Lajme

Njeriu pa dorëza

Autori: Gazeta inFokus 20:50 | 15 September 2020

Adem Mikullovci nuk qe bërë ashtu siç kishin dëshiruar i ati dhe e ëma i tij. Babai kishte dashur që ai të bëhej avokat, e ëma- doktor, ndërsa vetë kishte zgjedhur të bëhej aktor. Kur kishte shkuar në audicion në Beograd me synimin që të bëhej pjesë e Akademisë për Teatër dhe Film, kishte takuar të parin dhe të vetmin shqiptar që studionte në atë Akademi, Bekim Fehmiun, shkruan AktivPress.

Ademi kishte dëgjuar për të, por nuk e kishte marrë mundin për ta kërkuar. Ndryshe kishte vepruar Bekimi. Ai e kishte gjetur atë dhe e kishte pyetur se çfarë kishte përgatitur për audicion. Kur ky ia kishte treguar tekstet e monologjeve në gjuhën serbe, Bekimi ia kishte këputur shpresat për pranim. I kishte thënë haptas: Nuk do të pranohesh!

Kriteret kishin qenë të ashpra dhe konkurrenca e jashtëzakonshme- mbi 500 veta për 8 vende. Por, për të mos e lënë të kthehej në Kosovë i dështuar, Bekimi i kishte dhënë një këshillë. I kishte thënë: Bëje një tekst shqip- një poezi shqipe të mirë që përçon emocion.

-Advertisement-

Dhe Ademi e kishte dëgjuar!

“Hyra i pari në provim. Pasi i thash ato tekstet serbisht para 10-15 profesorëve në sallë që ishin juri, u thash: A ka mundësi me recitu edhe një vjershë në gjuhën shqipe. Një profesor tha:  Hajt ta dëgjojmë! Unë rashë në gjunjë dhe po plot emocion ia nisa: ‘Nënë moj mbaj zi për vëllanë, me tre plumba na e vranë…’ Kur kam mbërri kah gjysma e vjershës, një profesor tha: Mjaft! ‘Çfarë na the nuk e dimë, por ka emocion! U pranove- dil përjashta!”, kështu e rrëfente Mikullovci momentin që i kishte dhënë orientim në rrugën prej aktori.

Poezia të cilën e kishte recituar ishte “Syrgjyn vdekur”, një elegji e Fan Nolit, kushtuar Luigj Gurakuqit.

Një vit para se të ndahet nga jeta, Mikullovci pati rrëfyer në emision “n’Konak”, prodhim i Gazetës inFokus, se më vonë Bekim Fehmiu i kishte treguar se çfarë kishte thënë një profesor që kishte qenë në sallë kur e kishte dëgjuar këtë poezi.

“Pas dy- tri fjalive më është rrëqethur trupi nga toni dhe nga teksti se si e fliste ai djalë”, kishte thënë profesori.

Duke qenë kështu, pranimin në Akademi, Adem Mikullovci ia dedikonte kryekëput Bekim Fehmiut, ikonës së filmit që ka ndërruar jetë në vitin 2010.

Ademi e kishte lënë Akademinë në Beograd për t’u kthyer në Prishtinë, dhe përgjatë jetës së tij luajti e krijoi qindra role e shfaqje artistike.

Ademi si politikan

Pas një karriere të gjatë si aktor, Mikullovci, u bë edhe pjesë e politikës. Në vitin 1990 ishte në mesin e delegatëve të Kuvendit të Kosovës të cilët nuk e pranuan suprimimin e autonomisë së vendit nga Serbia dhe e miratuan Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut- e shpallën Kosovën Republikë.

Rreth tri dekada më vonë, në vitin 2017, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Si deputeti më i vjetër i asaj legjislature, i takonte ta udhëhiqte seancën konstituive.

