Opinione

Në dorë të asambleistëve

Autori: Gazeta inFokus 15:58 | 29 September 2017

Shkruan: Imer Mushkolaj

Ata mund të mos jenë të “edokuar” mirë, mund edhe të mos tregohen të “sinçert” në premtimet e veta. Por nesër, shumë nga këta njerëz që po kërkojnë votën për të qenë pjesë e kuvendeve komunale, do të marrin vendime të rëndësishme për jetën tonë. Të gjithë ne do të varemi nga votat e tyre.

Një debat i përzier me ironi e hajgare të shumta ka shpërthyer në rrjetet sociale për njerëzit që kandidojnë për të fituar një vend në kuvendet komunale, e që në gjuhën e përditshme njihen si asambleistë. Rrjetet sociale, si asnjëherë më parë, kanë ofruar mundësinë që publiku të njihet me ta, të njihet me shkollimin e përvojën e tyre të punës, të njihet me aftësitë e shkathtësitë e tyre, që ata kanë zgjedhur vetë t’i prezantojnë. Jo rrallë me qasjen dhe mënyrën e komunikimit ata po shndërrohen në target të talljeve e shpotitjeve nga më të ndryshmet.

-Advertisement-

Mbi 7000 kandidatë konkurrojnë në zgjedhjet e 22 tetorit për të zënë vende në kuvendet komunale. Thuajse të gjithë po i shfrytëzojnë rrjetet sociale për t’u promovuar. Një mundësi e lehtë dhe me kosto të vogël, por edhe një mundësi e mirë që për ta të krijohet një përshtypje e përgjithshme në bazë të të dhënave që kanë zgjedhur t’i publikojnë. Dhe, në prezantimet e shumë prej tyre, “margaritarët” nuk kanë fund. Kur lexon si e çfarë shkruajnë, njeriu nuk e di nëse duhet qeshur apo qarë.

Ka nga ata që kanë përfunduar Fakultetin e “Edokimit”, ka të tjerë që e shohin të nevojshme të tregojnë se sa vështirë e kanë pasur të vendosin për të kandiduar menjëherë pas përfundimit të studimeve, të tjerë që vënë Msc. përpara emrit, si për të treguar se kjo shkurtesë bën diferencën krahasuar me të tjerët. Nuk mungojnë as thirrjet për t’ua dhënë besimin në stilin “unë jam zëri yt”, “me mua nis ndryshimi” e budallallëqe të tjera të këtij lloji. Një pasqyrë që tregon se në çfarë krize është shoqëria që prodhon të tilla profile, që nesër vendosin për të ardhmen tonë.

* * *

Përtej hajgareve e ironisë, muhabeti rreth asambleistëve duhet të jetë shqetësues. Shqetësues në kuptimin se shumë nga këta njerëz janë prodhim yni, prodhim i kësaj shoqërie, rezultat i qeverisjes së kësaj klase politike që për vite të tëra ka përkrahur një mënyrë mndimi e veprimi që prodhon mediokër me shumicë, që krijon analfabetë me diploma, të atillë që kanë pëfunduar Fakultetin e “Edokimit”, e që nesër synojnë t’i edukojnë fëmijët tonë.

Të mos keqkuptohemi, listat për asambleistë janë plot njerëz të mirë, të përgatitur profesionalisht e me integritet. Nuk po flas për ta. Po flas dhe duhet të flasim për të tjerë që shpërfaqin gjithë paditurinë e injorancën që i karakterizon.

Por, çfarë mund të bëjnë qytetarët karshi një ofertë të tillë, karshi një konkurrence të tillë për të zënë një vend në kuvendet komunale? Natyrisht, t’i votojnë ata që mendojnë se ia vlejnë, duke i ndëshkuar të tjerët që kanë gjetur vend në lista aksidentalisht, në shumë raste për shkak të nevojës së partive politike për t’i mbushur ato.

Por, sigurisht, kuvendarë komunalë do të zgjedhen edhe të tjerë që konsiderohen joseriozë, joprofesionistë, mediokër. Vetëm mund të paramendohet niveli i ayre që votojnë për ta, që iu japin atyre mundësinë t’i përfaqësojnë “denjësishtë”.

* * *

Asambleistët, profesionistë a mediokër, janë ata që do të vendosin për jetën tonë gjatë katër vjetëve të ardhshëm. Ata marrin vendime të rëndësishme, fort të rëndësishme, që nga çështjet e infrastrukturës e urbanizmit, deri te arsimi e shëndetësia.

Qytetarët, me votën e tyre, e kanë në dorë cilësinë dhe profesionalizmin e kuvendeve komunale. Më pas, asambleistët i kanë në dorë qytetarët. Andaj, është shumë e rëndësishme se kujt t’i jepet vota. Është shumë e rëndësishme që vota të shkojë për meritorët, e jo mediokrit. Është e rëndësishme që vota të mos jepet blanko vetëm pse dikë nga kandidatët mund ta kemi familjar a të afërm, por që nuk e meriton të bëhet pjesë e kuvendit.

Shumë nga kandidatët për asambleistë mund të mos jenë të vetëdishëm për rëndësinë që kanë vendimet e tyre për jetën e qytetarëve. Për këtë mund të mos jenë të vetëdishëm as një pjesë e madhe e qytetarëve, të cilët më tepër janë të fokusuar në emrat e kandidatëve për kryetarë komunash. Por, votat e asambleistëve janë kyçe për mbarëvajtjen e punës në një komunë.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, vazhdimisht gjatë mandatit është ankuar për, siç ka thënë, bllokadën që ia kanë bërë partitë rivale në kuvend, në mungesë të shumicës nga partia e tij. Për situatë të ngjashme janë ankuar dhe homologë të tij nga komunat tjera. Por, përtej përplasjeve partiake dhe arsyetimeve që mund edhe të mos qëndrojnë, qytetarët e kanë në dorë që në kuvende të zgjedhin njerëz që e meritojnë. Njerëz që i përfaqësojnë me dinjitet e integritet. Kandidatët për asambleistë duhet të merren seriozisht – qoftë për t’ua besuar votën, qoftë për t’i ndëshkuar.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
BKT Kosova vlerësohet për herë të katërt "Banka e Vitit 2024 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera