Lajme

Ministria e Arsimit hedh poshtë vendimin e vitit të kaluar, blen libra të rijnë për të gjithë nxënësit

Autori: Sylejman Sylejmani 12:52 | 12 September 2018

Prindërit e nxënësve nga klasa e parë e deri në klasën e nëntë, këtë vit nuk e kanë pasur gajle për t’ua blerë fëmijëve të tyre librat e ri shkollor.

Këtë punë për gjithë këta nxënës e kreu ministria e Arsimit.

Për ta kursyer buxhetin, kjo ministri vitin e kaluar morri vendim që librat e rinj t’ua shpërndajë vetëm nxënësve nga klasa e parë deri në të pestën. Nxënësit e klasave të tjera punuan me librat e përdorura nga gjeneratat paraprake.

-Advertisement-

Këshilltari i ministrit të Arsimit, Valmir Gashi në një përgjigje për Gazetën inFokus thekson se ky vendim, asokohe u morr si shkak i planifikimeve jo të mira buxhetore.

“Ka pasur shumë telashe tek gjenerata që i kanë përdorë librat e përdorura, sepse kanë qenë shumë të dëmtuara, kanë pas telashe dhe pastaj janë detyruar që edhe vet prindërit me i ble. Këtë vit janë shpërndarë dhe nuk ka pse të ketë ankesa më për këtë gjë”, thotë Gashi.

Sipas të dhënave të publikuara nga ministria e Arsimit, vitin e kaluar u shpenzuan 3 milion e 600 mijë euro për librat e nxënësve nga klasa e parë deri në të pestën.

Kur vitet e kaluara kjo ministri blente libra të rinj për të gjithë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ulta, buxhetit të shtetit i kushtonte rreth 7 milionë euro.

Gashi thekson se akoma nuk dihet sa i kushtuan këtë vit ministrisë blerja e librave për këta nxënës.

Shpërndarja e librave, sipas tij do të bëhet me kohë dhe nuk do të ketë vonesa sikur vitet e kaluara.

“Shpërndarja pres që të bëhet me kohë. Ne si ministri në afat i kemi dërguar librat tek komunat, tash edhe ato i kanë disa afate, por ne do ta monitorojmë që shpërndarja të shkojë me kohë”, thotë ai. /Gazeta inFokus

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Aeroporti “Adem Jashari” ka një kërkesë për udhëtarët që kanë humbur valixhet e tyre
-Advertisement-

Të tjera