Lajme

Nga protestat paqësore në trazira të dhunshme në Tiranë, Rama nuk lëshon pe për dorëheqjen

Autori: Gazeta inFokus 15:51 | 15 Tetor 2026

Kryeqyteti shqiptar u zgjua edhe sot me pamjet e trazirave të dy ditëve të fundit: ndërtesa të djegura, vitrina të thyera dhe rrugë të mbushura me mbetje barrikadash. Ndërkohë, studentët janë sërish në rrugë dhe protesta është shtrirë edhe në disa qytete të tjera.

Tensionet shpërthyen të martën, kur një grup studentësh u mblodh para Ministrisë së Arsimit. Ata protestonin kundër kostove në rritje të studimeve dhe kundër korrupsionit. Tubimi u kthye shpejt në përleshje. Protestuesit hodhën gurë, tulla dhe kapsolla, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë.

Dita e dytë ishte edhe më e rëndë. Iu thye porta ndërtesës së Kuvendit, u dogjën objekte institucionale dhe biznese private, ndërsa rrugët u mbushën me kontejnerë të përmbysur e të djegur, të përdorur si barrikada. Bilanci deri tani është dhjetëra të lënduar, qytetarë dhe policë, dhe një numër në rritje të arrestuarish.

-Advertisement-

Kryeministri Edi Rama e përjashtoi çdo mundësi dorëheqjeje. Në një deklaratë për Reuters, ai tha se dhuna po e dëmton rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Rama u paraqit sot në mëngjes në ambientet e djegura të Kolegjit të Europës dhe këmbënguli se pas trazirave nuk qëndrojnë studentët, por opozita.

Edi Rama flet për Reuters: S’jap dorëheqje, vitin e kaluar kishim zgjedhje, s’erdha me revolucion

Zyra e Bashkimit Europian në Shqipëri, në një deklaratë publike sot dënoi “dhunën e përshkallëzuar dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”.

Studentët, nga ana e tyre, thonë se nuk do të tërhiqen. Ankesat e tyre lidhen me kushtet në universitete, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes financiare nga shteti dhe vështirësinë për të gjetur punë pas diplomimit. Ata po bëjnë thirrje për bojkot të mësimit dhe për tubime më të mëdha.

Kjo valë protestash është pjesë e “Revolucionit të Flamingove”, lëvizjes që nisi në pranverë kundër projektit të një resorti luksoz në Zvërnec, pranë Vlorës, i lidhur me Jared Kushner. Me kalimin e muajve, lëvizja doli përtej çështjes mjedisore dhe u kthye në kërkesë për largimin e Ramës. Pjesëmarrja në protestat e përnatshme kishte rënë dukshëm gjatë verës, deri sa studentët e rikthyen zemërimin në qendër të vëmendjes këtë javë.

Organizatorët kujtojnë edhe protestat studentore të dimrit 2018, kur mijëra të rinj kërkuan ulje tarifash dhe kushte më të mira në konvikte. Sipas tyre, ato kërkesa nuk u plotësuan kurrë plotësisht. Qeveria atëherë uli disa tarifa, por problemet me financimin e universiteteve dhe cilësinë e arsimit mbeten. Kësaj radhe, kërkesat shkojnë përtej arsimit./GazetaInfokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy