Lajme

Nga këto shtete u “importuan” 9 rastet me Omicron

Autori: Gazeta inFokus 20:57 | 26 December 2021

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se kanë identifikuar 9 rastet e para me variantin e ri të koronavirusit- Omicron.

Sipas njoftimit të lëshuar për media, nga 9 rastet e reja, 5 prej tyre janë “importuar” nga jashtë.

”2 raste janë të importuara nga SHBA-të, 2 raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar, 1 rast është i importuar nga Franca”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Njoftimi i plotë:

IKSHPK detekton 9 raste të variantit Omicron të SARS-COV-2

Prishtinë, 26 dhjetor 2021

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike i Kosovës ka bërë të ditur se, sot, më 26 dhjetor 2021, në laboratorin e Mikrobiologjisë molekulare, Departamenti i Mikrobiologjisë të IKShPK, janë testuar 22 mostra pozitive në SARS-CoV-2, të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021.

Nga këto mostra, nëntë (9) prej tyre kanë rezultuar pozitive në prani të variantit Omicron (B.1.1.529).

Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste:

· 2 raste janë të importuara nga SHBA-të,
· 2 raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar,
· 1 rast është i importuar nga Franca; dhe
· 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historine e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.

Testimi është kryer me RT PCR dhe kit-e shtesë të pranuar përmes OBSh-së.
Pas paraqitjes së variantit Omicron (B.1.1.529) në botë, Evropë, rajon e tashmë edhe në Kosovë, parashikohet që të rëndoj situatën epidemiologjike.
Ky variant, në bazë të të dhënave të deritanishme nga bota, ka një përhapje edhe më të shpejtë se varianti Delta Plus.

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u bëjnë thirrje qytetarëve që ti zbatojnë me përpikëmëri masat në fuqi dhe që të vaksinohen dhe ti inkurajonë tjerët për vaksinim. Kosova disponon me vaksina të miratuara për përdorim nga trupat më relevant botërorë. Vaksinimi mund të bëhet kurdo, pa termin, pavarësisht vendbanimit e shtetësisë.

Të tjera