Ekonomi

Mungesa e fuqisë punëtore, ndër shqetësimet kryesore të prodhuesve kosovarë

Autori: Gazeta inFokus 13:29 | 20 August 2019

Mungesa e punëtorëve, migracionet, qasja jo e lehtë në financa, mungesa e kuadrove profesionale, dhe mosmbështetja e Qeverisë, janë vetëm disa nga pakënaqësitë e prodhuesve vendorë.

Ata në një tryezë të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikanë në Kosovë, me temën “Gjendja e prodhimit në Kosovë” kanë dhënë disa rekomandime për Qeverinë e re.

Në lidhje me këtë Arian Zeka tha se nga këto tryeza,  Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës synon që të rendit disa rekomandime për Qeverinë e re, në aspektin e përmirësimit të mjedisit të të bërit biznes.

-Advertisement-

“Lidhen me fuqinë punëtore, gjejnë vend për disa nga kërkesat më të rëndësishme të bizneseve gjatë viteve të fundit. Përfshirë këtu edhe indeksin e prodhimit, një studim që Oda Ekonomike Amerikane e ka publikuar para dy muajsh. Janë edhe disa çështje të tjera të cilat lidhen me kohën e kryerjes së pagesave brenda sektorëve të ndryshme të ekonomisë. Edhe po ashtu një ligj tjetër, siç është Ligji për Tregtinë e Brendshme, respektivisht vetëm Ligji për Tegeti, ai i cili ka qenë proces plotësim-ndryshimi nga Qeveria tani më në dorëheqje, i cili besoj që do të jetë sërish njëri prej ligjeve me prioritet për Qeverinë e re”, tha Zeka.

Kujtim Gjevori nga kompania prodhuese “Scampa”, tha se ka pasur zhvillime sa i përket industrisë së prodhimit, por jo kënaqshëm. Ai ka renditur disa nga kërkesat për Qeverinë e ardhshme.

“Duhet të ketë shumë rëndësi me u bë një liste e çmimoreve tek shpenzimi i energjisë elektrike. Ku e dijmë që sot energjia elektrike paguhet njëjtë si për amvisëri sikur se edhe në prodhim…. tjetra është një diciplinë financiare, por me një ligj pak më specifik ose më rigoroz, ku do të ishte e kontrollueshme, një lloj kontrolli shtetëror, për arsye se mos pagesat me kohë po shkaktojnë shumë probleme rreth zhvillimit të bizneseve, sidomos tek sektori i prodhimit”, tha ai.

Sa i përket qasjes në financa, ai konsideron se duhet të specifikohet edhe tek bankat, në veçanti tek ajo qendrore, në mënyrë që prodhuesit të kenë një qasje më të lehtë. Pikë me rëndësi tha se është edhe aftësimi i punëtorëve.

Bajram Rushiti nga Furra “Buka”, tha se do të ishte mirë që të identifikohen se kush janë prodhuesit në të vërtetë.

“Sa i përket qasjes në financa ka shumë vend, vetëm vitin e kaluar secili prej nesh kemi humbur para në trust, unë personalisht i kam humbur diku 1600 euro trust. Kështu që do të ishte mirë në qoftë do të kenë mundësi ata me formu një grup, i cili do të investonim qato pare këtu, kjo do të ishte shumë më e mirë, se sa me hup diku 5 për qind, kjo është shumë e madhe. Edhe tek subvencionimi, ndoshta është koha që tani me fillu Qeveritë përpos grupeve të tjera që subvencionojnë, me fillu me subvencionu edhe prodhuesit me projekte konkrete”, ka thënë Rushiti.

Gojart Kelmendi, nga fabrika “Flutura”, tha se Kosova është e vetmja që momentalisht nuk ka strategji afatgjate por as afatshkurtër, me qëllim të zhvillimit ekonomik. Ai ka përmendur edhe migrimin e të rinjve, për çka tha se po ndikon drejtpërdrejtë në sektorin prodhues.

“Po shohim që kemi shumë probleme me migrimin e të rinjve, kjo do të duhej të ndalej, dhe kjo do të mund të ndalej vetëm nëse zhvillohet sektori prodhues. Do të ishte mirë që një Qeveri e re të ketë si prioritete me qëllim të zhvillimin të vendit, është fondi garantues, i cili për momentin është i pamjaftueshëm dhe nuk është duke u përdorur nga prodhuesit apo në masë të vogël është duke u përdorur nga prodhuesit, më shumë është duke u përdorur nga tregtarët. Kurse ky fond është ideuar për prodhuesit, për momentin edhe kështu është shumë i ultë. Të gjithë ne si prodhues po kemi probleme në financimin nga bankat komerciale, pasi që secili prej nesh kemi mbërritur ato limitet ku mundemi me i garantu hipotekat apo gjërat tjera, kështu që shteti do të duhej të krijonte një fond më të lartë, apo krijimin e një banke zhvillimore për Kosovën ”, u shpreh ai.

Sipas tij,  Qeveria do të duhej të fokusohej edhe në shkollat profesionale për të rinjtë, për çka siç tha ai,  nuk po ka kuadro te profesionalizuar në fusha të caktuara.

E, Ylber Bajraktari nga Stone Castle ka treguar se si kompani po mbizotërojnë mbi 700 hektarë vreshta, ku sipas tij po bëjnë edhe prodhim maksimal deri në 12 milionë kilogramë rrush në vit.

Megjithatë ai tha se po  ballafaqohen me mungesë të punëtorëve. Ai ka shprehur pakënaqësitë edhe për importin dhe kualitetin e verave. Bajraktari ka kërkuar edhe lirimin e akcizës.

“Nga mungesa e punëtorëve, nga mungesa e njerëzve adekuatë në mënyrë profesionale po shfaqen çdo herë në mungesë. Çdo herë është kalkuluar që një punëtor të paktën të kontrolloj 1 hektar e gjysmë vreshta. Tani kompania jonë ka ardhur në një situatë ku një punëtor i joni mbikëqyr 5 hektarë vreshta. Do të thotë që ky shqetësim është gjithmonë në ngritje. Njëri nga faktorët është migracioni, faktori tjetër është mos mbështetja e drejtpërdrejtë edhe e Qeverisë nga këto zona, një ndihmesë e madhe në zonën rurale. Nga problemet të cilat ne i kemi, adresimet tona nuk kanë pasur as vëmendjen më të vogël. Ne së bashku me fermerët kemi kërkuar shumë gjëra në bazë të këtyre kërkesave”, tregoi ai.

Bajraktari tha se kanë kërkuar që të lirohen nga taksat doganore të Kosovës, nga të gjithë mekanizmat punues dhe përpunues të Bujqësisë, por që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKS-ja kërkon nga Institucionet që sigurimi për bujqit të bëhët obligativ

Të tjera