Lajme

Ministri serb i mbrojtjes për situatën në veri të Kosovës: “Mjafton vetëm një shkëndijë për ta ndezur gjendjen”

Autori: Gazeta inFokus 10:34 | 07 December 2022

“Aq të tensionuar sa që duhet vetëm një shkëndijë për t’u ndezur”. Kështu e përshkroi situatën në pjesën veriore të Kosovës, ministri serb i mbrojtjes, Millosh Vuçeviç duke foluar për televizionin serb, Tv Prva.

Ngjarjet e djeshme të sulmeve ndaj kuvendeve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, Vuçeviç i quajti si pasojë “e një serie lëvizjesh nga Prishtina që synojnë destabilizimin e situatës”.

“Është mesazh i qartë ndaj serbëve se nuk janë të mirëpritur dhe kjo s’duhet të mbulohet me celofon”, ka thënë ai, teksa vazhdoi me mantrën e zakonshme të qeverisë serbe kinse qëllimi i autoriteteve kosovare “është të dëbojnë serbët”.

-Advertisement-

“Është shumë e vështirë të kontrollohet situata, njerëzit janë të elektrizuar. Ky pogrom ka qenë duke ndodhur për kohë të gjatë duke e bërë dialogun të pakuptimtë”, ka thënë mes tjerash ministri serb i mbrojtjes.

Në lidhje me sulmet që ngjanë në pjesën veriore të Kosovës, ka reaguar kryeministri kosovar, Albin Kurti, si dhe ministri i mbrojtjes Xhelal Sveçla.

Kurti ka paralajmëruar prezencë më të shtuar policore atje, derisa ka thënë se “Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron” bandat kriminale.

“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”.

“Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë”.

“Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë”, ka shkruar Kurti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
E treta e verteta, shpallet fituesi I trete I Lojes Shperblyese se Artmotion?
-Advertisement-

Të tjera