Lajme

Mocioni për shfuqizimin e Ligjit për Specialen nuk është i vlefshëm

Autori: Gazeta inFokus 20:40 | 16 January 2018

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet të mërkurën për të përcaktuar rendin e ditës për seancën e parë të sesionit pranveror, shkruan AktivPress.

Pritjet janë që anëtarët e Kryesisë bashkë me shefat e Grupeve parlamentare do të marrin në shqyrtim mocionin e mbi 40 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Mirëpo në aspektin procedural, ky mocion nuk mund të shtyhet përpara.

-Advertisement-

Një nga anëtarët e Kryesisë ka thënë për AktivPress se kërkesa e deputetëve për seancë të jashtëzakonshme ka qenë e precizuar të mbahet me datë dhe orë të caktuar, që tashmë kanë kaluar.

“Në kërkesën e deputetëve thuhet që seanca e jashtëzakonshme duhet të thirret me 22 dhjetor 2017. Bazuar në këtë materie, Kryesia e Kuvendit nuk mundet ta merr në shqyrtim një lëndë të cilës i ka dalë afati”, ka thënë ai.

Ky deputet ka sqaruar se mënyra e vetme për të bërë lëndë të trajtueshme kërkesën e deputetëve, është që kërkesa të përditësohet.

“Nënshkruesit e mocionit duhet ta riformulojnë e më pas ta përcjellin në Kryesi kërkesën e re, nëse duan që ajo të merret në shqyrtim”, ka shtuar anëtari i Kryesisë.

Në fakt, Kryesia e Kuvendit tashmë e ka përcaktuar agjendën e pikave që do t’i marr në shqyrtim në mbledhjen e së mërkurës.

Aty nuk figuron askund kërkesa e deputetëve për seancë të jashtëzakonshme.

Megjithatë, si në çdo mbledhje tjetër, edhe në atë të radhës, si pikë e veçantë është shqyrtimi i propozimeve dhe kërkesave.

Kryesia e Kuvendit pati dështuar në natën e 22 dhjetorit ta marr në shqyrtim kërkesën e 43 deputetëve  në mungesë kuorumi, por pavarësisht kësaj, reagimi i diplomatëve të jashtëm ishte shumë i ashpër. Ata kërkuan nga lidershipi i Kosovës që të mos i hyjë një aventure të rrezikshme e cila mund të qonte në izolimin e shtetit.

Tendenca e deputetëve për ta bërë të plotfuqishme kërkesën e organizatave të luftës së UÇK-së për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale megjithatë janë të kota.

Funksionalizimi i kësaj gjykate nuk ndalet me shfuqizimin e ligjit në fjalë, për sa kohë që mbi të ekzistojnë tri akte ndërkombëtare: një i lidhur drejtpërdrejtë me BE-në, ndërsa dy akte të tjera të lidhura me Holandën.

Njohësit e çështjeve politike e shohin veprimin e deputetëve si kërcënim për të ardhmen e qytetarëve të Kosovës, ndërsa anëtar të shoqërisë civile, konsiderojnë se politikanët kosovarë me sjellje të tilla mund t’i fusin “thikën pas shpinës” miqve të jashtëm./AktivPress

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Afati i fundit për regjistrime në programin MSc. Data Science & Analytics në UNI – Universum International College – Powered…

Të tjera