Lajme

Mustafa: Albin Kurti e ka marrë peng Kosovën, durimi i opozitës nuk do të jetë i pafund

Autori: Gazeta inFokus 12:20 | 28 August 2026

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po mban peng institucionet e vendit duke penguar konstituimin e Kuvendit.

Në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, Mustafa tha se PDK-ja do të vazhdojë aktivitetet e saj deri në funksionalizimin e institucionit ligjvënës, duke paralajmëruar se durimi i opozitës dhe i qytetarëve nuk është i pafund.

“Albin Kurti ka marrë peng Kosovën dhe ka marrë peng institucionet e Kosovës. Dhe këtë nuk guxojmë ta lejojmë dhe as nuk do ta lejojmë”, deklaroi Mustafa.

-Advertisement-

Ai tha se përfaqësues të PDK-së po dalin çdo ditë para ndërtesës së Qeverisë për të kërkuar kthimin në Kuvend dhe përfundimin e procesit të konstituimit.

“Po protestojmë, po bëjmë aktivitet në mënyrë paqësore, në mënyrë të qetë për t’ia përcjellë mesazhin e qartë. Mirëpo kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht”, tha ai.

Mustafa paralajmëroi se, nëse situata vazhdon, PDK-ja do të përdorë, siç tha ai, mjete demokratike për të kërkuar zhbllokimin e institucioneve.

“Pakënaqësia e qytetarëve dhe rrjedhimisht edhe durimi i partive opozitare, dhe në këtë rast Partisë Demokratike të Kosovës, nuk do të jetë i pafund. Do të përdorim mjetet demokratike për të shtyrë ata njerëz që kanë marrë peng Kosovën ta kthejnë Kosovën në binarë kushtetues dhe në binarë të një shteti normal”, deklaroi Mustafa.

Sipas tij, PDK-ja do të vazhdojë me aktivitetet e saj, ndërsa paralajmëroi se pas 48 orësh do të rikthehen me të njëjtën kërkesë.

“Do të jemi këtu prapë pas 48 orëve me kërkesën e njëjtë: kthimin e Kuvendit të Kosovës deputetëve dhe kthimin e institucioneve në shërbim të qytetarëve”, tha ai.

Mustafa: Çështja e presidentit nuk e arsyeton bllokimin e Kuvendit

Mustafa është pyetur edhe për mundësinë e një marrëveshjeje mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për çështjen e presidentit.

Ai tha se diskutimet për presidentin mund të vazhdojnë pas konstituimit të Kuvendit dhe se, sipas tij, kjo çështje nuk mund të përdoret si arsye për zvarritjen e procesit.

“Diskutimet për presidentin mund të vazhdojnë edhe pas konstituimit të Kuvendit. Dihet qartë se pas ditës së konstituimit të Kuvendit janë edhe 60 ditë për të zgjedhur presidentin. Nuk ka asnjë arsye të vetme të mbahet konstituimi i Kuvendit peng i diskutimeve që po ndodhin për presidentin”, deklaroi Mustafa.

Ai i cilësoi diskutimet e deritanishme si “lojë politike” dhe “strategji për të blerë kohë”.

“Kjo është një lojë politike, kjo është një strategji për të blerë kohë. Pse po i nevojitet kjo blerje e kohës nuk mund ta dimë, por është e qartë se nuk ka vullnet për t’i dhënë Kosovës institucione në këtë fazë”, tha ai.

Në fund, Mustafa kërkoi që fillimisht të konstituohet Kuvendi dhe vetëm më pas të vazhdojnë negociatat politike për presidentin./Gazeta Infokus

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy