreu i Zyrës së Koordinimit për Sanksionet, post ky i ri në administratën amerikane dhe pozita e tij do të ketë autoritet të ngjajshëm me atë të një ambasadori.

Gjatë një seance dëgjimore në Senatin Amerikan gjatë janarit të këtij viti, O’Brien kishte treguar se ai ka punuar për 30 vjet me legjislacionin amerikan që përfshin edhe sanksione. Diplomati amerikan kishte shpjeguar se ka 20 nivele të sanksioneve, duke shtuar se ato janë pjesë integrale e strategjive të politikës së jashtme amerikane.

Sipas tij, sanksionet janë vendosur me qëllime të qarta me më shumë se 950 persona të shënjestruar në vitet e kaluara.

“Kam parë se sa të rëndësishme janë këto sanksione dhe e di se janë jetike. Ne duhet të sigurohemi që këto sanksione të zbatohen plotësisht”, kishte deklaruar O’Brien.

Tutje kishte deklaruar se janë qindra njerëz në administratën amerikane që punojnë për këtë çështje, duke përfshirë njerëz nga shërbimet e inteligjencës.

“Ka qindra zyrtarë nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit, si dhe agjenci të tjera, të cilat promovojnë antikorrupsionin, të drejtat e njeriut, luftën kundër terrorizmit, kundër narkotikëve dhe në mbrojtjen e parimeve të tjera thelbësore të politikës së jashtme amerikane”, tha ai.

O’Brien në fillim të këtij viti kishte thënë se administrata amerikane ka identifikuar persona të cilët do të goditeshin shumë shpejtë me sanksione.

“Sanksionet janë thelbësore në luftën kundër korrupsionit pasi korrupsioni konsiderohet nga Shtetet e Bashkuara si një kërcënim për demokracinë”, kishte thënë O’Brien në Senat.

Sipas tij, sanksionet jo vetëm që duhet të arsyetohen mirë, por duhet të përmbushin edhe objektivat e tyre.

James O’Brien gjatë viteve të 90-ta ka shërbyer si i dërguar i posaçëm presidencial për Ballkanin, me përgjegjësi për politikën diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë të SHBA-së në këtë zonë. Përveç kësaj, O’Brien ka vepruar si Zëvendës Drejtor i Zyrës së Planifikimit të Politikave të Departamentit të Shtetit dhe si këshilltar i lartë i Ambasadores dhe Sekretares së Shtetit të OKB-së, Madeleine Albright.

Nga këto pozicione, O’Brien kishte ndihmuar në formulimin e Marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, e cila i dha fund luftës në Bosnje; dhe udhëzoi mbështetjen e SHBA-së për Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, e cila ndihmoi në sjelljen para drejtësisë të personave përgjegjës për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit.

Para emërimit të O’Brien si koordinator për sanksione, administrata e Joe Biden ka emëruar si ambasador të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, në Kosovë e ka caktuar Jeffrey Hovenierin dhe në Bosnje e Hercegovinë, Chris Murphyn. Këtij grupi prej katër personash, iu shtohet edhe emisari Special i Departamenti të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pritet të shihet se cili do të jetë impakti i këtij grupi ambasadorësh, të cilët kanë marrë detyrat e tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor në një kohë tejet të brishtë, me Ukrainën në krye të listës së prioriteteve pas agresionit të Rusisë.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Rëndësia e komunikimit efektiv midis Familjes dhe Kopshtit

Të tjera