Lajme

Ministrja e Kurtit paralajmëron se gjashtë kompani amerikane mund të investojnë në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 17:05 | 03 March 2023

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka pritur në takim përfaqësues të Departamentit të Shtetit Amerikan, të Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), të Bankës Amerikane për Eksport-Import, të Shoqatës së Biznesit Amerikë – Evropë Qendrore, si dhe përfaqësues të gjashtë kompanive të mëdha amerikane të sektorit të energjisë.

Gjatë takimit, Përfaqësuesja Speciale për Partneritete Botërore në Departamentin e Shtetit Amerikan, Dorothy McAuliffe është shprehur se siguria e energjisë si dhe siguria kombëtare në Ballkanin Perëndimor, dhe në Kosovë, do të thotë siguri e energjisë dhe siguri kombëtare edhe për Shtetet e Bashkuara. Ajo ka shtuar që ky partneritet tash është më i rëndësishëm se kurrë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ministrja Rizvanolli u ka prezantuar të pranishmëve projektet që Qeveria është duke i zhvilluar, si dhe mundësitë për investim në sektor të energjisë në Kosovë, dhe i ka siguruar të ftuarit që Kosova është e gatshme të luajë rol udhëheqës në rajon drejt sigurisë dhe tranzicionit energjetik. Kjo për të mundësuar diversifikimin dhe pavarësimin e sektorit në rajon nga burimet fosile të Rusisë, si dhe për të shtruar rrugën drejt energjisë së pastër.

-Advertisement-

“Kompanitë amerikane, përfshirë Honeywell, GE Power, Siemens Energy, Advent Technologies, Emerson Automation Solutions, si dhe Wethington International kanë shprehur interesin e tyre për të investuar në Kosovë dhe për të kontribuar në planet e Kosovës për zhvillim të sektorit të energjisë. Përfaqësuesit e kompanive kanë prezantuar punën e tyre dhe teknologjitë të cilat ofrojnë, të cilat janë në linjë me Strategjinë e Energjisë, si dhe projektet kryesore të Qeverisë për këtë sektor”, thotë ministria e drejtuar nga Rizvanolli.

Në takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Kosovë, të USAID-it, si dhe të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?

Të tjera