Lajme

Ministria e Mjedisit pezullon pëlqimin mjedisor për ndërtimin e inceneratorit në Ferizaj, shkarkohen dy komisione

Autori: Gazeta inFokus 11:41 | 01 August 2023

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka njoftuar të martën se kanë pezulluar pëlqimin mjedisor për ndërtimin e një gjeneratori në Ferizaj.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se ministria që drejton në dhjetor të vitit të kaluar i kishte lëshuar pëlqimin mjedisor një kompanie për incinirator në Varosh të Ferizajt, që nënkupton djegien e rreth 100 mijë ton mbeturinave në vit.

“Në maj befas na vjen një kompani dhe thotë kemi marrë pëlqim nga ju për trajtim termik të mbeturinave dhe po ashtu kemi marrë leje ndërtimore në Komunën e Ferizajt për të ndërtuar një gjenerator. Kam kuptuar që në dhejtorin e vitit që shkoi ka pasur të lëshuar pëlqim mjedisor për incinirator në Varosh të Ferizajt, që nënkupton djegien e rreth 100 mijë ton mbeturinave në vit”, ka deklaruar ministri Aliu para gazetarëve.

-Advertisement-

“Duke njohur gjeografinë e vendit e di që është vështirë me gjet një lokacion të tillë në vendin tonë i cili nuk ka me pasur ndikim te qytetarët. Pas vizitës në terren dhe takimet me qytetarët, e kemi kuptuar se askush nga qytetarët nuk e ka ditur se aty planifikohet të ndërtohet një gjenerator. E kemi shqyrtuar edhe raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis. Aty thuhet se objekti është 3 mijë metra larg vendbanimeve gjë që ishte e pamundur pasi janë më pak se 700 metra”.

Ai tutje ka thënë se kanë nisur një proces të auditimit dhe janë bërë matjet gjeodezike, ku më pas kanë kuptuar se ky raport nuk ka të bëjë me realitetin fare

“Kemi marrë vendim që kjo të shkojë në auditim e aty më pas dalin edhe shkelje të tjera. Fatmirësisht përfundoi si rast deri tani me pezullimin e pëlqimit mjedisor”, është shprehur tutje Aliu.

Ndërsa, zëvendësministri Avni Zogiani ka bërë të ditur se janë shkarkuar dy komisione lidhur me këtë rast.

“Kemi kërkuar nga sekretari që të shkarkohen dy komisione; atë për pëlqime mjedisore dhe atë për leje. Tash ministria ka komisione të reja dhe ka filluar një proces më transparent. Kemi vërejtur që kurdoherë që ka në horizont një projekt që ka interesa të mëdha kemi më pak transparencë se sa në situata kur p.sh qytetarët ngrisin një problematikë për ambientin. Prandaj, kemi filluar që të punojmë me komisione të reja”, ka thënë ai.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation

Të tjera