Fokus

Mosmarrëveshja e vitit| Minishengeni i Edi Ramës

Autori: Halil Berisha 17:32 | 01 January 2020

Dialogu u ndal në gjysmë.

Kosova e Serbia pavarësisht të kërkesave e presionit të ndërkombëtarëve ka disa muaj që më nuk ulen me njëra tjetrën në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian, shkruan gazeta inFokus.

Kjo prej kur u vendos taksa 100% për produktet e Sebrisë e Bosnjes dhe Hercegovinës.

-Advertisement-

Me Kosovën jo, por Aleksandar Vuçiq, këtë tetor, filloi negociatat me Shqipërinë.

Tash për një projekt të ri e të padëgjuar më parë, të ashtuquajturin “Mini-shengeni Ballkanik”.

Kjo ide lindi më 10 tetor, kur tre burrështetasit e Ballkanit perëndimor, Edi Rama i Shqipërisë, Aleksandar Vuçiq i Serbisë e Zoran Zaev i Maqedonisë së veriut, u takuan në Novi Sad të Serbisë.

E kjo nismë e tillë, u quajt edhe si “Jugosllavi e Re”, e që u kundërshtua me të madhe nga politikanët kosovar.

Kjo pasi një gjë e tillë nuk po shihet e rrugës, ku një shtet sikur Serbia, e cila jo veç që nuk njeh shtetin e Kosovës por edhe mohon masakrat e dokumentuara të kryera nga kasapi i Ballkanit Slobodan Miloseviq, do të kishte rol aq të madh, ndoshta edhe rolin kryesor.

Megjithatë, kosovarët po pranojnë shengen e heqje të kufijve, por jo në këtë mënyrë. Kjo thonë se do duhej të bëhej me inkuadrimin në Bashkimin Evropian, shkruan gazeta inFokus.

E nga shumë analist e njohës të politikës, krejt kjo iniciativë po shihet se shkakun e ka diku tjetër.

Tek refuzimi që i erdhi Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë për fillimin e negociatave për hyrje në Bashkimin Evropian.

“Unë mendoj që më shumë mundet me pas ndikim ky aspekti i refuzimit për hapjen e negociatave nga ana e BE-se me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Unë personalisht më tepër mendoj që është kundër-përgjigje që po synohet t’i japin BE-së se sa diçka tjetër, madje besoj që edhe ata vet e kanë të qartë se një gjë e tillë është e paarritshme dhe nuk ka jetësim një marrëveshje e tillë për shkak se e ardhmja e vendeve të Ballkanit është Bashkimi Evropian e jo krijimi i strukturave të tilla ballkanike apo çfarëdo qofshin ato”, ka thënë Arton Demhasaj, për gazetën inFokus.

Iniciativa e tillë nuk nxiti veç reagimet e politikanëve kosovar, por edhe të shumë qytetarëve.

Por, pavarësisht krejt këtyre kritikave, Edi Rama jo që nuk u zmbraps por edhe nuk hezitoi të quaj të padijshëm të gjithë ata që e kundërshtojnë këtë ide, shkruan gazeta inFokus.

“Shengeni Rajonal është një domosdoshmëri historike sot, kur beteja jonë por jo vetëm e jona, shqiptarëve por krejt vendeve të këtij rajoni, është zgjerimi i hapësirës së lirisë së lëvizjes për njerëzit, mallrat, shërbimet e kapitalet.Veç ata që s’duan ta shohin a s’dinë të lexojnë, nuk e kuptojnë se Shengeni Rajonal është rruga e vetme për Shqipërinë e për Kosovën, që të thyejmë barrierën kufitare mes veti dhe të garantojmë liri të plotë lëvizjeje mes të dyja të shteteve, për njerëzit, për mallrat, shërbimet e kapitalet” thotë Rama në videon e publikuar për fundvit.

Sipas Ramës janë dy lloje të njerëzve që sipas tij po i “fryjnë zjarrit” për Mini Schengenin Ballkanik.

Janë ata që kur thonë se ky proces i sjell pasoja ekonomike negative Shqipërisë dhe Kosovës sipas Ramës “nuk e dinë se çfarë flasin.

Ndërsa ata Kosovarë që nuk e pranojnë këtë proces për shkak të kaluarës Rama ka një pyetje për ta “Për shkak të së shkuarës duhet pyetur se si e ndihmoka Kosovën, vetëpërjashtimi nga një nisëm që ka të paktën pesë vjet, që diskutohet dhe dakordësohet përgjatë procesit të Berlinit, ku Kosova ka qenë gjithnjë e pranishme në nivelin më të lartë e ka qenë gjithnjë dakord në tryezë?.

Ndërsa, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në adresimin para mediave për fundvit, tha që refuzoi pjesëmarrjen në samitin e Ohrit e Tiranës, për shkak se Kosova u injorua në atë të Novi Sadit në Serbi.

“Dua të sqaroj se në takimin e parë në Novi Sad, në mes Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut – Kosova nuk ka qenë e ftuar fare e as e trajtuar si shtet i pavarur dhe sovran”.

“Ky është një fakt të cilin në veçanti Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria duhet ta kenë parasysh gjithmonë sepse Kosova është njohur si shtet i pavarur. Si rrjedhojë e injorimit të Kosovës në Novi Sad – të dy ftesat që më janë dërguar, i kam refuzuar; megjithëse ftesat më referoheshin si president i shtetit të Kosovës”.

“Arsyeja tjetër e refuzimit ka qenë edhe argumenti se nuk mund të kemi bashkëpunim rajonal vetëm kur takimet mbahen në një vend të caktuar. Në Novi Sad, Kosova ka qenë e përjashtuar. Kosova nuk e ka asnjë çështje të hapur me tre vendet e lartpërmendura, por çështje fondamentale për Kosovën dhe rajonin mbetet Serbia – si rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe si aleati i vetëm i Rusisë në Ballkanin Perëndimor”.

“Të gjithë ne e dimë se Rusia synon destabilizimin e Ballkanit Perëndimor  duke paraqitur vonesa dhe pengesa që vendet e rajonit të mos integrohen në NATO dhe BE”.

Madje, Thaçi pati edhe një mesazh për Edi Ramën, sa i përket kufijve, shkruan gazeta inFokus.

“Konfirmoj në emër të institucioneve të Kosovës, Kosova qysh sot, jo nesër, qysh sot është e gatshme të marr vendim për heqjen e kufirit dhe doganës dhe çdo barriere tjetër me Shqipërinë, qysh sot, çdo barrierë që kemi mes shteteve të Kosovës hiç nuk ka nevojë me shty nesër. Do të ishte mrekulli sikur viti 2020 të fillojë me vendimin për heqjen e kufirit dhe doganës mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë. E ftoj mikun tim, Edi Ramën, që të caktoj datën e heqjes së kufirit mes Kosovës e Shqipërisë pa pritur opinionin e cilitdo shtet, sepse ne jemi shtete sovrane dhe si të tillë duhet të marrim vendime. Që nga shpallja e pavarësisë më 1912 të marrim edhe vendimin për heqjen e kufirit ngase ka qenë ëndrra e të gjithë atyre që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës dhe Shqipërisë. Pres përgjigje pozitive nga Edi Rama. Unë jam gati”, është shprehur ndër të tjera Thaçi”./Gazeta inFokus/.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Nis bashkëpunimi serioz dhe strategjik midis Comodita dhe JYSK International
-Advertisement-

Të tjera