Atë ditë, siç shkruan AktivPress, ai kishte zgjedhur t’i recitonte disa vargje të Azem Shkrelit, për t’ua hapur sytë të gjithë atyre që kishin marrë besimin e popullit.

Dhe vargjet ishin: “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy”.

Ademi ishte i drejtpërdrejt dhe nuk e kishte merakun nëse e lëndonte këdo që ai nuk e shihte se është në rrugë të drejtë.

Fliste pa dorëza.

Kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër i pati thënë si burri-burrit që të dilte në foltore dhe t’u thoshte deputetëve: Ju ma keni dhënë mandatit- e unë po e dorëzoj tash se nuk po mundem, e nuk po di”.

Kryeministrit të asokohshëm ai nuk ia bënte hallall një gjë.

“Unë t’i fali të gjitha, por nuk ta fali që ndërrove qëndrim për demarkacionin (v.j shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ku Kosovës iu morën mbi 8 mijë hektarë)”, i pati thënë Mikullovci.

Të rrezikshme i shihte edhe politikat e presidentit Hashim Thaçi.

Një ditë, ai iu pati drejtuar qytetarëve me një apel për të protestuar kundër koncesioneve të mundshme në dëm të shtetit, duke treguar në mënyrë metaforike se si e kishte parë Thaçin në ëndërr.

“Mbrëmë e pashë një ëndërr të çuditshme. I hyra në zyrë presidentit, e kapa për jake dhe i bërtita: zgjohu burrë, zgjohu se na more në qafë. Zgjohu dhe shikoje fukarallëkun që e ka kapluar Kosovën, shikoje rininë kah bredhë rrugëve të papunë e me duar në xhepa. E këtë situatë e ke pru ti me politikat e t’ua të mbrapshta. Zgjohu! Ai nuk u zgjua, por u zgjova unë i frikësuar, i djersitur, por besa edhe i vendosur”, ishte mesazhi i Mikullovcit drejtuar qytetarëve.

Ai nuk hezitonte ta shpotiste Kadri Veselin kur nuk e kuptonte se çfarë thoshte gjatë udhëheqjeve të seancave parlamentare, por nuk thyhej shpirtërisht as kur një politikan i kamur si Behgjet Pacolli “nuk e shihte” rrugës.

Politikani i vjetër e pranonte se i druhej dështimit të Albin Kurtit, jo pse dyshonte në aftësitë e tij, por për shkakun se populli do të priste prej tij që t’i zgjidhte të gjitha problemet si me shkop magjik.

Kërkesa e Ademit

Aktori, skenaristi, producenti dhe politikani, Adem Mikullovci, nuk mendonte vetëm për vete, shkruan AktivPress. I dhembte shpirti kur i shihte njerëzit e artit të lënë pa përkujdesje nga shteti.

Ai kërkonte të paktën që njerëzve  që kanë lënë gjurmë në artin dhe kulturën shqiptare t’u jepej një pension artistik.

“Duhet të merret një vendim për njerëzit që kanë lënë gjurmë në kulturë. Ky numër i këtyre njerëzve është shumë i kufizuar, një numër shumë i vogël. Nuk po di mbase ta formuloj saktë, por ky duhet të jetë njëfarë lloj Nobeli. Këtu kërkohet një nderim, një status i veçantë për njerëzit e rrallë”, thoshte Mikullovci.

Ai nuk donte t’i shihte njerëzit në varfëri.

“Ku ka edhe i varfër edhe i lirë, ku ka njeri më të robëruar se i varfëri”, thoshte Mikullovci.

Ai e ndjente se nuk e kishte të largët largimin nga kjo botë.

Gjashtë muaj më parë, kur ndërroi jetë aktorja Leze Qena, ai bëri një dedikim shumë emocional.

“Po e lëshoj perden, dhe po i fiku dritat…Teatri i jonë Leze – u mbyll”.

Shfaqjen e fundit e dha para familjes dhe vdiq në krahët e bashkëshortes. /AktivPress/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera